Popullizmi dhe Demokracia - Klan Kosova

Popullizmi dhe Demokracia

123
string(12) "Blerim Shala" string(67) "https://klankosova.tv/wp-content/uploads/2017/05/Blerim-Shala-1.jpg"
2 javë më parë

Elementet populliste janë ende të pranishme në politikën kosovare, me refuzimin për ta njohur realitetin politik në Kosovë, si dhe për t’i kuptuar rrethanat në rajon, në BE dhe në Amerikë.

Ishin këto skena dhe pamje tronditëse, me të vrarë dhe të plagosur, mbase, të paimagjinueshme për demokracinë amerikane, të cilat ndodhën të mërkurën, me 6 janar, në Capitol Hill, në Washington.

Hyrja me dhunë në ndërtesën ku ndodhen Kongresi, Senati i SHBA-së, dhe Gjykata Supreme, kacafytja me policinë, kthimi përmbys i orendive, të gjitha këto u bënë me qëllim që të pamundësohet konfirmimi final i Joseph Bidenit si Presidenti i ri i Amerikës me votën formale në Kongres dhe në Senat. 

Dihet që Presidenti i deritashëm, Donald Trump, asnjëherë në mënyrë të qartë dhe të plotë nuk ka pranuar disfatën në zgjedhjet presidenciale, gjegjësisht, në vazhdimësi ka theksuar që zgjedhjet janë manipuluar, apo që atij në të vërtetë i është vjedhur fitorja.

Sidoqoftë, një deklarim në rrjetet shoqërore (në twitter), i ish-Ambasadorit të SHBA-së në Kosovë, Greg Delawie,  (i cili shërbeu në Prishtinë në vitet 2015-2018), bëri që kjo ngjarje e rëndë në Washington, të kontekstualizohet edhe në këtë ambientin qyshmoti të çoroditur politik të Kosovës. 

Delawie tërhoqi një paralele midis tabllove të mbrapshta politike në Washington, në janarin e këtij viti dhe të atyre, në Kuvendin e Kosovës (në vjeshtën e vitit 2015), kur thuaja nuk pati asnjë seancë të vetme të Kuvendit, pa tensione të mëdha, pa dhunë, pa gaz lotësjellës, pa përplasje.

Këto ngjarje do të vazhdonin edhe në dimrin e vitit 2016-të, për ta përjetuar një kulminacion në atë seancën maratonike të zgjedhjes së Hashim Thaçit, President i Kosovës.

Delawie nënvizoi qartë në këtë paraqitje të tij që këto zhvillime patën kërcënuar demokracinë në Kosovë. 

Demokracia dhe Popullizmi nuk shkojnë bashkë, apo, këtu kemi raporte të përjashtimit të qartë. 

Kështu është në Washington, pas zgjedhjeve presidenciale të nëntorit të vitit të kaluar, kështu ishte në Prishtinë, pas zgjedhjeve parlamentare në qershorit të vitit 2014, kur në vijim të një krize politike të verës së atij viti, ndodhi koalicioni qeverisës në mes të PDK-së dhe LDK-së, atëherë dy partive më të mëdha në vend.

E përbashkëta e këtyre dy rasteve përkon me refuzimin, brenda skenës politike, brenda organizimit politik në Amerikë dhe në Kosovë, për ta pranuar realitetin politik, i cili mbështetet në legalitetin dhe legjitimitetin.

Në politikën kosovare të asaj kohe, një pakicë parlamentare, me një qasje populliste dhe duke aplikuar dhunën si mjet, pati paralizuar Kuvendin e Kosovës dhe realisht, pati pamundësuar funksionimin e pushtetit në Kosovë. 

Preteksti për këtë sjellje të pakicës parlamentare u pati gjetur në Marrëveshjen për shenjimin e kufirit në mes të Kosovës dhe Malit të Zi  (gusht, 2015), dhe në Marrëveshjen për Parimet e Statutit të Asociacionit/ Bashkësisë së komunave me shumicë serbe në Kosovë  (gusht, 2015).

Presidenti i ri i Amerikës, Joseph Biden, në muajin gusht të vitit vijues  (2016-të), pati vizituar Kosovën, atëherë në cilësinë e Zëvëndës-Presidentit të SHBA-së  (në kohën kur Barack Obama ishte në mandatin e dytë të tij presidencial). Biden në takimin me autoritetet më të larta të Kosovës  (Presidentin Thaçi dhe Kryeministrin Mustafa), por edhe në prezentimin e tij para mediave, e bëri të qartë qëndrimin e tij që Kosova duhet t’i përmbushë detyrimet e veta ndërkombëtare të cilat ishin rezultat i Marrëveshjes me Malin e Zi për shenjimin e kufirit në mes të dy shteteve. Për më shumë, dihej që Ratifikimi i kësaj Marrëveshjeje ishte kriteri i fundit  (i 95-ti), për autoritetet e Kosovës, në mënyrë që të fitohej, për qytetarët e Kosovës, e drejta për të udhëtuar pa viza në Evropë. 

Ratifikimi i kësaj Marrëveshjeje do të ndodhë në rrethana të reja, shumë më të ndërlikuara në Bashkimin Evropian, në muajin mars të vitit 2018-të, teksa tema e Asociacionit/ Bashkësisë, siç dihet, është ende në tavolinën e bisedimeve midis përfaqësuesve të Prishtinës dhe Beogradit në Bruksel.

Pra, këto dy çështje që ishin shtytëse për një mësymje opozitare për ta përmbysur skenën politike në vend, dhe për të krijuar rrethana për organizimin e zgjedhjeve të reja parlamentare, (për imponimin e tyre), nuk u zhbënë dhe as nuk u tejkaluan si pasojë e këtyre ngjarjeve në Kuvendin e Kosovës dhe në sheshet dhe rrugët e Prishtinës, siç pretendohej në atë kohë. 

Sidoqoftë, politika kosovare sot e kësaj dite i vuan pasojat e asaj çorodie të madhe politike dhe shoqërore që na ndodhi në vitet 2014-2016-të. 

Ne humbëm rastin të thuash ideal për ta fituar Liberalizimin e vizave në vitet 2016, 2017, së bashku me Ukrainën, Gjeorgjinë dhe Moldavinë. 

Në anën tjetër, prej vitit 2017-të, kemi hyrë në një cikël të zgjedhjeve të shpeshta të parakohshme parlamentare  (tri palë zgjedhje në harkun kohor qershor 2017 – shkurt 2021, pra, në më pak se katër vjet tre herë do të votohet në Kosovë për përbërjen e Kuvendit të Kosovës), teksa në periudhën pranverë 2017 – pranverë 2021, do t’i kemi pesë Qeveri dhe pesë Kryeministra të Kosovës. 

Në realitet, politika kosovare asnjëherë nuk e pa të udhës të merret me shkaqet dhe pasojat e këtyre zhvillimeve të rënda në politikën kosovare.

Ato të thuash u harruan në plotëni, teksa ne bashkëjetojmë me pasojat e tyre sot e kësaj dite, mbi të gjitha sepse tiparet kryesore të politikës në Kosovë, ende kanë lidhje të forta me atë qasjen e përplasjeve të mëdha politike në vend, e cila na u shfaq në mënyrën më të qartë dhe më brutale të mundshme në vitet 2014-2016.

Poashtu, elementet populliste janë tutje të pranishme në politikën kosovare, me refuzimin për ta njohur realitetin politik, ekonomik, social në Kosovë, si dhe për t’i kuptuar rrethanat në rajon, në BE dhe në Amerikë, të cilat kanë ndryshuar shumë në vitet e kaluara.

Zgjedhjet e reja në Kosovë, të cilat do të mbahen me 14 shkurt, nuk do të sjellin farë ndryshimi për të mirë në këtë aspekt. Përkundrazi.