Pragu kombëtar është diskriminues, pa korrektim kombëtar - Klan Kosova

Pragu kombëtar është diskriminues, pa korrektim kombëtar

string(9) "Mero Baze" string(168) "https://klankosova.tv/wp-content/uploads/2018/03/mero-baze-ibrahim-rugova-shqiptari-i-par-euml-q-euml-s-rsquo-u-p-euml-rkul-te-varri-i-enver-hoxh-euml-s_hd-1200x630.jpg"
1 muaj më parë

Një nga pikat e nxehta të propozuara në draftin e Partisë Socialiste për ndryshime në Kodin Zgjedhor, është pragu kombëtar 3 për qind. Kjo nënkupton, që një parti të llogaritet si pjesë e subjekteve për të cilat duhet të ndahen mandatet, duhet të marrë 3 për qind të votave në gjithë Shqipërinë.

Në kushtet kur Shqipëria ka sistem zgjedhor propocional rajonal dhe jo kombëtar, kriteri i pragut kombëtar deformon sistemin dhe krijon disa probleme serioze.

Problemi më serioz është se kjo shkatërron partitë e reja dhe partitë që kanë elektorat krahinor, komunitete etnike dhe historike.

Fjala vjen, Partia e të Drejtave të Njeriut ka elektorat në dy ose tre qarqe, Vlorë, Gjirokastër dhe Korçë. Madje në asnjë prej këtyre qarqeve ajo nuk ka ende prova, që ka mandat sa për një deputet.

Nëse asaj i vendos prag kombëtar 3 për qind, ajo nuk hyn kurrë në Parlament. Njësoj mund të thuhet për partinë e komunitetit çam, e cila po ashtu është e shpërndarë në dy ose tre qarqe.

Ky është problemi i parë që ka të bëjë me identitetet politike, bazuar tek origjina etnike apo historike.

Problemi i dytë ka të bëjë me partitë e reja. Një parti e re që do të hyjë në zgjedhje, jo doemos është një parti kombëtare. Ajo mund të jetë e suksesshme në Tiranë, apo në Vlorë dhe Shkodër, dhe mund të kapë në këto qarqe vota të mjaftueshme për një deputet, por ajo penalizohet me këtë prag, nëse nuk arrin të marrë 70 mijë vota në gjithë Shqipërinë.

Ky është diskriminim i qëllimshëm dhe lë në lojë vetëm dy aktorët e vjetër të politikës shqiptare. Në kushtet kur Rama thuajse nuk ka aleatë të vegjël rrotull vetes, ky prag favorizon Lulzim Bashën, pasi detyron çdo parti të vogël opozitare të shkojë me të dhe të kërkojë strehë tek lista e tij. Nëse është pazar i PS për Bashën, është i dëmshëm dhe për demokracinë, por dhe për PS.

Problemi i tretë është kandidati i pavarur, që mund të paraqitet në zgjedhje. Ai mund të konkurrojë vetëm në një qark dhe nuk është e qartë se si do të mund të konkurrojë ai në 12 qarqe, që të marrë mbi 70 mijë vota. Nëse ai i merr teorikisht  70 mijë vota në një qark ku konkurron, ai duhet të marrë 6 deputetë, por në fakt është vetëm një kandidat.

Problemi i katërt, por më i rëndi për nga diskriminimi, është se funksionojnë dy pragje, ai rajonal dhe kombëtar. Dhe të dyja pragjet janë vetëm diskriminues ndaj subjektit, dhe jo kompensuese.

Në Kodin aktual ekziston pragu 3 për qind për një zonë zgjedhore, pra për një qark, kur një parti garon e vetme dhe 5 për qind kur garon në koalicion.

Qarku i Tiranës e ka gati baraz pragun kombëtar me atë lokal. Kjo bëri që Ben Blushi apo Shpëtim Idrizi më 2017 të merrnin vota për një deputet në Tiranë, por të digjeshin nga pragu lokal. Kjo ka kuptim.

Por nëse do të shtosh dhe pragun kombëtar, ky diskriminim thellohet, pasi fjala vjen, Patozi apo Murrizi, mund të marrin në rast suksesi teorik, secili nga dy deputetë në Tiranë, ata mund të digjen nëse nuk marrin 3 për qind në gjithë Shqipërinë.

Në këto kushte kur përdoret pragu kombëtar, duhet të ketë korrektim propocional kombëtar, që nënkupton të kundërtën, që ty të llogaritet çdo votë që ke marrë në gjithë Shqipërinë dhe të të konvertohet në mandat.

Kështu ka kuptim të ketë prag kombëtar, kur i njeh votat në gjithë vendin. Por në këtë mënyrë si është propozuar, i bie që ligji të të djegë çdo votë që ke marrë në qarqet që nuk bën vota për një deputet dhe nga ana tjetër të ta heqë dhe atë deputet që ke, nëse s’ke kapur pragun kombëtar.

Ky është një diskriminim i dyfishtë, i cili ose duhet hequr, siç është premtuar në fillim të bisedimeve, ose duhet kompensuar me korrektim kombëtar të mandateve.(Botuar në Gazetatem).