Përgjegjësia finale e Kosovës 123 string(12) "Blerim Shala" string(82) "https://klankosova.tv/wp-content/uploads/2017/05/Blerim-Shala-1-e1620736305698.jpg" nga Blerim Shala 21.04.2021 16:37 21.04.2021 16:37 Blerim Shala Letra e Presidentit të Amerikës, Joseph Biden, e kësaj të hëne (19 prill), me të cilin ky e uron Vjosa Osmanin për zgjedhjen e saj Presidente e Kosovës, u bë sebep për një mori interpretimesh ndër ne, madje, më shumë në mediat tona se sa në skenën politike të vendit, për përmbajtjen e saj, për sygjerimet, këshillat, udhëzimet e Bidenit, madje, sipas shumëkujt, edhe për paralajmërimet se kah do të mund të ecë tash e tutje procesi i dialogut në mes të autoriteteve më të larta të Kosovës dhe Serbisë. Në këtë Letër, pos tjerash, Presidenti Biden, një mik i dëshmuar qëmoti i Kosovës, shfaq edhe anën e tij emocionale, kur përkujton faktin që i biri i tij i ndjerë, Beau, ka punuar një kohë në Kosovë, dhe që madje, një autoudhë e mbanë emrin e tij që nga vera e vitit 2016 (kur Biden dhe familja e tij ishin për vizitë në Kosovë). Një relacion i kësisojt i Presidentit Biden me një shtet, është i pashoq, apo, i pakrahasueshëm. Letra e Presidentit Biden, siç ka mundur ta kuptojë secili që e ka lexuar ate, e ka atë dimensionin e brendshëm dhe ndërkombëtarë të porosive të tij miqësore për Udhëheqësinë e tanishme të Kosovës, në fakt, për gjithë politikën kosovare dhe për qytetarët e Kosovës. Kjo ana e brendshme, shfaqet me një përkrahje të plotë të Bidenit për prioritetet të cilat i renditë Presidenti Amerikan, apo, për fuqizimin e Sundimit të ligjit, luftimin e korrupsionit, mbrojtjen e të drejtave të pakicave fetare dhe etnike, për mëkëmbjen e vendit të goditur keq nga Covid-19, me inkurajimin e zhvillimit ekonomik, dhe sigurimin e një të ardhme të qëndrueshme në energji. Ndërsa, dimensioni i jashtëm, ndërkombëtarë i Kosovës që ka për synim integrimin e Kosovës në institucionet evro-atlantike (në Aleancën veri-Atlantike dhe në Bashkimin Evropian), nuk ka si t’i shmanget ndërmarrjes së dialogut në mes të Kosovës dhe Serbisë dhe Marrëvshjes gjithpërfshirëse për normalizimin e marrëdhënieve, e cila siç ri-pohon Biden (këtë e ka bërë tashmë, pak muaj më parë), duhet të përqëndrohet në njohjen reciproke (në mes të Kosovës dhe Serbisë). Siç është theksuar tashmë, këtu Administrata e Presidentit Biden spikatet me një kontinuitet me Administratën e Presidentit Trump, e cila që nga viti 2018-të pati artukuluar qartë dhe në mënyrë kategorike ‘emrin’ e Marrëveshjes finale në mes të autoriteteve të Prishtinës dhe Beogradit, apo, njohjen reciproke në mes të Kosovës dhe Serbisë. Megjithatë, pesha kryesore dhe më mbresëlënëse e Letrës së Presidentit Biden, tej formulimeve të tjera të cilat kësaj here njohin edhe atë elementin specifik e mbështetjes së SHBA-së për sigurimin e vaksinës për mbrojtjen e kosovarëve nga Covid-19, duket se qëndron tek fjalia e analizuar shumë në mediat tona: ‘E di që arritja e këtij qëllimi (Marrëveshjes për normalizimin e marrëdhënieve në mes të Kosovës dhe Serbisë), kërkon një fleksibilitet dhe kompromise të vështira gjatë gjithë udhës, teksa SHBA-ja do të jetë partnere e juaj në secilin hap’. Çfarë nuk u tha krejt për domethënien dhe për përmbajtjen eventuale të koncepteve të ‘fleksibilitetit’ dhe të ‘kompromiseve të vështira’. Kjo fjali nuk bën dhe nuk duhet të shikohet e ndarë nga përmbajtja e kësaj Letre e cila ri-konfirmon një miqësi të Amerikës me Kosovën, dhe ruajtjen e një partneriteti i cili u krijua në rrethanat më të vështira për popullin e Kosovës, në vitet e nëntëdhjeta që kulmuan me luftën e viteve 1998, 1999, dhe pa të cilin Kosova nuk do të çlirohej dhe nuk do të bëhej shtet i pavarur. Pastaj, synimi i dialogut në mes të përfaqësuesve të Kosovës dhe Serbisë, që ka 23 vjet të plota që po zhvillohet, është identik në mes Prishtinës dhe Washingtonit: Njohja e ndërsjellë në mes të Kosovës dhe Serbisë. Me një Marrëveshje të tillë, do t’i hapeshin dyertë Kosovës kah OKB-ja, Pakti NATO, më pas edhe kah BE-ja. Në këtë mënyrë do të arrihej një stabilitet afatgjatë i shtetit të Kosovës. Amerika mund të bëj shumë për Kosovën, siç ka bërë zatën për tridhjetë vjet e më shumë, dhe siç do të bëjë edhe tash e tutje. Ajo pra mund të na përkrah fuqimisht në reformimin e shoqërisë kosovare, në ndërtimin e Ushtrisë së Kosovës, në proceset e integrimeve euro-atlantike, në dialogun me Beogradin, dhe kudo tjetër ku na duhet dora e Amerikës (edhe në sigurimin e vaksinës). Çfarë nuk mund të bëj Amerika, edhe kjo e përfaqësuar nga Presidenti Biden, është që ta marr përgjegjësinë që na takon neve si politikë e Kosovës dhe autoriteteve më të larta të këtij shteti, për të gjitha çështjet dhe temat jetike të së tashmes dhe të ardhmes së Kosovës, duke përfshirë këtu edhe këtë detyrën konkrete të përmbylljes së dialogut me përfaqësuesit e Serbisë. Presidenti Biden dhe Administrata e tij, nuk do të na imponojnë Marrëveshjen me Serbinë. Përmbajtja e kësaj Marrëveshjeje, së bashku me atë cakun kryesor të saj (njohjen reciproke të Kosovës dhe Serbisë), është detyrë e Delegacionit të Kosovës, e skenës politike kosovare në përgjithësi. Do të duhej të ishte interes i gjithë kësaj politike që dialogu me Serbinë të kryhet sa më parë që është e mundur, duke i përfillur Parimet themelore të këtij dialogu, të cilat në një mënyrë apo tjetrën, janë qartësuar disa herë nga të gjitha subjektete politike në vend, në vitet e kaluara. klankosova.tv *Klikoni KËTU për t´u bërë pjesë e kanalit zyrtar të Klan Kosovës në Viber. *Klikoni KËTU për ta shkarkuar aplikacionin e Klan Kosovës në Android, dhe KËTU për iOS.