12:58, 6 Maj 2020 Autor: Olivér Várhelyi

Në maj, kryeqyteti kroat Zagreb duhej të ishte nikoqir i samitit ‘Bashkimi Evropian – Ballkani Perëndimor’, ku nga udhëheqësit, në mes tjerash, pritej ta miratonin një plan ekonomik dhe të investimeve për rajonin. Ky plan është një prej tri rrugëve të qasjes së re që Komisioni Evropian e zhvilloi për rajonin, për t’i plotësuar dy të parat: metodologjinë e rishikuar për zgjerimin e BE-së, të cilën Komisioni e paraqiti në shkurt për ta rikthyer kredibilitetin në një nga më të politikat më të rëndësishme të BE-së, dhe vendimin për t’i hapur bisedimet e pranimit me Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut, të miratuar nga udhëheqësit e BE-së në mars, së bashku me metodologjinë e rishikuar.

Pandemia e COVID-19 nuk e çorientoi këtë plan të shtruar me kujdes: nuk na ndryshoi synimin, ambicien apo vendosmërinë. Kjo mund të kishte ndodhur lehtësisht: pandemia goditi rëndë Bashkimin Evropian dhe tërë kontinentin dhe shkaktoi humbje të paimagjinueshme të jetës. Komisioni ndërmori masa të jashtëzakonshme për t’i përkrahur dhe asistuar shtetet anëtare në adresimin e krizës, për të shpëtuar jetë, për t’i mbrojtur sistemet shëndetësore dhe për ta zbutur ndikimin socio-ekonomik. Por në të njëjtën kohë Komisioni ishte i qartë se pandemia mund të mposhtet vetëm me veprim global dhe duke punuar me partnerë.

Kjo nuk ishte askund më e qartë sesa në Ballkanin Perëndimor, një rajon në zemër të Evropës dhe i rrethuar plotësisht nga Shtetet Anëtare të BE-së. Ballkani Perëndimor ishte rajoni i parë ku edhe ky mendim u bë veprim. Pas ditëve të para të vështira, Komisioni ndërmori masa konkrete në pjesën e dytë të marsit për t’i dhënë përkrahje të gjithë partnerëve në rajon – Shqipëri, Bosnje dhe Hercegovinë, Kosovë, Mali i Zi, Maqedonia e Veriut dhe Serbia. Masat mbulonin përkrahjen për nevojat e menjëhershme, si dhe rimëkëmbjen e ekonomisë, dhe financiarisht tani janë të nivel të pashembullt prej 3.3 miliarda € grante dhe hua.

Ky solidaritet i paparë nuk mbaroi këtu: duke pasur parasysh perspektivën evropiane, BE-ja po e trajton Ballkanin Perëndimor si partner të privilegjuar duke u dhënë atyre qasje në shumë iniciativa dhe instrumente për Shtetet Anëtare. Ne i kemi ftuar qeveritë që t’i bashkohen marrëveshjes së prokurimit të BE-së për pajisje mjekësore, e përjashtuam rajonin nga kërkesa për autorizim të eksportit, ndërsa korsitë e gjelbra për ta lehtësuar transportin e mallrave u shtrinë në kufijtë me rajonin dhe brenda tij. Rajoni është i lidhur me organet shëndetësore përkatëse të BE-së dhe shtetet negociuese do të mund të përfitojnë nga fondi i solidaritetit i BE-së. Në të njëjtën kohë, BE e çmoi përkrahjen që e mori nga partnerët e Ballkanit Perëndimor me personel mjekësor dhe pajisje.

Samiti i Zagrebit tani po zhvillohet si video-takim, por po zhvillohet.  Ne hymë në këtë krizë së bashku dhe duhet të dalim së bashku. Do ta përkrahim rimëkëmbjen ekonomike të rajonit që në të njëjtën kohë do t’i sjellë partnerët më afër BE-së. Ekonomitë tona janë të integruara ngushtë, dhe plani ekonomik dhe investimi që pritet në pjesën e dytë të këtij viti, do të jenë edhe më i rëndësishëm. Synohet nxitja e rimëkëmbjes afatgjatë, modernizimi i ekonomive, përshpejtimi i rritjes, përkrahja e reformave të nevojshme në shtegun drejt BE-së, dhe kështu të niset mbyllja e hendekut në zhvillim dhe përfitimet t’i sillen njerëzve më shpejt.

Plani do të fokusohet në konektivitet, në veçanti në transport dhe energji, dhe në ekonominë që funksionon për popullin, gjithashtu përmes transformimit digjital dhe të gjelbër. Në javët dhe muajt e ardhshëm, rajoni mund ta frymëzojë këtë plan duke prezantuar plane dhe ide konkrete, dhe duke bashkëpunuar ngushtë. Bashkëpunimi rajonal dhe marrëdhëniet e mira fqinjësore do të jenë vërtetë çelësi i rimëkëmbjes ekonomike. Edhe reformat do të vazhdojë, që do të thotë jo vetëm miratimi i legjislacionit, por implementimi aktual i masave të ndërmarra. Duhet të vazhdojë fokusi në sundimin e ligjit, në funksionimin e institucioneve demokratike dhe të administratës publike.

Së bashku do ta kapërcejmë këtë krizë dhe do të dalim prej saj më të fortë: pandemia COVID-19 konfirmoi qartë se e ardhmja e Ballkanit Perëndimor është në Bashkimin Evropian. Ne kemi bërë hapa të rëndësishëm këtë vit përkundër pandemisë dhe duhet të vazhdojmë të ndërtojmë mbi ta për një kontinent Evropian vërtetë të bashkuar.

Olivér Várhelyi është Komisioner Europian për Fqinjësi dhe Zgjerim

 

Lajme të tjera