Prioritetet e Qeverisë së Kryeministrit Kurti - Klan Kosova


Na ndiqni në:


Get it on Google Play Download on the App Store

Prioritetet e Qeverisë së Kryeministrit Kurti

123
string(12) "Blerim Shala" string(82) "https://klankosova.tv/wp-content/uploads/2017/05/Blerim-Shala-1-e1620736305698.jpg"
06.03.2021 11:07
Votuesit e Kosovës e kanë zgjedhur Albin Kurtin Kryeministër të Qeverisë së Republikës së Kosovës dhe jo lider mbarëkombëtar të shqiptarëve.

Albin Kurti, Kryeministri i ardhshëm i Qeverisë së Kosovës, të thuash menjëherë pas fitores së madhe të Lëvizjes ‘Vetëvendosje’ në zgjedhjet parlamentare të 14 shkurtit, është shfaqur i gatshëm, në një bashkëbisedim real dhe virtuel me diplomacinë perëndimore, të justifikojë prioritetet e qeverisjes së tij, dhe vendin që ka dialogu i Brukselit në kuadër të këtyre prioriteteve.

Ky elaborim i Kryetemave të Planit të tij qeverisës, pos tjerash, ishte reagim i Kurtit edhe ndaj qëndrimeve të njohura dhe të pritura të Washingtonit dhe Brukselit, ku vazhdimi (sa më parë që është i mundur) i dialogut në Bruksel, në mes të autoriteteve më të larta të Prishtinës dhe Beogradit, është spikatur si një interes i përbashkët i SHBA-së, BE-së, i Kosovës dhe i Serbisë.

Renditja e prioriteteve qeverisëse, sipas Kryeministrit në ardhje, është reflektim i ‘nervit popullor’ të prezentuar në hulumtimet e opinionit. Në këto matjet e disponimit dhe interesimeve të qytetarëve të Kosovës, sipas Kurtit, dialogu (me Serbinë), del të jetë prioritet i gjashtë apo i shtatë, teksa ky, në shprehje të vullnetit të tij të mirë për t’i marrë parasysh synimet e Washingtonit dhe Brukselit, e ka avancuar dialogun në disa vende më lartë, duke e ranguar atë në vendin e katërt.

Treshi i prioriteteve kryesore të Qeverisjes Kurti përbëhet prej: punësimit, drejtësisë, pandemisë (marrjes me pasojat nga Covid-19).

Kryeministri në ardhje Kurti këmbëngul në një lexim të këtillë të obligimeve që do të ketë ai pas disa javësh kur edhe zyrtarisht do të bëhet Zyrtari kryesor në shtetin e Kosovës, pos tjerash, sepse pohon që kjo renditje e prioriteteve i ka sjellë atij fitoren bindëse në zgjedhjet e teta parlamentare në historinë e demokracisë parlamentare në Kosovë.

Në të vërtetë, thuaja të gjitha partitë tona kryesore në vend, janë përputhur plotësisht me Lëvizjen ‘Vetëvendosje’ në këtë aspekt. Që nga zgjedhjet parlamentare të muajit qershor të vitit 2014, politikanët dhe partitë kosovare gati të gjithë vëmendjen politike e kanë lidhur me temat sociale dhe ekonomike, me sundimin e ligjit, me perspektivën euroatlantike të vendit. Diçka e tillë edhe ka qenë e pritshme, pasiqë tashmë kishte kaluar ajo ‘zjarrmia’ e shkaktuar me arritjen e qëllimit kryesor të Lëvizjes politike shqiptare që nga fillimvitet e nëntëdhjeta, për bërjen e Kosovës shtet të pavarur.

Fitorja e këtillë, e pashoq e një lideri politik dhe e një partie (që prej se tek ne mbahen zgjedhjet e lira dhe demokratike), çfarë ndodhi pak javë më parë, ka pak të bëjë me atë çfarë Kurti dhe Lëvizja ‘Vetëvendosje’ kanë premtuar çka do të bëjnë tash e tutje duke i prirë Kosovës, apo, ka të bëjë shumë më tepër me atë çfarë nuk ka bërë kjo parti tash e sa vjet në skenën politike të vendit, duke mos qenë fare pjesë e pushtetit qendror të Kosovës, me atë përjashtimin e atyre njëqind ditëve të vitit të kaluar (2020), të cilat edhe ashtu mbahen në mend jo për temat konkrete qeverisëse, por për atë temën e dialogut të Kosovës dhe Serbisë, që zatën, pas asaj përplasjesje me Administratën e Presidentit Trump, pati si pasojë rënien e Qeverisë Kurti.

Sidoqoftë, renditja e kësisojt e prioriteteve qeverisëse të Kryeministrit të ardhshëm të Qeverisë së Kosovës, nuk ka dhe nuk mund të ketë relacione të përjashtimit të akëcilit prej tyre, teksa një përcjellës i vëmendshëm i zhvillimeve politike në Kosovë dhe në Evropë, e di mirë madje që ekzistojnë relacione të varëshmërisë të drejtpëdrejtë në mes të këtyre prioriteteve.

Nuk ka hierarki të prioriteteve e cila shfaqet në atë mënyrë, sipas të së cilës, ta zëmë, nuk mund të kalohet në prioritetin Nr.4, në atë që lidhet me zhvillimin e bisedimeve në Bruksel, pa i përmbushur në plotëni këto tri prioritetet e para të Qeverisjes Kurti, që përkojnë me punësimin, drejtësinë dhe pandeminë.

Qeveria e ardhshme e Kosovës pra mund dhe duhet të merret njëkohësisht me këto prioritete, të cilat, zatën, janë reflektim jo vetëm i interesimeve të qytetarëve të Kosovës, por po ashtu, janë pasqyrim i përbërjes së Qeverisë së Kosovës (me të gjitha Ministritë që i ka kjo Qeveri).

Pra, Kryeminstri Kurti dhe Qeveria e tij, do të mund të merren njëkohësisht me përmirësimin e rrethanave politike, ekonomike dhe juridike, për të mundësuar investimet direkte nga jashtë dhe zhvillimin e sektorit privat në Kosovë (të cilat do ta ulin ndjeshëm papunësinë), me fuqizimin e rendit dhe ligjit, por edhe me dialogun në Bruksel dhe avansimin e proceseve të integrimeve evro-atlantike, të cilat janë aktualisht në një status të ngrirjes së plotë, ku hisen më të madhe për këtë gjendje e ka BE-ja dhe jo vet Kosova (secilit na bie ndërmend këtu se si po trajtohet Kosova, në mënyrën më të padrejtë të mundshme, në çështjen e Liberalizimit të vizave).

Nëse në mesin e këtyre prioriteteve të Qeverisë së ardhshme, do të duhej spikatur njërin prej tyre që ka atë tiparin e urgjencës, pa kurfarë dyshimi, ai ka të bëjë me marrjen me pasojat shëndetësore dhe sociale të Pandemisë, e cila për pak ditë (me 13 mars), do të hyjë në vitin e dytë në Kosovë.

Deri në këtë të shtune (6 mars), 1634 kosovarë kanë vdekur për shkak të këtij virusi, apo, mesatarisht, katër qytetarë kanë vdekur në ditë.

Dëmet sociale dhe ekonomike maten me qindra miliona euro, teksa dihet që Kosova është shteti i vetëm në rajon, i cili ende nuk e ka siguruar asnjë vaksinë të vetme për të nisur atë ndërmarrjen masive të krijimit të imunitetit për popullatën e Kosovës.

Në këtë aspekt pra, qysh tash, kur Albin Kurti dhe Qeveria e tij ende nuk e kanë siguruar atë mbështetjen formale të Kuvendit të Kosovës, qytetarët e Kosovës me siguri do të mirëprisnin prezentimin nga Kryeministri në ardhje i Kosovës, të Planeve të tij për ta ndryshuar, për të mirë, mënyrën se si Kosova po e menaxhon Pandeminë, teksa nuk ka shenja të mira që deri në fund të këtij viti, do të mund të vaksinohej diku 70-80% e popullatës, për ta siguruar atë imunitetin kolektiv.
Pastaj, dihet fare mirë që përkeqësimi i gjendjes me Covid-19, i javëve të fundit në Kosovë, ka si burim të vetin primar fushatën parazgjedhore, kur askush prej garuesve për të marrë mandatet në Kuvendin e Kosovës, nuk pati respektuar masat në luftimin e këtij virusi.

Në anën tjetër, Kryeministri i ardhshëm i Kosovës, me qëndrimin e tij disaditësh në Shqipëri gjatë kësaj jave, ku në masë të madhe u mor me promovimin e kandidatëve të Lëvizjes ‘Vetëvendosje’ në zgjedhjet parlamentare të 25 prillit në Shqipëri, mëdyshi më shumë se kushdo tjetër vetë qëndrimin e tij për prioritetet e qeverisjes së tij, bazuar në matjet e opinionit publik në Kosovë.

Pjesëmarrja e drejtëpërdrejtë e Albin Kurtit në zhvillimet politike në Shqipëri, edhe pse ende nuk ka marrë formalisht mandatin e Kryeministrit të Kosovës, jo që nuk ka të bëjë gjë me prioritetet e Qeverisë së tij në ardhje (bazuar në Listimin që ky vet e ka bërë tash e sa ditë), por nuk është fare preokupim i qytetarëve të Kosovës.

Votuesit e Kosovës e kanë zgjedhur Albin Kurtin si Kryeministër të Qeverisë së Republikës së Kosovës, dhe jo si Lider mbarëkombëtarë të shqiptarëve. Ata presin prej tij që 24/7 të merret me problemet e Republikës së Kosovës, me Agjendën e zhvillimit të Kosovës, e jo me përbërjen e ardhshme të Kuvendit të Republikës së Shqipërisë.

lajme të ngjashme