Peng i vetëvetes 123 string(12) "Blerim Shala" string(82) "https://klankosova.tv/wp-content/uploads/2017/05/Blerim-Shala-1-e1620736305698.jpg" nga Blerim Shala 13.08.2022 10:03 13.08.2022 10:03 Aleksandar Vuçiq, Presidenti i Serbisë, në çdo paraqitje para gazetarëve ditëve dhe javëve të fundit, po flet në të njejtën mënyrë, po e shfaq të njejtën qasje, po e mbanë të njëjtin agresivitet politik, po konfrontohet me thuaja të gjitha shtetet fqinje. Nuk mbahet në mend që Vuçiq ka qenë aq konsistent në prezentimet e tij mediatike. Më para, lideri serb, më i fuqishmi për decenie me radhë në Serbi, i ndryshonte qëndrimet e tij, apo, herë dilte të jetë i mbushur me mosdurim dhe mllef, e herë shfaqej më i matur, më i kujdesshëm, më paqësor ndaj popujve dhe shteteve fqi. Çfarë po ndodhë atëherë me Presidentin e Serbisë, i cili në intervistat e tij televizive, për orë të tëra është në gjendje të flasë me përçmim dhe me synime konfrontuese ndaj Kosovës dhe Kroacisë, në radhë të parë? Çka mund t’i sjell atij një politikë e këtillë ndaj dy shteteve fqinje, teksa dihet që ai, realisht, është në konflikt edhe me elitat politike të Malit të Zi që janë më të merituarat për pavarësinë e tij, në vitin 2006? Kah po e çon Serbinë Aleksandar Vuçiq? Lideri serb duket se është krejtësisht i frustruar. Teksa politikisht, ai i ka pesë vjet të sigurta si presidenti i vendit, teksa fuqia e tij politike po i shënon lartësitë e papara në historinë e re të Serbisë, ai, realisht, po zbret, thuaja përditë, nga një shkallë teposhtë në raportet e tij me Perëndimin, me shtetet e rajonit, mbi të gjitha, me interesat atatgjatë të popullit serb dhe të shtetit të Serbisë. Vuçiq e di që në muajt dhe vitet e ardhshëm, ai duhet të zgjedhë kah do të shkojë Serbia. Kosova është shtet i pavarur dhe kështu do të mbetet përjetë e mot. Këtë e ka të qartë fare mirë lideri serb. Zatën, edhe në atë ’Dialogun e brendshëm’ (të organizuar në vitet 2017, 2018), i cili duhej të shërbente si ’përgatitje e terrenit’, apo e opinionit serb për ta përmbyllur dialogun e Brukselit me përfaqësuesit e Kosovës, ai në mënyrë implicite e pranonte realitetin në Kosovë, i cili, sipas tij, ishte krijuar për shkak të përplasjes së madhe në mes të udhëheqësisë së Serbisë (Slobodan Millosheviq) dhe Perëndimit. Pa e kryer punën me dialogun e Brukselit, pa e pranuar realitetin në Kosovë, pa e nënshkruar Marrëveshjen Gjithpërfshirëse për normalizimin e marrëdhënieve me Kosovën, Serbia nuk mund të merret si duhet me ardhmëninë e vet. Kosova ka fuqinë e një graviteti të madh të së kaluarës dhe të historisë për Serbinë (fatkeqësisht, edhe anasjelltas). Vuçiq i cili përbehet ditë dhe natë që dëshiron ta çojë Serbinë përpara në çdo aspekt të mundshëm, për ta bërë të denjë për të qenë shtet anëtar i Bashkimit Evropian, nuk mund të arrijë qëllimin pa e qartësuar, edhe formalisht, edhe me një Marrëveshje ndërkombëtare, raportin me Kosovën. Në anën tjetër, sot apo nesër, sivjet apo në mot, kurdoqoftë (realisht), Presidenti i Serbisë duhet të përcaktohet me kë është Serbia: Me Perëndimin apo me Rusinë. Ai po përpiqet ta shtyjë sa më shumë që është e mundur këtë vendim, thuajse koha do ta bëj atë më të mençur, apo, zhvillimet në Frontin e Ukrainës, do t’ia lehtësojnë atij disi barrën e përgjegjësisë dhe të zgjedhjes. Kjo nuk do të ndodhë. Thyerja në mes të Perëndimit dhe Rusisë është një prerje epokale, e cila do të zgjatë me dhjetëra vite. Hendeku që është krijuar këtu, me fajin ekskluziv të Rusisë së Vladimir Putinit, nuk ka gjasa që në një të ardhme të parashikueshme të tejkalohet, qyshdoqoftë. Vuçiq pra duhet ta zgjedhë Perëndimin nëse njëmend dëshiron që Serbia të ketë një të ardhme të sigurtë. Si lider i pakontesueshëm i Serbisë, ai, në të vërtetë, i detyrohet këtyre vendimeve të mëdha në dobi të Serbisë. Por, ai, viteve të fudit, ka bërë gabim të madh në trajtimin e këtyre dy temave/vendimeve të mëdha për Serbinë, duke e larguar synimin e domosdoshëm (Marrëveshjen me Kosovën, ecjen para kah BE-ja), përmes krijimit, inkurajimit dhe favorizimit të një disponimi masiv politik në Serbi kundër zgjidhjes së raporteve me Kosovën dhe kundër zgjedhjes së Perëndimit dhe braktisjes së Rusisë. Mbase Vuçiq mund të ketë synuar që ta forcojë pozicionin e vet negociator karshi Kosovës dhe përballë BE-së (dhe Perëndimit), me këto ’lojëra’ politike. Por tani është bërë peng i pafuqishëm i këtyre ’lojërave’, apo, ky ia ka lidhur duartë vetes me një opinion publik anti-Kosovë dhe anti-Perëndim, të cilin e ka bërë vet. Prandaj, ky është krejtësisht i frustruar politikisht. Për këtë shkak, ai këtë frustrim, këtë hezitim për t’i marrë vendimet e duhura, i shfaq me mllef dhe me agresvitet para mediave serbe.