Na ndiqni në:


Get it on Google Play Download on the App Store

Porosia e madhe e Presidentit Biden

123
string(12) "Blerim Shala" string(82) "https://klankosova.tv/wp-content/uploads/2017/05/Blerim-Shala-1-e1620736305698.jpg"
nga Blerim Shala 02.08.2021 16:43

‘Shtetet e Bashkuara do të mbeten partneri i palëkundur i Kosovës në këtë drejtim’.

Mbase, kjo është fjalia kyç e Presidentit të Amerikës, Joseph Biden, në adresimin e tij për Presidenten e Kosovës, Vjosa Osmanin dhe të gjithë qytetarët e Kosovës, në përgjigjen e tij ndaj vendimit të Presidentes Osmani për t’ia dhënë, post-mortum Beau Bidenit, të birit të tij, medalen për kontributin e tij në ndërtimin e sistemit të drejtësisë në Kosovë.

Nuk ka dyshim që ky qëndrim i Presidentit Biden, do t’i bënte të lumtur dhjetëra shtete anëkënd Botës, të cilat janë më të mëdha se Kosova, më të pasura dhe më të fuqishme se Kosova, edhe me një traditë shumë më të gjatë të ekzistencës së tyre si shtete të pavarura.

Gjithashtu, nuk ka fare dyshim që Presidentja Osmani, dhe liderët institucional të Kosovës, bënë një veprim të drejtë dhe të mençur, në respektim të Beau Bidenit, i cili (veprim) realisht, bashkon gjithë skenën politike në vendit, ndryshe të ndarë pikë e pesë për të gjitha çështjet e tjera, si dhe të gjithë qytetarët e Kosovës.

Edhe pse e kaluara e shtatë-tetë viteve të fundit, në këto raportet e Kosovës  (thënë më sakt, skenës politike të saj), me Amerikën, njeh edhe kapitujt problematik të mosmarrëveshjeve evidente  (tema e shenjimit të kufirit të Kosovës me Malin e Zi, pastaj, mënyra se si u menaxhua puna e tarifës në produktet nga Serbia dhe Bosnja dhe Hercegovina), marrëdhëniet e Kosovës me SHBA-në, për ne të gjithë, kanë një prioritet absolut, kanë veçori jetike dhe strategjike.

Liria e Kosovës, që mbërriti këtupari në qershorin e vitit 1999, dhe shteti i Kosovës, i shpallur në shkurtin e vitit 2008, kanë autorësi të qartë amerikane, nga ky aspekti ndërkombëtarë.

Kjo është një e vërtetë e pamohueshme.

Ndryshe, Adresimi i Presidentit Biden me këtë rast, ishte i pazakontë për një President Amerikan, sepse ishte një ngërthim i aspekteve personale, të relacionit të tij me të birin, pastaj, të marrëdhënieve të Beau Bidenit me Kosovën, të krijuara me një motiv të pastër të përkrahjes së një populli të cilit e ardhmja i ishte mohuar aq gjatë  (si thotë Presidenti Biden), por gjithsesi, Presidenti Biden e shfrytëzoi këtë rast shumë të veçantë, që t’i artikulojë edhe disa porosi për Kosovën.

Në këtë kontekst, duket që qasja e Presidentit Biden karshi historisë së Kosovës në 22 vitet e fundit, apo prej çlirimit e këndej, si dhe ajo që spikatë sprovat kryesore me të cilat ballafaqohet shteti i Kosovës, është më e ndershmja, më e sinqerta, më e sakta.

Biden, në një pjesë të adresimit të tij, thekson: ‘Kësisoj, duke pranuar këtë çmim në emër të djalit tonë, dua të vlerësoj dhe ta duartrokas përparimin e jashtëzakonshëm që Kosova ka bërë gjatë njëzet vjetëve të fundit’.

S’do mend që të gjithë ne që mbetëm gjallë dhe dolëm fitues në Kosovën e pranverës tragjike të vitit të dytë të luftës  (në vitin 1999), pas një skëterre të përjetuar përditë në vitet e nëntëdhjeta nga regjimi i Serbisë i Slobodan Miloševićit, kemi menduar që të gjithë ne, të sapodalë nga një ferr, do të jemi në gjendje ta shndërrojmë Kosovën në Parajsë politike, ekonomike dhe shoqërore.

Mendonim që nuk ka kush të na ndalë, kur u bëmë të lirë.

Zhvillimet e mëpasme në vend, shfaqën një mori të metash organizative dhe politike, kolektive dhe individuale, të cilat ishin të pavërejtshme, mbase, edhe të pazhvilluara ende  (në vitet e okupimit), sepse atëherë prioritet absolut i të gjithë neve ishte çlirimi i Kosovës.

Megjithatë, realisht, Kosova e vitit 2021, kur të krahasohet me atë Kosovën e sapodalë nga lufta e rëndë që rrafshoi thuaja gjysmën e shtëpive të banimit në vend, me të gjitha ato plagë të luftës, me mbi 12 mijë viktima, del që ka arritur një përparim të jashtëzakonshëm të cilin e thekson Presidenti Biden në Adresimin e tij.

Ndërsa bëhet fjalë për Joseph Bidenin, i cili ka vizituar shpesh Kosovën, edhe në periudhat më të rënda, edhe në vitet e lirisë dhe të pavarësisë, në kapacitete të ndryshme, (senator dhe Zëvëndës-President i SHBA-së), dhe i cili është një njohës i jashtëzakonshëm i Kosovës, dhe një dashamir i pashoq i Kosovës në Administratën e sotme të SHBA-së.

Në anën tjetër, në këtë adresimin e tij, Biden shton edhe këto porosi: ‘Ka ende shumë punë për t’u bërë, nuk kam nevojë të ju them. Më shumë punë për ta luftuar korrupsionin, për të mbrojtur të drejtat e pakicave etnike dhe fetare. Për të ndërtuar marrëdhënie pozitive me kombet fqinje dhe për të forcuar zhvillimin ekonomik’.

Këto janë këshilla me vend të një miku të madh të Kosovës, dhe secila prej tyre, trajton problemet mbizotëruese të brendshme, rajonale dhe ndërkombëtare të Kosovës.

Ndërsa në shqyrtimin dhe zgjidhjen e tyre, Kosova, autoritetet e saja, politika e saj, mbi të gjitha qytetarët e saj, siç nënvizon Presidenti Biden, mund të llogarisin në mbështetjen e palëkundur të Amerikës.

Kosova është e bekuar me miqësinë që ka me Amerikën.

Kjo është një tjetër e vërtetë e pamohueshme.

 

 

 

*Klikoni KËTU për t´u bërë pjesë e kanalit zyrtar të Klan Kosovës në Viber.

*Klikoni KËTU për ta shkarkuar aplikacionin e Klan Kosovës në Android, dhe KËTU për iOS.

lajme të ngjashme