13:37, 14 Prill 2020 Autor: Albena Reshitaj

Me datë 31 dhjetor 2019 autoritetet shëndetësore në Kinë njoftuan se kishin identifikuar një shpërthim të një pneumonie në qytetin Wuhan me simptoma që nuk përputheshin me ndonjë infeksion viral të njohur deri në atë kohë.

Ky njoftim ngriti shqetësimin brenda Organizatës Botërore të Shëndetësisë (OBSH) sepse bëhej fjalë për një virus të ri për të cilin dihej se ishte i lidhur me tregun lokal të kafshëve në Wuhan të Kinës por nuk dihej se si përhapet tek njerëzit.

Afërsisht një javë më vonë, më 9 janar të këtij viti autoritetet kineze konfirmuan se kanë identifikuar që shkaktari i këtyre pneumonive është një Coronavirus i ri që vjen nga e njëjta familje me atë të SARS dhe gjithashtu konfirmuan mundësinë që ai transmetohet midis njerëzve. Rreth një muaj më vonë saktësisht më 11 shkurt OBSH shpallë emrin e sëmundjes së këtyre pneumonive (apo të frymëmarrjes) Covid-19.

Rreth dy muaj pas shpërthimit të kësaj epidemia infeksioni prek pothuajse pjesën dërmuese të vendeve të botës dhe kjo përhapje kaq e shpejt e këtij virusi bëri që me 11 mars 2020 Organizata Botërore e Shëndetësisë të shpall shpërthimin e coronavirusit Pandemi me çka edhe ngrit alarmin ndaj këtij virusi dhe veprimet që duhet ndërmarrë. Me këtë që ceka më lartë dua të rikujtoj që brenda 71 dite nga shpërthimi në Kinë virusi përhapet po thuaj në shumicën e vendeve të botës.

Në Kosovë, vetëm 2 ditë pasi OBSH shpall infeksionin me covid19 Pandemi, regjistrohen edhe rastet e para të prekura nga ky virus, raste këto që kishin ardhur nga vendet tashmë të prekura më këtë virus siç ishte edhe Italia. Përderisa Pandemia covid 19 po përhapej në çdo cep të botës, OBSH me shpejtësi nis lejimin e zhvillimit të testeve dhe fillimin për hulumtimin e vaksinës kundër covid 19, ku shpresojmë ta kemi së shpejti. Në anën tjetër qeveritë e vendeve tanimë të prekura të mobilizuara si rrallë here më parë po përballen në betejën me covid 19, në radhë të parë për të mbrojtur jetërat e njerëzve e për t’u siguruar atyre mirëqenie për të vazhduar tutje edhe në mbrojtjen e ekonomive të tyre.

Si vepruam ne dhe institucionet e vendit në parandalimin e kësaj pandemie?

Duke pas parasysh situatën emergjente në përhapjen e shpejt të coronavirusit në shumë shtete të botës e së fundmi edhe në disa shtete të Evropës, rreziku sa vinte e shtohej që edhe vendi ynë të përballej shpejt me këtë sëmundje ngjitëse.
Të ndodhur para kësaj situate dhe duke dashur që si përfaqësues të popullit të informohemi nga afër për veprimet e ndërmarra nga Qeveria e Kosovës përkatësisht Ministria e Shëndetësisë dhe institucionet tjera shëndetësore për përballje në rast të përhapjes së coronavirusit edhe në Kosovë por njëkohësisht edhe për të shprehur gatishmërinë që bashkërisht të luftojmë për mbrojtjen dhe kujdesin ndaj qytetarëve tanë pa dallim, si Komision Parlamentar për Shëndetësi dhe Mirëqenie Sociale, të cilin e drejtoj në këtë legjislaturë, menjëherë pas konsitutimit, me 28 shkurt kemi ftuar në takim përgjegjësitë e institucioneve shëndetësore në vend, Ministrin e Shëndetësisë z. Arben Vitia , drejtorin e SHSKUK z. Bastri Sejdiu, drejtoreshën e Klinikes Infektive znj. Lindita Ajazi-Berisha dhe drejtorin e Institutit Kombëtar të Shëndetësisë Publike z. Naser Ramadani.

Nga ministri dhe drejtuesit tjerë të institucioneve shëndetësorë që ishin prezent në këtë takim ne u informuam se tashmë është krijuar një ekip i përbashkët i institucioneve shëndetësore publike dhe institucioneve tjera për të koordinuar veprimet në parandalimin dhe trajtimin e infeksionit me covid 19.

Në këtë takim na është thënë se institucionet shëndetësore publike kanë kapacitete laboratorike (teste ndaj covid 19) të mjaftueshme për diagnostikimin e atyre që mund të preken nga ky virus si dhe janë të furnizuar mirë me sasi dhe lloje të mjaftueshme të medikamenteve dhe materialeve në rast nevoje.

Nga data e mbajtjes së këtij takimi e deri në diagnostikimin e rastit të parë në Kosovë kaluan dy javë. Në funksion të monitorimit të punës të të gjitha institucioneve përgjegjëse shëndetësore dhe me qëllim të informimit nga afër me përgatitjet dhe masat e marra nga SHSKUK së bashku me anëtarët e tjerë të Komisionit për Shëndetësi dhe Mirëqenie Sociale, me 11 mars kemi vizituar SHSKUK dhe Barnatoren Qendrore. Nga aty kam bërë ftesë publike për rritje të vigjilencës dhe për masa konkrete në parandalimin e infeksionit me covid 19. Nga institucionet përgjegjëse ndër tjera kam kërkuar përkushtim profesional në parandalimin e përhapjes së këtij virusi, forcimin e masave mbrojtëse për personelin shëndetësor, ndërprerjen e procesit mësimor në të gjitha nivelet për një periudhë kohore si dhe masa të kontrollit mjekësor në aeroport dhe në të gjitha pikat kufitare.

Në ndërkohë në cilësinë e profesionistes mjekësore, por edhe kryetares së Komisionit Parlamentar për Shëndetësi dhe Mirëqenie Sociale publikisht i kam bërë ftesë Ministrit të Shëndetësisë që sa më parë zyrtarisht të ftoi për mobilizim të gjithë profesionistët mjekësorë në vend.

Duke pasur parasysh situatën se shumë Qendra Kryesore të Mjekësisë Familjare nëpër komuna ishin duke u ballafaquar me mungesë serioze të materialeve mjekësore si: dorëza, maska, mantela për një përdorim, rroba sanitare, dezinfektues, medikamente anti-inflamatore etj, materiale këto të cilat janë shumë të nevojëshme dhe të rëndësishme për jetën e kolegëve tanë pranë këtyre qendrave të Mjekësisë Familjare kam ftuar të gjithë kolegët e mi të cilët në stoqet e ordinancave private mjekësore e stomatologjike posedojnë materiale të tilla t’ua dhurojnë Qendrave Kryesore të Mjekësisë Familjare në komunat përkatëse .

Çështja duhet shtruar, a ishin institucionet shëndetësore mjaftueshëm të mobilizuar dhe të përgatitura për përballje në betejën me covid 19?

Mendoj se duke parë ecurinë dhe dinamikën e përhapjes së infeksionit në vendet tjera por edhe praktikat që kanë ndjekur shtetet, institucionet shëndetësore në vend kanë mund të jenë përgatitur më mirë, duke mësuar edhe nga gabimet e vendeve tjera të prekura më herët, sikur që ka mundur të menaxhohet akoma më mirë kjo situatë dhe jo sikur dje me masa edhe kundër kushtetuese me u mundu me mbulu dështimin në furnizim me kohë dhe në numër të testeve për covid 19.Më shumë këto vendime ad-hok dhe të pa analizuara mirë lënë përshtypjen e përdorimit të një situate kaq të ndieshme të shoqërisë për të shfryer inate politike dhe për t’u munduar të mbulohen gabime politike. Kjo eshtë e patolerueshme në këtë situate dramatike nëpër të cilën po kalon jo vetëm Kosova por i gjithë globi.

Ne jemi në dijeni se sistemi ynë shëndetësor i dal nga lufta e fundit ka pasur shumë sfida dhe se ka ende vështirësi në funksionimin e tij, ende nuk është i ndërtuar si sistem i mirëfilltë shëndetësor për të cilin kam folur dhe do të flas shumë. Nuk duhet harruar se ende nuk e kemi të instaluar Sistemin Informativ Shëndetësor (SISH) në vend dhe pa dyshim sot po të kishim funksional një sistem tillë sigurisht që situata do të menaxhohej më lehtë ngase informatat për sëmundjet paraprake të të prekurve do të na krijonin shumë lehtësira.

Në anën tjetër, jemi me fat sepse në sistemin tonë shëndetësor kemi shumë profesionistë të përkushtuar dhe shumë punëtor gjë që edhe dëshmuan dhe por dëshmojnë në këtë betejë me covid 19. Ndaj dua të shpreh mirënjohje dhe falënderim të veçantë të gjithë kolegëve të mi të fushës së shëndetësisë për punën e pa lodhur dhe përkushtimin e tyre në këtë betejë.

Tani në Kosovë kem hyrë në periudhën më të rëndësishme sa i përket pandemisë covid-19. Analizuar tërë periudhën kohore nga data 13 mars kur edhe është identifikuar rasti i parë me covid-19 e deri më sot kemi 377 të infektuar, 63 të shëruar ndërsa 8 të vdekur. Shikuar në esencë numrin e të infektuarve dhe nëse i krahasojmë me vendet e rajonit në bazë të përqindjes së popullatës nuk është numër i lartë i të prekurve që është shënuar deri më tani, shqetësues mbetet trendi në rritje i të infektuarve dhe fakti që numri i testeve të kryera në vendin tonë është më i ultë se në vendet tjera.

Ajo që deri më tani karakterizon të gjithë të infektuarit është se shumica prej tyre janë infektuar nga kontaktet me familjarët ose të afërmit e tyre, të cilët paraprakisht infeksionin e kanë marr si rezultat i qëndrimit jashtë vendit tonë, përkatësisht në vendet të cilat janë prekur paraprakisht me covid 19.

Fakti që periudha e inkubacionit për të prekurit me Covid-19 po variron nga pesë ditë në dy javë e në disa raste edhe më gjatë dhe kjo varësisht gjendjes shëndetësore por edhe imunitetit të të prekurve ka bërë çështjen e diagnostikimit të të prekurve një sfidë në vete për të gjitha institucionet shëndetësore jo vetëm tek ne, por në mbarë botën.

Nisur nga ky fakt, në vende të ndryshme të botës statistikat flasin që në shumë raste të prekurit nga covid -19 në testin e parë kanë dal negativ por pas një periudhe kohore (dy javë) të izolimit në testimin e dytë kanë rezultuar pozitiv, që nënkupton se me të drejtë masat e izolimit ka qenë të domosdoshme.

Bazuar në situatën në të cilën ndodhemi sa i përket sasisë së mostrave për testim ndaj Covid -19 dhe masat e izolimit 14 ditorë të ndërmarra nga institucionet e vendit ndaj të gjithë atyre si të infektuar të mundshëm, mbetet i pa qartë për të gjithë ne, protokolli i trajtimit, i cili është duke u aplikuar nga institucionet shëndetësore në vendin tonë.

Ne jemi në njohuri që masa e izolimit (karantinimit) 14 ditorë edhe pa bërë testin për Covid-19 po rekomandohet dhe po aplikohet ndaj të gjithë atyre që konsiderohen si të prekur nga ky virus. E kuptoj faktin që kjo është mëse e domosdoshme sikur që e kuptoj faktin se kjo po bëhet edhe në mungesë të mostrave të mjaftueshme për testim. Është obligim i institucioneve shëndetësore përgjegjëse, që të gjithë ata që kanë qëndruar e që do të qëndrojnë në izolime të tilla 14 ditore, t’i testojnë para se të largohen nga izolimi, ndryshe izolimi i tyre me të vërtet nuk ka asnjë kuptim.

Duke qenë në njohuri për kapacitet që posedon sistemi ynë shëndetësor dhe duke ditur se jemi në periudhën vendimtare sa i përket pandemisë, ne nuk duhet të ndalemi në luftimin dhe parandalimin e pandemisë covid-19. Në këto momente të rënda për qytetarët tanë institucionet e vendit më shumë se kurrë më parë duhet të fokusojnë tërë potencialin profesional e financiar në shërbim të mbrojtjes së jetës së njerëzve

Bazuar në gjithë këto që ceka më lartë, me qëllim të tejkalimit të periudhës dy javore si periudhë vendimtare në përhapjen e covid-19 në vendin tonë, institucionet përgjegjëse duhet të angazhohen fuqishëm për veprimet si në vijim:

• Zbatimi pa kompromis i të gjitha masave të parapara nga OBSH dhe IKSHP;

• Ndalimin e lëvizjes së qytetarëve pa nevojë,

• Të gjithë personat të cilët kanë qëndruar në karantinë, në asnjë mënyrë nuk duhet lënë karantinën pa u testuar;

• Numri i qytetarëve që duhet t’i nënshtrohen testimit në këtë periudhë duhet të rritet, pra të gjithë ata të cilët në një mënyrë kanë qenë të atakuar me personat e prekur me covid-19 apo që kanë frekuentuar ambientet në të cilat paraprakisht kanë pasur qasje duhet t’i nënshtrohen testit ndaj covid-19;

• Të gjitha ata që kanë pasur kontakt me personat e infektuar duhet të ri testohen pa varësisht se në testin e parë kanë dal negativ;

• Qeveria në detyrë, urgjentisht duhet të siguroj mostra të mjaftueshme të testeve ndaj Covid-19 si dhe duhet të siguroj që brenda institucioneve shëndetësore të kenë në dispozicion sa më shumë shtretër me respirator dhe staf profesional mjekësor në shërbim të secilit shtrat;

• Përveç hapësirës në SHSKUK, në periudhën në vazhdim duhet pasur në gatishmëri të plotë edhe një qendër tjetër spitalore brenda Kosovës në një qytet tjetër e cila do jetë në gjendje për të trajtuar të prekurit në rast të rritjes së numrit të të infektuarve;

• Duhet shtuar masat mbrojtëse ndaj personelit mjekësor në të gjitha nivelet ngase në shumicën e komunave ka pasur dhe ka mungesë esenciale të pajisjeve mbrojtëse dhe medikamenteve;

• Me qëllim të mos kemi shkëputje të hallkës së funksionimit të sistemit shëndetësor në ketë kohë kur pandemia Covid-19 po merr çdo ditë dimension të ri të qeveria në detyrë dhe Kryeministri në detyrë z. Kurti duhet që në vendimin për mbështetje financiare shtesë për punonjësit shëndetësor të përfshij tërë stafin profesional mjekësor dhe atë mbështesë jo mjekësor në të gjitha institucionet shëndetësore brenda vendit.

Pas tejkalimit të situatës me covid 19 ajo që i duhet vendit është hartimi i një plani për përgatitjet dhe veprimet që duhet ndërmerren në rast se situata me coronavirus rikthehet në vjeshtën e këtij viti dhe pranverën e vitit të ardhshëm.

Në përfundim të këtij shkrimi dua të shpreh ngushëllimet më të sinqerta të gjitha familjeve që kanë humbur të dashurit e tyre në këtë pandemi, ndërsa të gjithë atyre që janë prekur nga ky virus shërim sa më të shpejt. Sot ne jemi drejt pikut të situatës pandemike në vend dhe gjithë fokusi profesional e institucional duket te jetë në mbrojtje të jetës së qytetarëve.

(Autorja e shkrimit është kryetare e Komisionit parlamentar për Shëndetësi dhe Mirëqenie Sociale).

 

klankosova.tv

Lajme të tjera