Paralelet historike dhe politike 123 string(12) "Blerim Shala" string(82) "https://klankosova.tv/wp-content/uploads/2017/05/Blerim-Shala-1-e1620736305698.jpg" nga Blerim Shala 16.10.2025 09:18 16.10.2025 09:18 Sa më shumë që shtoheshin gjasat, javëve të kaluara, që të pranohet Plani Njëzet pikësh i Presidentit të ShBA-së Donald Trump, për armëpushimin afatshkurtër dhe paqen afatgjatë në Lindjen e Mesme, në konfliktin tragjik të dy viteve të fundit, aq më tepër nisi të rikujtohej modeli i Kosovës i zgjidhjes së një çështje që atëbotë (në vitin 1999), kishte tronditur gjithë Botën. Në këtë mënyrë, u rishfaq një fakt i ditur në ato vite, por i harruar në ndërkohë (rrjedha e politikës bluan pamëshirshëm kujtesën historike, veçmas atë që lidhet me përfundimet e mira), që në të vërtetë shembulli i Kosovës tutje vlen si më i suksesshmi në këtë rrafshin ndërkombëtar që nga përfundimi i Luftës së Ftohtë e këndej. Dikush këtu mund të shtojë që rasti i Kosovës është i vetmi që mund të kualifikohet si sukses ndërkombëtar në tridhjetë vitet e fundit. Dihet çfarë ka ndodhur në ndërkohë në të katër anët e Rruzullit Tokësor. Dështim pas dështimit. Këto (dështime) zaten pastaj hapen shtigje për luftërat që dërrmuan Botën, së pari ajo në Ukrainë, në dimrin e vitit 2022, dhe së dyti në Gaza, në vjeshtën e vitit 2023. Përmendja gjithnjë e më e shpeshtë e Kosovës si model që mund të merret si shembull edhe për përmbylljen (eventuale), të çështjes së Palestinës apo të një konflikti një shekullor në Lindjen e Mesme, vetëm sa u sforcua prej fundjavës së kaluar kur Presidenti Trump kumtoi arritjen e pajtimit fillestar në mes të palëve të përfshira në luftë për fazën e parë të armëpushimit. Edhe pse numri i skeptikëve është shumë i madh në këtë rast, sepse, siç theksoi me të drejtë Trump, këtu duhet të ndodhë diçka që nuk ka ndodhur kurrë në histori, kërkimi i shenjave optimiste dhe forcimi i shpresës janë të vetmet shtegdalje për të gjithë ata në rajon dhe në Botë që e dinë fare mirë që kjo luftë ka marrë trajtat shumë të rrezikshme ku shumëkush ka mbetur pa kokë, aty në fushëbetejë, dhe edhe më shumë të tjerë e kanë humbur fytyrën në kryeqendrat e Perëndimit. Mund të merret me mend qysh tash se cilat do të jenë pasojat e dështimit eventual të Planit të Presidentit Trump. Lufta do të kthehej atypari, në përmasat edhe më të rënda, edhe më tragjike se sa ato që janë parë tash e dy vjet në Gaza. Sidoqoftë, krahasimet e zhvillimeve të tashme atje, me ato të Kosovës në vitin 1999, dhe në ato vitet e pasluftës, shfaqin ngjashmëritë por edhe të veçantat e dy shembujve, të dy rasteve. Elementi kyç i përbashkët është roli prijës i SHBA-së. Atëherë, kjo ishte në krahun perëndimor të qytetërimit, tani, ky rol i Administratës Amerikane ka të bëjë para se të gjithash me mobilizimin aktual politik dhe diplomatik të shteteve të rajonit (arabe dhe të Turqisë), për ta ndihmuar jetësimin fillestar të Planit Njëzetpikësh të Trumpit. Ky mobilizim pastaj duhet të merr trajtat edhe të përkrahjes së sigurisë (ushtarake), dhe financiare/ materiale për mëkëmbjen e Gazës, dhe më në fund, edhe për arritjen e një zgjidhjeje politike afatgjatë të kësaj çështjeje, sepse vetëm në këtë mënyrë do të mund të garantohej paqja e përhershme në Lindjen e Mesme. Si në Kosovë, duket që do të ketë një Administrim ndërkombëtar tranzitor (sipas të gjitha gjasave, i udhëhequr nga ish-Kryeministri britanik Tony Blair, një tjetër emër që lidhet me historinë e Kosovës në vitet e luftës dhe në ato që çuan deri në krijimin e shtetit të Kosovës), ashtu sikurse këtu te ne, duket që do të krijohet një forcë ushtarake ndërkombëtare për sigurimin e paqes, deri në zgjidhjen e çështjes së Palestinës. Megjithatë, është një dallim i madh në mes të rasteve të Kosovës dhe të Palestinës. Në verën e vitit 1999, kur këtupari u vendosën UNMIK (Administrata Ndërkombëtare), dhe KFOR (Misioni ushtarak i Aleancës Veri-Atlantike), nuk kishte diplomat dhe politikan perëndimor që nuk e kishte të qartë se cili do të jetë epilogu i kësaj periudhe kalimtare ndërkombëtare. Flitej vetëm për pavarësinë e Kosovës. Dhe për kushtet që kosovarët duhet t’i plotësojnë për ta merituar shtetin. Në vjeshtën e vitit 2025, mund të merret me mend se cili do të ishte epilogu më i mirë në raportet në mes të Izraelit dhe Palestinës: Modeli i dy shteteve. Por, për dallim prej rastit të Kosovës, ku kishte një pajtim të gjerë ndërkombëtar për finalen e kësaj ndërmarrjeje ndërkombëtare, në këtë të Palestinës ende është larg arritja e një qëndrimi të këtillë që do të siguronte një mbështetje të madhe ndërkombëtare.