Pajtimi për historinë si kusht për Pajtimin politik - Klan Kosova


Na ndiqni në:


Get it on Google Play Download on the App Store

Pajtimi për historinë si kusht për Pajtimin politik

123
string(12) "Blerim Shala" string(82) "https://klankosova.tv/wp-content/uploads/2017/05/Blerim-Shala-1-e1620736305698.jpg"
03.07.2021 10:15

Për pak ditë, apo, në mesin e korrikut, sërish do të kujtohet krimi i Srebrenicës, në Bosnjë dhe Hercegovinë.

Në datat 11-22 korrik të vitit 1995, në këto anë të luftës në Bosnjë dhe Hercegovinë, forcat ushtarake të Republika Srpska-s, të udhëhequr nga Gjenerali Ratko Mladić, dhe ato paraushtarake të Republikës së Serbisë, do t’i vrasin 8372 djemë dhe burra boshnjakë, të moshës prej 12 deri 77 vjet.

Mesatarisht pra, janë vrarë 761 veta në ditë. 31 në orë. Në çdo dy minuta, është vra një njeri.

Statistika të tmerrshme këto.

Ky krim i pashembullt në Evropën e pas Luftës së Dytë Botërore, siç do të kualifikohet prej atëherë e tutje, do të merr vulën finale të Gjenocidit, nga Tribunali i Hagës për krime lufte në ish-Jugosllavi  (ICTY, në vitin 2004), dhe nga Gjykata Ndërkombëtare e Drejtësisë  (ICJ, në vitin 2007).

Ajo vula politike ishte dhënë tashmë në verën dhe vjeshtën e vitit 1995, me ngjarjet që sollën paqen në këtë shtet, përmes Marrëveshjes së Daytonit  (nëntor, 1995).

Asgjë këtu të paqartë nuk ka.

Asgjë të paqartë, nuk ka as me krimet të cilat forcat ushtarake, para-ushtarake dhe policore të Ushtrisë së atëhershme të RFJ-së  (Jugosllavisë), dhe të Policisë së Serbisë, i kanë kryer në Kosovë që nga shkurti i vitit 1998  (fillimi i luftës në Kosovë), deri në qershorin e vitit 1999  (kur Kosova u çlirua).

Megjithatë, duket që tani, në korrikun e vitit 2021, pra, rrafsh 26 vjet pasiqë ndodhi Gjenocidi në Srebrenicë, dhe 22 vjet që nga imponimi i paqes në Kosovë, atmosfera mbizotëruese në politikën e Serbisë, karshi një historie të rëndë dhe tragjike në Kosovë dhe në Bosnjë e Hercegovinë, është më e keqe se kurrë që nga rrëzimi i regjimit të Slobodan Miloševićit, me 5 tetor të vitit 2000.

Reagimet në politikën serbe morën trajtat e shpërthimit të një vullkani emocionesh dhe gjykimesh përplotë akuza ndaj faktorit ndërkombëtarë, menjëherë pasiqë u shpall dënimi final  (me burgim të përjetshëm), i Kryekasapit të Srebrenicës, Gjeneralit Mladić.

Pastaj, erdhi në rend Mali i Zi, sepse Kuvendi i këtij shteti, me një shumicë votash miratoi një Rezolutë për Srebrenicën, e cila me një gjuhe krejtësisht të matur dhe të kujdesshme, shfaqte një ndëshkim politik të këtij Gjenocidi.

Ky Dokument i Kuvendit të Malit të Zi, i cili askund nuk bën fajësimin kolektiv të popullit serb, u mor si shkas për një përplasje të re, edhe më të madhe, në mes të politikës zyrtare të Serbisë dhe Malit të Zi.

Ndërsa këtë të premte, siç u mor vesh nga mediat, Kuvendi i Komunës së Srebrenicës, miratoi një Rezolute që i kundërvihet në mënyrë brutale politike kësaj Rezolutës së Kuvendit të Malit të Zi, sepse flet për krimet ndaj popullit serb në këtë komunë, gjatë gjithë Shekullit XX.

Për më shumë, autoritetet lokale të kësaj komune, e cila fatkeqësisht ka siguruar mbamendjen e përhershme në historinë e këtyre anëve të Evropës me krimin e Gjenocidit, i kanë rekomanduar edhe Kuvendit të Republika Srpska-s që edhe ai të miratojë një rezolutë të ngjashme.

Çfarëdo rrumbullakësimi i të gjitha këtyre ngjarjeve, çon tek një konkludim dëshpërues, nga ai pikëshikimi qytetërues, dhe gjithsesi të rrezikshëm, nga ai vrojtimi politik, për mënyrën se si interpretohet historia e re nga politika aktuale në Serbi, megjithëse kjo histori, siç u konstatua tashmë, ka marrë atë vulën finale politike, me ruajtjen e Bosnjës dhe Hercegovinës si shtet, me çlirimin e Kosovës, me krijimin e shtetit të Kosovës, me Verdiktet e Tribunalit të Hagës dhe me ato të Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë.

Në interpretimin dhe shpjegimin e historisë pra, politika e sotme zyrtare e Serbisë, është në konflikt me Kosovën, me Malin e Zi, me Kroacinë, me Bosnjën dhe Hercegovinën, por edhe me SHBA-në dhe BE-në.

Kjo politikë, realisht, është përplasur edhe me vlerat themelore të Qytetërimit Perëndimor.

Për më shumë, një politikë e kësisojt në shqyrtimin e historisë së njohur për të gjithë ne, objektivisht, bie ndesh edhe me synimet, e proklamuara zyrtarisht, prej elitës politike pushtetare në Serbi.

Serbia, sipas këtyre synimeve të kësaj elite politike të cilat janë publike tash e gati dhjetë vjet  (që prej se e ka marrë pushtetin në Serbi), dëshiron të bëjë Marrëveshjen për normalizimin e marrëdhënieve me Kosovën, pretendon të ketë fqinjësi të mirë me të gjitha shtetet përreth, ka ambicie të jetë shtet prijës kur bëhet fjalë për bashkëpunimet rajonale, më në fund, ia ka mësyrë të bëhet shtet anëtar i Bashkimit Evropian (sa më parë që është e mundur).

Nuk mund të ketë, objektivisht, bashkëjetesë në mes të këtyre qëllimeve politike të ditura botërisht dhe interpretimit të historisë së re, poashtu të ditur botërisht.

Politika dhe kompromisi koekzistojnë. Si në politikën e brendshme, ashtu edhe në atë ndërkombëtare. Kjo dihet. Ama nuk mund të ketë negociata, bisedime dhe kompromis në trajtimin e historisë, në shpjegimin e saj. Edhe kjo dihet.

Pajtimi për historinë e re të këtyre anëve të Evropës, është kusht pa të cilin nuk bën për të ndodhë ai pajtimi në mes të shteteve dhe kombeve.

Interpretimi i mbrapsht, i gabuar, i keq i historisë, nuk ka si të mos reflektohet pastaj edhe në raportet e tensionuara dhe problematike në mes shteteve dhe kombeve.

©klankosova.tv

lajme të ngjashme