Politika e forcës dominuese - Klan Kosova


Na ndiqni në:


Get it on Google Play Download on the App Store

Politika e forcës dominuese

123
string(12) "Ardian Gjini" string(65) "https://klankosova.tv/wp-content/uploads/2017/11/Ardian-Gjini.jpg"
14.03.2016 11:05
Kur shteti ngërthehet nga politika e "Forcës Dominuese" të gjithë fillojnë t’i humbasin argumentet kundrejt populizmit.

…Sindromi më i zakonshëm në zonën e hirtë [të zhvillimit të demokracisë] është politika e “forcës dominuese” (dominant-power politics). Vendet në këtë zonë e kanë njëfarë lirie politike të limituar, e kanë një hapësirë politike për grupe opozitare, dhe e kanë shumicën e formacioneve institucionale demokratike.

Mirëpo, një grupim politik-qoftë lëvizje, parti, një familje e zgjeruar, ose një lider i vetëm-e dominon sistemin në atë mënyrë saqë gjasat për alternim të pushtetit janë tejet të vogla…për dallim nga vendet me demokraci të brishtë, problemi kryesorë i vendeve me politikë të forcës dominuese është zbehja e vijës ndarëse në mes shtetit dhe partisë. Asetet kryesore të shtetit- burimi i parave, vendet e punës, informatat publike (përmes mediave shtetërore), dhe fuqia policore-gradualisht vendosen në shërbim të partisë në pushtet.

Përderisa në demokracitë e brishta, gjyqësori e ka njëfarë pavarësie, në vendet me forcë politike dominuese ai frikësohet deri në dorëzim nga pushteti i pandryshueshëm…në vendet me politikë të forcës dominuese grupa sunduese investon energji në mënyrë që ta paraqesë një shou të mirë elektoral për ta marrur aprovimin e bashkësisë ndërkombëtare, përderisa në mënyrë të heshtur e manipulon procesin zgjedhorë skajshëm në favor të vetin… (Carothers JD 13.1 (2002) 5-21

Në aspektin institucional, Kosova nuk ka opozitë. Në demokracitë parlamentare, sidomos në shtetet dhe demokracitë e reja, opozita institucionalisht duhet ta ketë të drejtën e vetos për vendime ose politika afatgjata. Në sistemin tonë kjo përkthehet në opozitë që e ka të paktën një deputet më shumë se një e treta e të gjitha vendeve në Kuvend, 41 deputetë. Nëse numri i deputetëve të partive që nuk janë në pushtet, marrë së bashku, është më i vogël se 40, atëherë nuk kemi opozitë institucionale por kemi grupim opozitarë. Kosova e sotme politike nuk është as rasti i parë e as i vetmi në të cilin është gjendur një vend. Por Kosova i ka disa specifika.

Së pari, Kosova është në fazën e marrjes së vendimeve tejet të rëndësishme për të ardhmen e vet. Marrja e këtyre vendimeve kërkon ose opozitë kontrolluese, që nuk do të lejonte ndryshime kushtetuese jokonsensuale, ose koncenzus nacional. Mungesa e të dyjave, edhe e opozitës edhe e koncenzusit në një fazë të këtillë të rëndësishme, e bashkëdyzuar me delegjitimimin total të pushtetit për shkak të keqqeverisjes (korrupsioni, nepotizmi, klientelizmi e krimin i organizuar institucional) dhe të kontrabandimit të vullnetit të qytetarëve (sjellja delegative e LDK, e konceptit ‘e kam marrur votën dhe tani bëj çka të dua me të’) e vendosin Kosovën në pozitë tejet inferiore në çfarëdo lloj negociatash. Kjo situatë e rrit rrezikun për marrje të vendimeve shumë të dëmshme për të ardhmen e vendit; ashtu siq edhe ka ndodhur gjatë gjashtë muajve të shkuar.

Së dyti, meqenëse populli i Kosovës për shkak të historisë së vet të vonshme (por jë vetëm për atë shkak) është mësuar edhe të ‘durojë’ edhe të ‘rebelohet’, etablimi i forcës dominuese politike e zgjeron atë që njihet si ‘zbrazëtira revolucionare’ (revolutionary gap). Vjedhja e votave më 2010 dhe marrja e pushtetit me bllokim të punës së Kuvendit dhe me manipulim kushtetues më 2014, duke e parandaluar me çdo kusht alternimin e pushtetit (pavarësisht cilitdo racionalizim trivial),  ka bërë që gjithmonë e më shumë njerëz të mos e shohin daljen përmes procesit të rregullt demokratik por përmes formave të thjeshtësuara politike. Sistemi politik gradualisht po mbyllet në rreth vicioz dhe daljet prej tij nuk mund të jenë shumë elegante.

Dhe së treti, kur etablohet politika e forcës dominuese, e cila pa asnjë dyshim përcillet me korruptim të sistemit dhe kapje totale të shtetit e si rrjedhojë edhe me mungesë të zhvillimit ekonomik dhe të prosperimit të cilitdo lloj, populizmi i fiton argumentet. Kur përkundër delegjitimimit total, grupimi i politikës së forcës dominuese vazhdon ta mbajë pushtetin, ato që më lart i quajta grupime opozitare e humbasin besimin se deri tek alternimi i pushtetit mund të vie si rezultat i atakimit të keq-qeverisjes. Si rrjedhojë, fillojnë që ta përdorin mjetin e vetëm të mbetur të ‘punës’, populizmin. E për shkak të të gjitha arsyeve tanimë të përmendura, jo vetëm grupimi i forcës së politikës dominuese, por askush, nuk mund ta fitojë argumentin kundrejt populizmit. Kosovës i ka mbetur vetëm edhe pak hapësirë për të mos rrëshqitur në atë rreth.

lajme të ngjashme