‘Paqja e ftohtë’ ballkanike 123 string(12) "Blerim Shala" string(82) "https://klankosova.tv/wp-content/uploads/2017/05/Blerim-Shala-1-e1620736305698.jpg" nga Blerim Shala 06.09.2021 14:10 06.09.2021 14:10 Zhbërja e RSFJ-së (ish-Jugosllavisë), në vitin 1991, ka sjellur krijimin e shtatë shteteve të pavarura (sipas kronologjisë): Sllovenisë, Kroacisë, Maqedonisë së Veriut, Bosnjës dhe Hercegovinës, Malit të Zi, Serbisë dhe Kosovës. Po të ishte përcaktues vullneti politik, organizimi diplomatik dhe fuqia ushtarake e Serbisë, me gjasë, vetëm tri shtete do ta përcjellnin varrimin politik dhe historik të RSFJ-së: Sllovenia, Kroacia (por pa pjesët e banuara me shumicën serbe), dhe një tjetër Jugosllavi e përbërë prej këtyre ish-njësive tjera federale të Jugosllavisë. Paradoksalisht, Serbisë i është ri-kthyer statusi i vet i shtetit të pavarur (çfarë ka qenë deri në fillim të Luftës së Parë Botërore, në vitin 1914), në vitin 2006, pa kurfarë vullneti, apo, si imponim i faktit që madje as Mali i Zi (pas Referendumit të majit të vitit 2006), nuk deshti më të jetë pjesë përbërëse e shtetit të përbashkët (Unioni i Serbisë dhe Malit të Zi, një lloj i konfederatës). Megjithatë, kjo nuk do të thotë, siç po kuptohet gjithnjë e më shumë viteve të fundit, që Serbia, me Udhëheqësinë e sotme të saj që njeh si kryeprotagonist të vetin absolut Aleksandar Vučićin, si President të saj, i është përshtatur apo adaptuar plotësisht këtij realiteti të ri, i cili u vulos përfundimisht me 17 shkurt të vitit 2008, kur Kosova u bë shtet i pavarur, apo, që Serbia është pajtuar me kufijtë e saj të ri. Në këtë aspekt, Serbia nuk ka probleme vetëm me Kosovën, me të cilën, që prej marsit të vitit 2011, zhvillon në Bruksel, nën lehtësimin e BE-së, bisedimet për arritjen e Marrëveshjes Gjithpërfshirëse për normalizimin e marrëdhënieve. Pa arritjen e kësaj Marrëveshjeje, siç dihet, Serbia nuk mund të bëhet anëtare e BE-së. Raportet e çrregulluara me Kosovën, janë, si thuhet, vetëm ‘Maja e Iceberg-ut’ të problemeve të cilat Serbia i ka me shtetet fqinje, të cilat, edhe pse kanë burim dhe origjinë të ndryshme, bashkohen rreth konkludimit që shteti serb, nuk ka objektivisht, marrëdhënie normale me shtetet që kanë dalë nga prishja e RSFJ-së, me përjashtim të Sllovenisë dhe deri diku të Maqedonisë së Veriut. Këtu mund të fillohet me Kroacinë. Hesapet historike në mes të Kroacisë dhe Serbisë janë ‘la’ në vitin 1995-të, pas zhvillimeve të njohura ushtarake (Operacioni ‘Oluja’), dhe diplomatike (Konferenca e Daytonit). Por, marrëdhëniet në mes të Kroacisë (ndryshe, shtet anëtar i Paktit NATO dhe i BE-së), dhe Serbisë, viteve të fundit kanë shënuar pikën më të ulët që prej vitit 1995 e këndej, mbi të gjitha për shkak të politikës zyrtare të Serbisë. Në rastin e Bosnjës dhe Hercegovinës, ky shtet, në vijim të një ‘Përbindëshi administrativ’ të krijuar në Dayton, është i krijuar të jetë shtet jonfunksional, teksa dihet se çfarë roli luan aty Entiteti serb (Republika Srpska), i cili pamundëson që të bëhen reformat e domosdoshme për ta transformuar Bosnjën dhe Hercegovinën në një shtet funksional. Nuk ka kurfarë dileme që mbajtja e Bosnjës dhe Hercegovinës në këtë gjendjen e sotme komatoze, ku gjithçka varet nga vota serbe, është interes jetik i Serbisë së sotme, e cila në këtë mënyrë siguron influencën e vet në këtë shtet fqi. Mali i Zi, deri në verën e vitit të kaluar, pati siguruar, në këtë harkun kohor 2006-2020 (për 14 vjet të plota), një stabilitet dhe qëndrueshmëri. Por, pas zgjedhjeve të gushtit të vitit të shkuar, kur partitë pro-serbe dhe pro-ruse arritën të sigurojnë një shumicë të brishtë parlamentare (prej vetëm një deputeti), ky shtet nisi të ballafaqohet me probleme të mëdha në komunikimin me Serbinë, të cilat përjetuan kulminacionin ditën e diel (5 shtator), me ngjarjet në Cetinë që lidhen me Kishën Ortodokse Serbe. Lidershipi i sotëm i Serbisë nuk fsheh objektivisht synimin e vet për ta kthyer Malin e Zi në një shtet satelit të vetin, pavarësia e të cilit (edhe pse e konfirmuar edhe me anëtarësimin e tij në Aleancën Veri-Atlantike), do të mbetej sa për sy e faqe (si thuhet), apo, edhe këtu, si në rastin e Bosnjës dhe Hercegovinës, nuk do të mund të vendosej për asgjë me rëndësi pa konfirmimin e vullnetit të faktorit serb (dhe të Serbisë). Sidoqoftë, këtu mund të thuhet me siguri të plotë që marrëdhëniet në mes të Malit të Zi dhe Serbisë janë më të këqijat që nga viti 1999, kur regjimi i Slobodan Miloševićit kishte bërë edhe plane ta invadojë Malin e Zi gjatë fushatës së Aleancës Veri-Atlantike për ndaljen e luftës në Kosovë. Më në fund, është shembulli i Kosovës, ku ndikimi i Serbisë, për shkak të përbërjes etnike të Republikës së Kosovës, nuk e ka atë shkallën e Bosnjës dhe Hercegovinës dhe Malit të Zi, por, mungesa e një Marrëveshjeje Ligjësisht Obligative në mes të Kosovës dhe Serbisë, ka ndikuar që Kosova të ballafaqohet me pengesa të shumta në sigurimin e qëndrueshmërisë afatgjatë ndërkombëtare, përmes anëtarësimit në OKB (OSBE, etj.), dhe qartësimit të rrugës për tu bërë pjesë përbërëse e familjes së Paktit NATO dhe të BE-së. Serbia pra, në përgjithësi, është burimi kryesor i tensioneve në këto anë të Ballkanit, tensione këto të cilat kanë marrë trajtën e një ‘Paqeje të ftohtë’ në këtë pjesë të Evropës, me mundësi madje edhe të përkeqësimit të rrezikshëm. Serbia dëshiron të mbajë peng jo vetëm Kosovën, por edhe Malin e Zi dhe Bosnjën dhe Hercegovinën, dhe përmes këtij ‘statusi’ të marrëdhënieve me këto tri shtete, të imponohet si faktor vendimtar në rajon, i cili duhet të përfitojë gjithqysh nga një BE, e cila, së paku në rrethanat e tanishme, nuk ka vullnet dhe gatishmëri për tu marrë sa dhe si duhet me këtë ‘Paqen e Ftohtë’ ballkanike të shkaktuar nga Beogradi. Serbia duhet t’i normalizojë marrëdhëniet jo vetëm me Kosovën, me të cilën dialogon në Bruksel, tash e gati 11 vjet. Ajo, realisht, duhet t’i normalizojë relacionet edhe me Kroacinë, me Bosnjën dhe Hercegovinën dhe me Malin e Zi. Në të kundërtën, Ballkani Perëndimorë edhe një kohë të gjatë do të mbetet vatër e problemeve të shumta politike dhe të sigurisë. *Klikoni KËTU për t´u bërë pjesë e kanalit zyrtar të Klan Kosovës në Viber. *Klikoni KËTU për ta shkarkuar aplikacionin e Klan Kosovës në Android, dhe KËTU për iOS.