“Piramida Thaçi” dhe zhbllokimi i demokracisë në Kosovë  - Klan Kosova


Na ndiqni në:


Get it on Google Play Download on the App Store

“Piramida Thaçi” dhe zhbllokimi i demokracisë në Kosovë 

123
string(15) "Faton Abdullahu" string(83) "https://klankosova.tv/wp-content/uploads/2019/09/Faton-Abdullahu-e1606051673123.png"
04.10.2018 15:35
Vendet mike të Kosovës duhet të pushojnë ta përkrahin Thaçin duke menduar se ende kjo është predispozitë për t’i shtyrë proceset përpara. Thaçi tash sa vite është në krye të ngrehinës autokrate e cila pa u shpërbërë nuk mund të zhbllokohen demokracia dhe zhvillimi në Kosovë.

                   

Kur flasim për Hashim Thaçin sot në politikën kosovare, nuk flasim vetëm për Presidentin e Kosovës, nuk flasim vetëm për një individ apo për një institucion, flasim për “Piramidën Thaçi”. Në të vërtetë, flasim për një piramidë pushtetare, një mekanizëm me hierarki tipike ballkanike, flasim për një ngrehinë që tash dy dekada është në pushtet, më saktë: ajo është vetë pushteti.

Pavarësisht se në cilën pozitë ka qenë Presidenti aktual, pavarësisht prej cilës pozitë në cilën ka lëvizur – kryeministër, kryetar partie, ministër apo president, bashkë me të aty është bartur edhe pushteti edhe shteti. Bashkë me të aty është shkarkuar edhe një pjesë e mirë e krahut të luftës, edhe një pjesë e madhe e bizneseve dhe biznesmenëve, edhe shumë para e shumë investime, edhe një pjesë e mediave me ndikim, edhe një numër i konsiderueshëm matrapazësh, mashtruesish e hajnash, por edhe një numër i të rinjve e të rejave me perspektivë, një numër i intelektualëve, profesorëve, akademikëve, dhe gjithsesi edhe një numër i ndërkombëtarëve.

Për më shumë, “Piramidës Thaçi” i ka shkuar për dore që moralin e lutës, të fituar para dy dekadash, ta konvertojë në ultramoralizim politik për ta mbajtur e mbrojtur pushtetin.

E mban aktive vazhdimisht me financime, përfitime e beneficione për shpresën e identifikuar me këtë trashëgimi. E mban gjallë me ceremoni varrimi e rivarrimi, me ngritje lapidarësh e përmendoresh, me memoare, përkujtime e vizita frekuentuese familjesh dëshmorësh e heronjsh.

Pastaj, mediet brenda “Piramidës” kujdesen që kjo mendësi të pulsojë aktive. Ky moral politik, për qëllime përfitimi, nuk lejohet të kalojë në histori. Si i tillë, ky diskurs është shtyllë e fortë e kësaj ngrehine e cila me qëllim të mbetjes në pushtet, bën edhe shumë të pabëra, sikundër është edhe afera nga më të turpshmet e prodhuara brenda në këtë “Piramidë” – ajo e “veteranëve të rrejshëm”, e nxitur nga po kjo mendësi por me grykësi të papërmbajtur. Ky ndikim dhe kjo jetëgjatësi e Thaçit në politikën kosovare nuk është determinante e ekspresivitetit të personalitetit të tij, por është dëshmi se institucionet e Kosovës jo që nuk janë demokratike, por ato janë të kapura dhe se Kosova është në masë të madhe dhe për kohë të gjatë një vend me autokraci. Por, kjo ngrehinë institucionale në Kosovë, konspirative, klandestine dhe jo rrallë me elemente mafioze, ka një prirje unike, një sens pragmatik orientimi; raportin e mirë me faktorin ndërkombëtar. Kjo është vitale dhe për këtë “Piramida” është djallëzisht e vetëdijshme.

Pensionimi i Thaçit dhe pasojat e rrënimit të “Piramidës”

“Piramida Thaçi” nuk është e vetme në Ballkan. Një e tillë e Gjukanoviqit është në Mal të Zi, një tjetër është e Zaevit në Maqedoni. Ato kanë ngjashmëri. Por, ka një dallim të madh ndërmjet tyre kur është fjala për një dimension të faktorit ndërkombëtar me këto piramida. Për perëndimorët, apo thënë ndryshe për interesat gjeopolitike dhe jo vetëm të perëndimorëve në Ballkan, nuk ka qenë aspak e lehtë ta gjejnë një Gjukanoviq në Mal të Zi, një politikan, i cili në shtetin ku 30 për qind e popullsisë është serbe dhe ku tradita e rreshtimeve politike, kulturore dhe të tjera të këtij shteti me shumicë sllavo-ortodokse, kurrë nuk ka qenë perëndimore. Ai zbatoi politika pro-perëndimore dhe solli këtë shtet me një finale të mrekullueshme, anëtarësim në NATO, që para jo shumë vitesh do të ishte e paimagjinueshme.

Po ashtu, nuk ka qenë aspak e lehtë për perëndimorët që ta gjejnë një Zaev në Maqedoni. Një politikan maqedonas i cili në një shtet gjithashtu jo me traditë rreshtimesh properëndimore, ku problemi më i madh është raporti ndëretnik maqedonas – shqiptarë, do të pranohet më shumë se cilido tjetër nga pala shqiptare për të krijuar kështu balancën e munguar etnike dhe si tërësi ta shtyjë këtë shtet të hapërojë sigurt drejt BE-së dhe NATO-s.

Për perëndimorët të gjendet një Hashim Thaç në Kosovë nuk do të duhej të ishte aspak e vështirë, përkundrazi. Disponimi properëndimor apo proamerikan në Kosovë është i pazakonshëm, krejt unik, ai nuk është vetëm rreshtim interesi gjeopolitik, por është edhe identitet shtetndërtues i Kosovës, është sinonim i vetë lirisë.

Politikanët në Kosovë janë të gjithë properëndimorë, pa alternativë tjetër. Kështu janë edhe qytetarët edhe elita intelektuale dhe ajo biznesore, thjesht të gjithë. Por, përkundër kësaj, si Thaçi s’ka një tjetër tash dy decenie në Kosovë. Ai vazhdon të mbetet më i përshtatshmi dhe mbase më i përkëdheluri i perëndimorëve. Pse është kështu?

Sepse ai e ka ndërtuar “Piramidën” sikundër e shpjegova më lartë.

Vazhdon të jetë kështu edhe pse “Piramida” e tij është bërë edhe e korruptuar edhe mafioze edhe degraduese dhe gjithsesi pengesë serioze për demokratizimin e Kosovës.

Për rrjedhojë, të largohet Thaçi e të vije një tjetër për ta zëvendësuar nuk bëhet lehtë sepse detyrimisht bie edhe “Piramida Thaçi”. Por, si duket droja nga turbulencat që do të shkaktoheshin me shembjen e kësaj “Piramide” në Kosovë bën që të vazhdohet edhe më tutje me Thaçin për të përmbyllur kështu procese tjera të rëndësishme për Kosovën.

Dhe këtu ka një problem, një nyje të ndërlikuar.

“Piramida Thaçi” në Kosovë po bëhet gjithnjë e më shumë një pengesë për demokraci dhe zhvillim. Përderisa është kjo “Piramidë” aktive, pengesat për zhbllokimin e demokracisë në Kosovë do të jenë të pakalueshme.

Prandaj, “Piramida Thaçi” duhet të davaritet, thjesht Thaçi të pensionohet dhe të fillojnë proceset përmbajtësore te demokratizimit dhe zhvillimit në Kosovë dhe anëtarësimit në BE dhe NATO.

 

 

lajme të ngjashme