Na ndiqni në:


Get it on Google Play Download on the App Store

Prej kujt po mbrohet Serbia?

123
string(12) "Blerim Shala" string(82) "https://klankosova.tv/wp-content/uploads/2017/05/Blerim-Shala-1-e1620736305698.jpg"
nga Blerim Shala 15.04.2022 08:57
Blerim-Shala

Nuk ka kush, mbase, në këto anë (të Evropës), që nuk e ka të njohur atë thënien namëmadhe të Winston Churchill-it, sipas të së cilës Ballkani prodhon më shumë histori se sa që mund ta konsumojë.

Megjithatë, duket që ky është njëri prej mendimeve të rralla të këtij politikani dhe mendimtari anglez, i cili nuk është i qëndrueshëm. Apo, thënë ndryshe, ballkanasit kanë prodhuar aq histori, sa kanë qenë të udhëzuar apo të këshilluar prej shteteve të mëdha të Evropës, gjithnjë, në vijim të orientimeve të tyre strategjike dhe gjeopolitike.

Në këtë kontekst, ballkanasit, në përgjithësi, nëse mund të thuhet ashtu, kanë qenë ‘nën-kontraktor’ të shteteve kryesore evropiane, për t’i kryer punët e tyre në këtë pjesë të Evropës, gjithnjë në përmbushje të interesave të këtyre shteteve.

A nuk ka qenë kështu kur shteti i atëhershëm i Serbisë, në vitin 1914 organizoi në Sarajevë vrasjen e Franc Ferdinandit, trashëgimtarit të Perandorisë Austro-Hungareze, e cila hapi dyert e ferrit të Luftës së Parë Botërore?

Serbia nuk do të hynte në këtë dyluftim me Austro-Hungarinë, pa përkrahjen e madhe financiare dhe diplomatike të Francës së asaj kohe, dhe pa mbështetjen e parezervë politike të Rusisë.

Dihet çka ndodhi më pas.

Shembuj të kësisojt të cilët vënë në dyshim qëndrueshmërinë e thënies së Churchillit, ka sa të duash në Ballkan.

Duket se e vetmja periudhë kur në këto anë u prodhua historia, dhe atë me bollëk të përgjakshëm, ishte ajo që lidhet me luftërat e njëpasnjëshme të cilat përcollën shpërbërjen e paevitueshme të RSFJ-së. Në një vakum të historisë, i cili ishte pasojë e ngadhnjimit të papritur të Perëndimi, pa shkrepur një të vetmin fishek, në ‘Luftën e Ftohtë’ ndaj Bashkimit Sovjetik dhe Komunizmit, Serbia e Slobodan Miloševićit u mundua që të krijojë një histori të veten (serbe), duke i vizatuar kufijtë me fishek dhe me mortaja. Por ky prodhim i historisë nga Serbia, ishte para dhe mbi të gjitha rezultat i abstenimit nga historia i Evropës së bashkuar, e cila iu kthye, në masë të madhe, Skemave të Luftës së Parë Botërore në trajtimin politik të një lufte e cila dihej që nuk do të mund të bartej tej kufijve të shtetit që nuk ekzistonte më.

Po të mos ishte SHBA-ja, nuk e di kush edhe sa do të zgjasnin luftërat në ish-Jugosllavi.

Sidoqoftë, me përfundimin e Luftës në Kosovë (në vitin 1999), Serbisë iu mor e drejta, apo ‘licenca’ e prodhimit të historisë. Ballkani Perëndimor (siç u quajt më pas), duhej të paqëtohej një herë e përgjithmonë.

Në rrethanat që në Evropë mbretërojnë që nga 24 shkurtit të këtij viti, kur Rusia e Vladimir Putinit invadoi Ukrainën, duket që edhe më shumë do të konfirmohet fakti që këto vise gjeografike dhe politike të Evropës, nuk kanë si t’i ikin konkludimit që do të jenë konsumuese të plota të një historie të re që po krijohet këto ditë dhe javë në përplasjen e madhe në mes të Perëndimit dhe Rusisë.

Ballkani Perëndimor nuk ka si t’i ikën fatit që të bëhet pjesë e Bashkimit Evropian, dhe në masë të madhe (pos Serbisë), edhe pjesë e Aleancës Veri-Atlantike. Duket që për këtë epilog politik të betejave politike, ekonomike dhe të sigurisë në mes të Perëndimit dhe Lindjes (lexo: Rusisë dhe Kinës), nuk dyshon më kush në kryqendrat e Evropës dhe në SHBA.

Në këtë kontekst, është vështirë të merret vesh çka dëshiron të mbërrijë Serbia e Aleksandar Vučićit, me armatimin e vazhdueshëm të cilin po e siguron nga po mundet.

Duket që lideri serb në këtë mënyrë, me gjithë këtë armatim, si edhe me atë politikën e deritashme ‘Edhe BE-ja, edhe Rusia’, po mundohet me mish e me shpirt të dëshmojë që Serbia ende ka kapacitete për të prodhuar histori, apo, për të qenë një faktor relevant në Ballkanin Perëndimor.

Presidenti i Serbisë po thotë që kjo armatosje ka synime ekskluzivisht mbrojtëse, por pyetja e cila natyrshëm i qepet këtij konstatimi të tij është kjo: Prej kujt Vučić po mbrohet? Kush mund ta rrezikojë aq shumë sigurinë dhe madje, sovranitetin territorial Serbisë?

Serbia kufizohet thuaja në të gjitha anët nga shtetet që janë pjesë e Paktit NATO. Kroacia, Hungaria, Rumania, Bullgaria, Maqedonia e Veriut dhe Mali i Zi, janë në NATO. Misioni i KFOR-it në Kosovë është ndërmarrje ushtarake dhe politike e Aleancës Veri-Atlantike.

Vetëm Bosnja dhe Hercegovina nuk është në NATO, dhe atë, pikëspari për shkak të rezistencës së entitetit serb (Republika Srpska-s), për të mundësuar anëtarësimin e këtij shteti në NATO.

Sidoqoftë, NATO është garant i sigurisë dhe i stabilitetit në Ballkan.

Rregullimi i marrëdhënieve të Serbisë me shtetet fqinje, ku këtu prioritet absolut do të duhej të kishte Marrëveshja Gjithpërfshirëse për normalizimin e marrëdhënieve të Serbisë me Kosovën, është investimi më i mirë, më i mençur dhe shumë më i lirë, se sa armatosja që kushton miliarda euro, teksa efektet e saj janë ditore.

*Klikoni KËTU për t´u bërë pjesë e kanalit zyrtar të Klan Kosovës në Viber.

*Klikoni KËTU për ta shkarkuar aplikacionin e Klan Kosovës në Android, dhe KËTU për iOS.

lajme të ngjashme