Prodhuesi i problemeve të vazhdueshme - Klan Kosova


Na ndiqni në:


Get it on Google Play Download on the App Store

Prodhuesi i problemeve të vazhdueshme

123
string(12) "Blerim Shala" string(82) "https://klankosova.tv/wp-content/uploads/2017/05/Blerim-Shala-1-e1620736305698.jpg"
18.07.2022 09:00

Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, e ka në ‘përshkrimin e detyrës’, apo, në mandatin e tij politik, krijimin e problemeve, tensioneve, madje edhe krizave me thuaja të gjitha shtetet fqinje që dikur kanë qenë pjesë përbërëse e shtetit të përbashkët, apo RSFJ-së.  Ky është identiteti i tij themelor politik. Duket që është tej çdo imgjinate pritja që ky do të ndryshojë në një të ardhme të afërt, sepse në teori së paku, duke ditur çfarë fuqie politike (dhe jo vetëm politike, por edhe të inteligjencës, policore dhe ushtarake), ky ka grumbulluar në duart e tij, një kthesë e tillë është e mundshme.

Ky ndryshim, do të mund të ndodhte, gjithsesi si reagim i tij pragmatik, e jo si konfirmin i botëkuptimeve të tij politike, vetëm nëse në një të ardhme të afërt, Bashkimi Evropian do t’i ofrojë Serbisë një kornizë të qartë kohore kur ky shtet do të mund të integrohej në BE. Ndërsa, diçka e tillë nuk duket fare si mundësi reale në rrethanat e tanishme, apo, edhe në parashikimet që maten me disa vjet.

Presidenti i Serbisë, në disa raste në muajtë e fundit, ia ka bërë me dije qartë qytetarëve të vet që Serbia nuk ka alternativë tjetër politike, pos hyrjes në BE. Këtu, siç potencoi ai, nuk ka dhe nuk mund të ketë neutralitet  (i cili ekziston kur bëhet fjalë për anëtarësimin eventual të Serbisë në Aleancën Veri-Atlantike).

Këtë mesazh Aleksandar Vučić e ka dhënë edhe për audiencën ndërkombëtare, apo, për BE-në dhe SHBA-në, në rrethana krejtësisht të reja për Serbinë dhe rajonin e Ballkanit Perëndimor, kur dihen pasojat e Luftës në Ukrainë, të shkaktuar nga invadimi i Forcave ruse.

Presidenti i Serbisë, në këtë mënyrë, i fliste edhe kështu Washingtonit dhe Brukselit: ‘Nuk keni nevojë që të më bëni presion të përcaktohem me kend jam unë, sepse unë dhe Serbia duam të jemi pjesë e BE-së, dhe ky është orientimi i jonë tash e sa vjet…’.

Megjithatë, tash e disa muaj, Perëndimi nuk i beson ‘kredencialeve evropiane’ të Aleksandar Vučić-it, pa e bërë atë distancimin e qartë nga Rusia dhe pa qenë i gatshëm të aplikojë disa nga sanksionet ndaj Rusisë, për shkak të përgjegjësisë evidente të Vladimir Putinit për tragjedinë dhe tmerret e Ukrainës.

Rruga e Beogradit për Bruksel, çuditërisht, kalon kah Moska.

Kjo, natyrisht, nuk i pëlqen fare Presidentit të Serbisë.

Në aspektin kohor, integrimi i Serbisë në BE  (edhe nëse do të ndodhë, teksa gjë nuk është e sigurtë kur flitet për politikën e BE-së me zgjerimin e vet me shtetet e Ballkanit Perëndimor), është një perspektivë afatgjatë, së paku një decenie larg realizimit.

Në aspektin kohor, kriza e Ukrainës është një zhvillim në rrjedhë e sipër, së bashku me kërkesat e vazhdueshme të BE-së dhe SHBA-së, për një përcaktim të qartë të Beogradit zyrtar ndaj Rusisë.

Aleksandar Vučić nuk ka kurfarë vullneti që ta marrë këtë vendim në një të ardhme të afërm. Serbia synon të bëhet pjesë e BE-së, sa më parë që është e mundur, por tash e sa vjet, Rusia dhe sentimentet pro-ruse dhe pro-Putin, janë pjesë përbërëse e Serbisë, e politikës së saj të brendshme dhe të jashtme.

Një Serbi e tillë nuk ka çka të kërkojë në BE. Realisht. Por kjo nuk po i thuhet Presidentit të Serbisë.

Aleksandar Vuçiq, në mungesë të një plani të qartë çka duhet të bëjë tash e tutje për t’u gjetur si duhet në një ambient politik ndërkombëtar shumë të ndërlikuar, (më të ndërlikuarin që nga përfundimi i ’Luftës së ftohtë’, në vitet 1989, 1991), e ka sosë që të luajë me ’muzikën e vjetër’, të cilën e di më së miri, duke i forcuar ’kredencialet nacionaliste’ të tij.

Këtë qasje ky e konfirmoi edhe në fundjavën e shkuar, duke i bërë ashiqare provokim Qeverisë së Kroacisë, me përpjekjet e tij që të bëjë një vizitë private në Jasenovc  (kampin e përqëndrimit gjatë Luftës së Dytë Botërore), pa i respektuar procedurat për vizita të tilla, apo, pa e informuar në mënyrë të drejtpërdrejtë Zagrebin zyrtar.

Natyrisht, kjo ’vizitë private’ do të ishte tërësisht publike, sepse Aleksandar Vuçiq do të kishte mbulimin mediatik të përkuljes së tij para memoralit të këtij kampi të përqëndrimit.  Nuk ka kurfarë dyshimi që lideri serb e ka ditur fare mirë se çka do të ndodhë me këtë synimin e tij për të hyrë në Kroaci në mënyrë gjysmë klandestine. Ai dhe bashkëpunëtorët e tij më të ngushtë, nuk do të hezitojnë fare që këtë ngjarje ta shfrytëzojnë për një tensionim të ri në marrëdhëniet edhe ashtu të këqija me Kroacinë, e cila është shtet anëtar i Paktit NATO dhe i BE-së.

Marrëdhëniet e Serbisë me Kroacinë, me Kosovën dhe me Malin e Zi janë më të këqijat që nga përfundimi i luftës në Kosovë, në vitin 1999. Me Bosnjën dhe Hercegovinën janë problematike për shkak të rolit destruktiv që Milorad Dodik ka si lider i Republikës Serbe. Vetëm me Maqedoninë e Veriut Serbia ka raporte relativisht të mira.

Një shtet me gjithë këto telashe me shtetet fqinje, teksa të gjitha janë rezultat i zhbërjes së ish-Jugosllavisë, nuk do të duhej as në ëndërr ta shihte veten si pjesë përbërëse e Bashkimit Evropian, pa marrë parasyshë çka do të bëjë tash e tutje në marrëdhëniet e saj me Rusinë.

 

 

 

 

lajme të ngjashme