Problemet strukturore në rrugën e ndërtimit të shtetit - Klan Kosova

Problemet strukturore në rrugën e ndërtimit të shtetit

123
string(12) "Ardian Gjini" string(65) "https://klankosova.tv/wp-content/uploads/2017/11/Ardian-Gjini.jpg"
6 years më parë

Kosova po ballafaqohet me probleme të shumta në rrugën e vet të stabilizimit të demokracisë dhe të ndërtimit të shtetit. Diskursi publik i shpjegimit dhe radhitjes së problemeve është gati njëqind për qind i natyrës subjektive dhe “puro politike”.

Për vite me radhë jemi duke debatuar se kush është i korruptuar e kush jo. Se a është e gjithë “klasa politike” (një term adekuat vetëm për kohën e Shkollës së Kumrovcit) e tejkaluar. Kush e ka shkatërruar universitetin dhe kush administratën. Çfarë i kemi partitë politike dhe si i vjedhim zgjedhjet. Pse është Kuvendi ynë kaq i dobët dhe pse po shkon duke degraduar, etj.

Të gjitha këto debate janë tejet të rëndësishme. Ato së paku kontribuojnë në rritjen e transparencës dhe e rrisin nivelin e vëmendjes së publikut për dukuritë negative. Por këto janë të pamjaftueshme dhe, siç po shihet, përfundojnë pa efekt nëse nuk debatohet me qetësi dhe me përkushtim të sinqertë aspekti strukturor i problemeve në të cilat po hasim.

Pyetjet se a ka aranzhime kushtetuese të cilat kanë krijuar “fyt të ngushtë” në zhvillimin e demokracisë dhe të shtetit; apo, cilat janë aranzhimet e ligjit për zgjedhjet të cilat ndikojnë drejtpërdrejt në kualitetin e përfaqësimit dhe të legjislativit; apo edhe debati rreth legjislacionit për shërbimin civil – të gjitha këto po mungojnë seriozisht në debatin publik në Kosovë.

Është tepër evidente se të bëhet një analizë sipërfaqësore politike dhe të fyhen publikisht ata që nuk na pëlqejnë është më lehtë sesa të hyhet në analiza serioze shkencore. Por, po vjen një kohë kur është e domosdoshme që ne të fillojmë ta bëjmë hapin e radhës, qoftë si politikanë qoftë si analistë politikë, qoftë si punëtorë shkencorë dhe akademikë, të fillojmë të mendojmë edhe për problemet strukturore jo vetëm për ato subjektive.

Më duhet të theksoj se unë assesi nuk mendoj se duhet të ndalet debati i subjektivizuar. Të korruptuarit duhet të emërohen dhe keqbërësit duhet të dënohen. Por, paralel me diskursin ekzistues duhet të vendoset edhe ai i strukturor, sepse mendoj se deri tani duhet të jetë bërë e qartë për të gjithë se vetëm kacafytja subjektive nuk po shpie asgjëkund.

E unë si politikan po provoj që ta provokoj një debat, patjetër duke i pasur parasysh rreziqet e keqinterpretimit dhe abuzimit me ato që do t’i them, sidomos në këtë fazë të inercionit të rëndë në tendencën e antagonizimit me oponencën politike pa asnjë kriter.

 

Deputetë dhe Ministra

Në rrethana normale të funksionimit të një sistemi demokratik, parlamenti ekziston për dy arsye kryesore të rëndësisë së njëjtë: të bëjë ligje dhe ta mbajë qeverinë përgjegjëse. Ndërsa në Kosovë po krijohet përshtypja se Kuvendi ekziston ekskluzivisht që të bëjë të duken legjitime vendimet që i merr tjetërkush.

Janë disa arsye pse Kuvendi i Kosovës gjatë viteve të fundit është shndërruar krejt thjesht vetëm në “legjitimues” të vendimeve që merren diku tjetër, apo nga dikush tjetër, sesa në një trup demokratik ku merren vendime. Arsyet janë historike, “kulturale” dhe strukturore. Arsyet historike kanë të bëjnë kryesisht me historinë e shtetndërtimit në Kosovë, ato kulturale kanë të bëjnë kryesisht me relacionet shoqërore dhe me kulturën politike, ndërsa ato strukturore me aranzhimet kushtetuese dhe ligjore të adoptuara me shpalljen e pavarësisë. Padyshim, janë këto të fundit ato të cilat do të provoj t’i shtjelloj.

Fillimisht, Kuvendi, de jure është organi më i lartë përfaqësues. Deputetët janë të zgjedhurit e popullit dhe e fitojnë mandatin pas certifikimit të zgjedhjeve, duke supozuar se procesi zgjedhor ka qenë legjitim. Por, Kuvendi pëson ndryshim thelbësor në momentin që votohet Qeveria. Dhe ky ndryshim në vete është një problem i madh në funksionimin institucional në një demokraci parlamentare.

Në gjysmën e dytë të vitit 2007 dhe në muajt e parë të vitit 2008, kur po finalizoheshin provizionet kryesore të Kushtetutës së Kosovës, edhe në mbledhjet e Komisionit Kushtetues ku isha anëtar, por edhe publikisht, e kam ngritur zërin kundër “aranzhimit” kushtetues se “Deputetët e Kuvendit nuk mund të jenë anëtarë të Qeverisë” (me qëllim që të tingëllojë sa më kuptueshëm e shkrova një version të parafrazuar e jo nenin taksativ të Kushtetutës, por esenca e plotë është kjo).

Përkufizimi më i thjeshtë dhe më i saktë i relacionit në mes legjislativit dhe ekzekutivit në demokracitë parlamentare, në sensin Weberian, thotë: legjislativi nga radhët e veta e zgjedh ekzekutivin. Dhe kështu është në të gjitha demokracitë parlamentare, qofshin republika ose monarki.

Në Kosovë, Kryeministri dhe Ministrat duhet ta dorëzojnë mandatin e fituar me zgjedhje popullore, në momentin që zgjedhen anëtarë të kabinetit. Arsyeja e vendosjes së një provizioni të tillë ka qenë, pa asnjë dilemë, krijimi i më shumë funksioneve politike dhe lehtësimi i vendimmarrjes fillestare të udhëheqësve institucionalë. Por, në esencë ka qenë diletantizëm kushtetues dhe joseriozitet shtetformues. Fundja, shumë provizione kushtetuese të formësuara gjatë fillimvitit 2008 kanë qenë kompromise në mes Presidentit dhe Kryeministrit. E vërteta është se efektet e këtij provizioni janë të gjitha negative.

Së pari, është evidente që në shumicën dërrmuese të rasteve, njerëzit më me peshë që kanë fituar më së shumti vota nga të zgjedhurit në Kuvend do të emërohen ministra. Në këtë mënyrë, ata që janë zgjedhur e dorëzojnë mandatin dhe në vend të tyre ulësen e përfaqësuesit e marrin ata që nuk janë zgjedhur. Kuvendi, e sidomos partitë në pushtet, mbeten plotësisht me ata që i quajnë “backbenchers”. Si rrjedhojë, kualiteti i legjislativit bie.

Së dyti, domosdoshmërisht bie edhe kualiteti i ekzekutivit. Kjo ndodh për shkak se përderisa Kryeministri është shef i ekzekutivit dhe padyshim se ai e mban të drejtën që t’i emërojë dhe t’i shkarkojë ministrat e kabinetit, ata ministra të cilët e kanë dorëzuar mandatin e fituar nga populli me meritë janë kryekëput në duart e Kryeministrit. Pavarësisht sa popullorë mund të kenë qenë apo sa vota i kanë fituar, karriera dhe e ardhmja e ministrave mund të përfundojë me një nënshkrim në letër.

Kërcënimet për riformatim të Qeverisë që përsëriten gjatë cilësdo periudhë ekzekutive në Kosovë janë sinjal i pastër i “disiplinimit” të ministrave që mund të kenë mendim të vetin. Edhe ata pak ministra të cilët mund të kenë fuqi politike e marrin atë jo për shkak të mandatit të fituar nga populli, sepse atë e kanë dorëzuar, por për shkak të lidhjeve të “shkurtra” parapolitike ose të natyrave tjera jodemokratike. Kjo situatë assesi nuk ndihmon në ndërtimin dhe zhvillimin e lidershipit demokratik afatgjatë. Kjo situatë vetëm sa e thellon kulturën konformiste dhe disiplinën vazaliste joparimore.

Së treti, meqenëse siç e përmenda më lartë, e gjithë pesha politike e një koalicioni vendoset në ekzekutiv, Kuvendi shndërrohet në një mekanizëm për legjitimimin, ose edhe më keq – për implementimin e vendimeve të Qeverisë. Kjo situatë domosdoshmërisht i rrit tensionet në Kuvend dhe rreth tij. “Shefat” i marrin vendimet jashtë Kuvendit, ndërsa ky i fundit duhet t’i legjitimojë ato pa përjashtim me urdhër të “shefave”. Dhe cinizmi kulmon kur “shefat” deklarohen se “këto kanë qenë vendimet e Kuvendit”.

Kështu dalëngadalë, Kuvendi i Kosovës është shndërruar në një institucion qesharak dhe pasojat nuk i bartin deputetët veç e veç, por shteti dhe populli.

Në demokracitë tjera parlamentare, shumica dërrmuese e ministrave janë edhe përfaqësues në Parlament ndërsa Kryeministrat pa përjashtim. Për çfarëdo legjislacioni, apo për çfarëdo marrëveshje, edhe ata votojnë në Parlament.

Në asnjë demokraci parlamentare, qoftë republikë unitare, federale, ose monarki parlamentare, nuk ka provizion të tillë. Përkundrazi, ka raste kur nuk është e paakceptueshme që një anëtar kabineti të mos jetë edhe përfaqësues në Parlament. Dikush e ka propozuar një eksperiment në sistemin tonë dhe ata që kanë menduar vetëm për mandatin e vet e kanë “hëngër karremin” dhe tani po i vuajmë pasojat.

Në fund, në asnjë mënyrë unë nuk po them se ky aranzhim kushtetues është problemi i vetëm e as më i madhi në rrugën e shtetndërtimit në Kosovë, por padyshim se është ndër problemet e mëdha strukturore dhe duhet të përmirësohet.

Kjo kolumne është shkruar pë Klan Kosovën.