Pse Grida Duma e meriton Durrësin? - Klan Kosova

Pse Grida Duma e meriton Durrësin?

123
string(12) "Baton Haxhiu" string(65) "https://klankosova.tv/wp-content/uploads/2018/11/baton-haxhiu.jpg"
6 years më parë

Unë e di që zgjedhjet masivisht do t’i fitojë “Aleanca për Shqipërinë Evropiane”. Dhe mirë që do të ndodhë kështu. Për këtë qëndrim kemi plot arsye.
Në të njëjtën kohë, dua që të fitojë Grida Duma në Durrës.
Pse ky qëndrim?!
Një kohë të gjatë gazetat prestigjioze dhe analistë e opinionbërës në shumë vende me demokraci stabile marrin qëndrim për situata zgjedhore. Washington Post, një ditë para zgjedhjeve, dikur, kishte shkruar: “Vote for Gore”. Kjo nuk do të thotë se një opinionist bën një anim, por mban një qëndrim që mbështetet në bindje për kualitetin e një kandidati.
Sot po shkruaj dhe po qartësohem me bindje: “Votoni për Gridën”.
Pse?
Nëse prek pak profilin e saj, mund të them këtë:
«Negociata dhe kompromisi» janë shenjat kryesore të flamurit të saj politik. «Përballja me problemet jo duke shembur ata që glorifikuam deri dje, por duke vazhduar punën nga aty ku ka mbetur për të zgjidhur porblemet e vendit» – kështu qartë thotë Grida Duma në një intervistë me një gazetë shqiptare.
Në fakt, mjaftojnë këto parime për të kuptuar se pse demokratja e shkolluar në SHBA është nga ato profilet politike që të bëjnë të mos pyesësh fare se cilës parti, cilit shtet, cilës kulturë i takojnë.
Pikërisht për këtë, Grida Duma, me siguri se do ta sfidojë e vetme garën e fituar të “Aleancës për Shqipërinë Evropiane”. Edhe socialisti militant, që më siguri nuk dëshiron askë të PD-së për kryetar të Durrësit, do ta ketë vështirë të mos e paramendojë Dumën si kryebashkiake të qytetit.

Pse?

Nga të gjitha femrat e politikës shqiptare, Grida Duma është ndryshe. Të tjerat, sapo arrijnë ndonjë pozitë të merituar në atë konkurrencë burrash, fillojnë menjëherë në vend të sjelljes profesionale të shquhen me arrogancë, të harrojnë integritetin dhe të imitojnë parinë e partisë a qeverisë duke sharë e ofenduar edhe më keq se mentorët e tyre.
Grida jo.
Sillet e lirë, e barabartë dhe e pavarur.
Edhe përtej territorit të karrierës së saj personale, shfaqja e një politikaneje të tipit të zonjës Duma, pikërisht në Shqipërinë ballkanike mund të jetë një ogur i shumëpritur dhe më fat, dhe atë për tri arsye:

E para: Kemi të bëjmë me një politikane që në konceptin e saj kryefjalë e ka pragmatizmin e jo folklorizmat e përziera me utilitarizëm personal ose në favor të një politike të ngurtë që nuk duron kompromise. Si e tillë, ajo lanson një stil të ri politikbërjeje për aspirantët e ri, të cilët duke marrë atë si shembull besojnë se në politikën shqiptare të korruptuar politikisht dhe strukturalisht mund të realizohesh, vetëm në sajë të aftësive personale.

E dyta: Grida Duma është e bukur. Por, jo model për vitrinë, nga ato që në sajë të bukurisë femërore përfitojnë në sfera tjera të jetës.
Ajo është e dijshme, e bukur, dhe e aftë për transmetuar jo vetëm synimet e saja politike si kandidate por madje edhe një koncept tjetër, fare të ri se ç’mund ta ketë “mësuar” nga etërit e partisë së saj – atë politikë pragamatike, racionale, të kompromisit dhe kulturës politike që i kanë bërë demokracitë e mëdha të perëndimit.
Pa hamendje: nëse nesër ajo ngritet në pozitat e një lidereje demokrate do të ndryshojë për shumëçka peisazhi politik shqiptar, e sidomos ai i PD-së,  që pas këtyre zgjedhjeve do të ketë një zbehje të dukshme.

E treta: Demokracia pa konkurrencë si në kontekst të barazisë gjinore ashtu edhe në atë të ideve, partive, taborreve, pra pa pluralizëm, edhe në qeverisje është e dënuar të përfundojë në regresion, në monizëm, në njëtrajtshmëri.
Nëse, siç pritet, më shumë se 80% e bashkive të vendit përfundojnë në duart e një partie, qoftë edhe asaj për të cilën mund të kemi preferenca, nuk do të jetë mirë, sepse do të lëndohet dhe do të lëngojë jo vetëm konkurrenca për dëshmim, por edhe kontrolli reciprok pozitë-opozitë do të jetë i beszdisshëm, i zhurmshëm, sipërfaqësor dhe ngulfatës për vendin. Vendi do të shkojë drejt mungesës së ekuilibrit.

Shikuar nga gjitha këto aspekte, Durrësi do të luante një rol ekzemplar në historinë e politikës shqiptare, duke votuar për një kryebashkiake, jo për shkak të arsyeve periferike politike si deri më tani, por për një personalitet të kompletuar – grua – e cila posedon të gjitha aftësitë për ta ndërtuar një polis-opozitë kualitative, model, shembull për politikën në Shqipërine e nesërme Evropiane.
Grida duhet të fitojë edhe për faktin se ajo do të jetë e vetmja pikë opozitare kundër të majtës dhe pikë reference për ta ruajtur të djathtën.

Nëse Grida fiton, Shqipëria nuk do të destabilizohet nga arroganca e fitores së Aleancës për Shqipërinë Evropiane, dhe do të krijohet një polis ku mund të mbahet gjallë Partia Demokratike, dhe do të mund të nisë ringritja e saj nga ky polis.
Edhe për një arsye tjetër duhet të fitojë Grida: Rama me projektin e tij për Shqipërinë Urbane do të lirohej nga pesha e madhe për ta mësuar këtë kryebashkiake me shijen urbane, sepse një gjë e tillë do të ishte e panevojshme.

Këto janë arsyet e mia pse jam pro Grida Dumës.