Prodhimi i barrikadave politike dhe diplomatike - Klan Kosova


Na ndiqni në:


Get it on Google Play Download on the App Store

Prodhimi i barrikadave politike dhe diplomatike

123
string(12) "Blerim Shala" string(82) "https://klankosova.tv/wp-content/uploads/2017/05/Blerim-Shala-1-e1620736305698.jpg"
27.04.2023 14:00
Blerim Shala

Veriu i Kosovës është territor i okupuar. Do të vjen momenti kur ky okupim do të merr fund.

Në fillim të kësaj jave, Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, në këtë mënyrë përshkroi situatën në Veriun e Kosovës, një ditë pas organizimit të zgjedhjeve lokale në katër komunat në këtë pjesë të vendit, dhe pak kohë para se Kosova të nisë rrugëtimin për anëtarësimin në Këshillin e Evropës.

Nuk ka kurrfarë dyshimi që ky fjalor i vrazhdë dhe i egër politik dhe diplomatik i Presidentit të Serbisë, i cili u përcoll edhe me fyerjen e shteteve të Quint-it, duke i diskualifikuar ato si gënjeshtare dhe mashtruese, ka lidhje të drejtpërdrejtë me këto dy ngjarje: zgjedhjet në Veri, dhe me ecjen para të Kosovës drejt organizatës shumë të rëndësishme (dhe më të vjetrës) në Evropë.

Terminologjia e Vuçiqit është e paprecedent për një zyrtar të lartë të Serbisë, që nga përfundimi i luftës në Kosovë. Çka nuk kemi dëgjuar dhe lexuar nga politikanët serbë të të gjitha qeverive në Beograd, por jo diçka të tillë.

Presidenti i Serbisë, i cili disa herë ka potencuar që Serbia nuk mund të luftojë me Paktin NATO në Kosovë  (Misionin e KFOR-it), dhe që nuk mund ta kthejë me dhunë Armatën e Serbisë në Kosovë, përdori konceptet të cilat objektivisht, mund të klasifikohen si përgatitje të një lufte në re në këto anë të Ballkanit.

Shumë diplomatë perëndimorë pas këtij konstatimi do të theksonin menjëherë që luftë më nuk do të ketë këndejpari, që këto fjalë të Presidentit të Serbisë nuk duhet marrë ashtu si janë thënë  (apo, ndryshe, nuk duhet kuptuar seriozisht), apo, që e tëra është një tjetër show mediatik i Vuçiqit, i cili ka telashe të brendshme me kundërshtarët e Marrëveshjes për ecjen para drejt normalizimit të marrëdhënieve në mes të Kosovës dhe Serbisë, etj. etj.

Por, siç po del së paku në javën e fundit, duket që Presidenti i Serbisë vet është kundërshtari më i madh i kësaj Marrëveshjeje, se madje, sipas tij, ai asnjëherë nuk i ka dhënë mbështetje Propozimit Evropian  (ndryshe, ai këtë e ka bërë edhe publikisht, në një konferencë për shtyp në fund të janarit të këtij viti), dhe që poashtu, ai i ka paralajmëruar të gjithë diplomatët dhe politikanët perëndimorë me të cilët ka biseduar, që ky do ta zbatojë Marrëveshjen sipas kutit të interesit të Serbisë, gjithsesi, jo të tërën.

Ai pra, e portretizon, nëse mund të thuhet ashtu, Marrëveshjen në fjalë si një lloj të “Tavolinës suedeze”, gjegjësisht, ai vet do të përzgjedh çka do të zbatojë nga ky Akord.

Thënë troç, Vuçiqi do të këmbëngulë vetëm në implementimin e Neneve 7-të dhe 10-të Propozimit Evropian, që lidhen me komunitetin serb, trashëgiminë religjioze dhe kulturore, teksa për Nenet tjera  (apo, për nëntë nenet tjera), ai nuk është i interesuar: as sot, dhe as më pas.

Për këtë shkak, votimi i Serbisë kundër anëtarësimit të Kosovës në Këshillin e Evropës, nuk është, për lidershipin e Serbisë, shkelje e Nenit 4 të Marrëveshjes themelore, ndërsa vet Vuçiqi shumë herë në muajt e fundit ka nënvizuar që për Serbinë është “Vijë e kuqe”, apo, krejtësisht e papranueshme, hyrja e Kosovës në OKB.

Nënkuptohej pra që Serbia nuk do të ketë gjë kundër proceseve integruese euro-atlantike.

Por ja që doli që as këtu, Vuçiqi nuk e ka mbajt zotimin e tij.

Vuçiqi hoqi dorë në dhjetorin e vitit të kaluar nga barrikadat të cilat patën izoluar krejtësisht Veriun e Kosovës.

Tani, e ka sosë, siç po kuptohet gjithnjë e më shumë, që të prodhojë, sa më shumë që është e mundur, “Barrikada politike dhe diplomatike” për ta izoluar disi procesin e zbatimit të Marrëveshjes për ecjen para drejt normalizimit të marrëdhënieve në mes të Kosovës dhe Serbisë.

Me një qasje të këtillë të Presidentit të Serbisë, nëse lexohen seriozisht deklaratat e tij të cilat shpeshherë janë kundërthënëse njëra me tjetrën, mund të konstatohet qysh tash që ndërmarrja ndërkombëtare e krijimit të rrethanave shumë më të volitshme në raportet e Kosovës dhe Serbisë, ka hasur në pengesa të mëdha, të cilat kanë qenë deri diku të parashikueshme, por natyrisht, jo në këtë masë.

Megjithatë, Perëndimi nuk ka disponim, për shumë shkaqe, të konfrontohet me Presidentin e Serbisë. Do të përpiqet, sipas të gjitha gjasave, ta kthejë disi mbarë Vuçiqin, pos tjerash, duke mos i marrë seriozisht deklaratat e tij. /Klankosova.tv

Rrini të informuar mbi zhvillimet kryesore duke u bërë pjesë e komunitetit tonë në Viber

BONUS: Merreni aplikacionin tonë në Android dhe iOS

lajme të ngjashme