Na ndiqni në:


Get it on Google Play Download on the App Store

Pasojat e një rasti të humbur

123
string(12) "Blerim Shala" string(82) "https://klankosova.tv/wp-content/uploads/2017/05/Blerim-Shala-1-e1620736305698.jpg"
nga Blerim Shala 20.01.2023 09:54

Me 15 janar të vitit 2018, në hyrje të zyres së entitetit të tij politik, në Mitrovicën Veriore, u vra Oliver Ivanoviq, njëri prej politikanëve më të njohur serb të Kosovës.

Ivanoviq u ekzekutua pas një fushate të egër propagandistike të pushtetit të Presidentit të Serbisë, Aleksandar Vuçiqit, e cila e gozhdonte ate si ‘tradhtar’, me vetë faktin që konkuroi për postin e Kryetarit të Komunës së Mitrovicës Veriore, dhe që nuk ishte bërë pjesë përbërëse e ‘Listës Serbe’, subjektit të përkrahur nga Beogradi zyrtar.

Atmosfera e keqe e krijuar në politikën serbe karshi Ivanoviqit, bëri që dyshimet për ekzekutuesit dhe urdhëruesit e vrasjes së këtij politikani serb të mos bazohen në marrëdhëniet ndër-etnike në Veriun e Kosovës, por në ato që përkonin me relacionet e Beogradit zyrtar me një politikan serb të Kosovës.

Vrasja e Ivanoviqit, siç u kuptua menjëherë ato ditë  (teksa kjo bindje vetëm sa është sforcuar në vitet vijuese), pati shënuar pikën më të ulët të besimit të serbëve të Mitrovicës Veriore (dhe në përgjithësi, të kësaj pjese të Kosovës), në pushtetin e Aleksandar Vuçiqit.

I vetëdijshëm për këtë rënie dramatike të popullaritetit të tij tek serbët e Veriut të Kosovës, presidenti i Serbisë erdhi në një vizitë urgjente në Mitrovicën e Veriut, menjëherë pas kësaj vrasjeje.

Në njërën anë, ai provoji ta shfajësojë veten politikisht nga kjo ngjarje e rëndë, apo, ‘t’i lajë duart’ (prej saj), duke folur në mënyrë shumë të kujdeshme dhe pozitive për figurën e politikanit të vrarë serb, i cili në këtë mënyrë, përjetoi rehabilitimin post-mortem, apo u zhvendos prej kampit në ‘tradhtarëve’ tek ata të ‘patriotëve’.

Në anën tjetër, presidenti i Serbisë pranoi, në takimine mbajtur me qytetarët serbë, që Serbia nuk ka jurisdiksion mbi Kosovën, apo që hetimet për këtë rast do t’i zhvillojnë autoritetet e Kosovës.

Vuçiq u detyrua ta bëjë një deklaratë të tillë, teksa mund të supozohet se a do ta përsërite këtë qëndrim në rrethanat e tanishme politke dhe të sigurisë.

Vrasja e Ivanoviqit, gjë që pak a shumë është ditur qysh në ditët në vijim pas këtij akti të një atentati politik, ishte burim themelor për rrjedhat e mundshme politike dhe të sigurisë në këtë pjesë të Kosovës.

Supozimi i parë, në këtë kontekst, doli të jetë i sakt.

Që prej çastit kur në këtë mënyrë përfundoi kariera politike e Oliver Ivanoviqit, thuaja u fundosën gjasat që serbët e Kosovës të organizohet vet politikisht, për të përfaqësuar veten, dhe për të kërkuar hisen e tyre në pushtetin qendror dhe lokal të Kosovës në përfillje të interesave vetanak.

Plumbat e shkrepur mbi trupin e këtij politikani, apo, zhurma e tyre vdekjeprurëse, imponoi heshtjen politike tek serbët e Kosovës, apo, ata mbetën pa alternativë, gjegjësisht, fati i tyre u monopolizua nga ’Lista Serbe’ dhe nga Beogradi zyrtar.

Siç dihet, ’Lista Serbe’ përfaqëson interesat e Serbisë në Kosovë, dhe jo të zgjedhësve të vet. Në të vërtetë, votuesit serbë nuk kanë vullnet të lirë: Ata janë të detyruar ta zgjedhin ’Listën Serbe’.

Supozimi i dytë, doli të ishte i pasakt.

Si asnjëherë më parë  (fatkeqësisht, si asnjëherë edhe më pas), vrasja e kësisojt e Ivanovićit, rënia e madhe e besimit të serbëve lokal në pushtetin e Aleksandar Vuçiqit, pastaj, frika në shtim e sipër nga strukturat kriminale serbe të afërta me Beogradin zyrtar, të cilat sipas të gjitha gjasave ishin përgjegjëse për këtë krim, i pati krijuar rrethanat e volitshme për shtrirjen e plotë të pushtetit të Kosovës në këtë pjesë të vendit.

U kuptua, prej të gjithëve, në atë kohë, që sundimi i ligjit në Veriun e Kosovës, është interes jetik jo vetëm i autoriteteve qendrore kosovare, por edhe i qytetarëve serbë të kësaj pjese të Kosovës.

Asgjë normale nuk kishte në Veriun e Kosovës. Ndërsa adresa e fajit për këtë gjendje të rëndë ishte e qartë: Pushteti i Serbisë.

Për shkaqe të ndryshme (të cilat kërkojnë një analizë të detalizuar), në vitin 2018 u humb ky rast i jashtëzakonshëm që të vendoset rendi dhe ligji në Veriun e Kosovës, të goditen strukturat kriminale të afërta me Beogradin zyrtar, dhe të përshpejtohej, në mënyrë të pakthyeshme, integrimi i plotë i Veriut të Kosovës.

Pasojat e kësaj mundësie të pashfrytëzuar apo të humbur, atje në dimrin e vitit 2018-të, po i hetojmë sot e kësaj dite.

 

 

*Klikoni KËTU për t´u bërë pjesë e kanalit zyrtar të Klan Kosovës në Viber.

*Klikoni KËTU për ta shkarkuar aplikacionin e Klan Kosovës në Android, dhe KËTU për iOS.

lajme të ngjashme