Orientimet e natyrshme të Kosovës dhe të Serbisë - Klan Kosova


Na ndiqni në:


Get it on Google Play Download on the App Store

Orientimet e natyrshme të Kosovës dhe të Serbisë

123
string(12) "Blerim Shala" string(82) "https://klankosova.tv/wp-content/uploads/2017/05/Blerim-Shala-1-e1620736305698.jpg"
08.10.2022 09:39

Si për individin, ashtu edhe për familjen, për një kolektivitet të tërë, për një popull dhe për një shtet, më së miri është nëse disi natyrshëm merr vendimet e mëdha për veten, duke i sinkronizuar sa më mirë që është e mundur synimet e veta me rrethanat reale shoqërore dhe politike.

Këto synime duhet të jenë të kapshme dhe të arritshme, gjë që edhe më shumë shquan atë aftësinë e adaptimit e cila është spikatur si kryetipari i mbijetesës tek Charles Darwini.

E mira supreme në këtë kontekst është nëse qëllimet e këtilla i shkojnë për shtati rrjedhave të natyrshme të kohës, në të gjitha aspektet e mundshme.

Shembulli më i mirë i cili do të mund t’i konkretizonte këto qëndrime teorike, është ai që përkon me Luftën në Ukrainë, e cila nisi me agresionin e forcave ushtarake ruse, më 24 shkurt të këtij viti.

Për Kosovën, si për lidershipin e saj, ashtu edhe për të gjithë skenën politike të vendit, por edhe për të gjithë qytetarët e saj, ka qenë fare lehtë, natyrshëm pra, që të rreshtohet me të gjithat kah Perëndimi, kah SHBA-ja dhe BE-ja.

Nuk kemi të bëjmë këtu vetëm me përvojën e jashtëzakonshme historike të viteve të luftës në Kosovë (1998, 1999), kur SHBA-ja, Aleanca Veri-Atlantike dhe BE-ja, bënë krejt çka u dasht, çka ishte e nevojshme, që të shpëtohet një popull i tërë dhe që të çlirohet Kosova.

Orientimi pro-perëndimor i shqiptarëve të Kosovës, i politikanëve të tyre, i Lëvizjes politike për pavarësinë e Kosovës, u bë botërisht i njohur që nga vitet 1989, 1990.

Ky orientim ishte i kuptueshëm, i natyrshëm, kur dihet se çka pati nodhur krejt me shqiptarët e Kosovës prej vitit 1912 (ku Kosova u okupua nga Serbia), e deri në vitin 1999.

As çlirimi pra, dhe as pavarësimi i Kosovës, nuk do të mund të ndodhnin pa këtë lidhje të ri-vendosur në mes të Kosovës dhe Perëndimit.

Lidhjet e shqiptarëve të Kosovës me SHBA-në dhe me Perëndimin janë vendimtare për fatin e Kosovës, madje, për fatin e kombit shqiptar në përgjithësi.

Për Serbinë, për udhëheqësinë e saj të tashme, për gjithë skenën politike të këtij shteti, por edhe për gjithë popullin serb, siç po kuptohet gjithnjë e më shumë, është shumë vështirë, është panatyrshëm (disi), që kjo thyerje e madhe politike në Ukrainë, të kontribojë për një orientim të prerë kah Perëndimi dhe për një shkëputje nga Rusia e sotme e Vladimir Putinit.

Thuaja në çdo prononcim për media, në çdo fjali që e thekson lideri serb Aleksandar Vuçiq, tash e sa muaj, shfaqen frustrimet e Presidentit të Serbisë, të cilat reflektojnë ndjenjat dhe qëndrimet e shumicës dërrmuese të qytetarëve të Serbisë.

Në një udhëkryq të ri të madh politik dhe historik, të cilin e krijoi dhe e imponoi me dhunë Rusia e Vladimir Putinit, parimisht, nuk është fare vështirë të marrësh anë, apo, të dish kah duhet të shkosh.

E mira më e madhe e politikës së Putinit është që t’i heq të gjitha dilemat e mundshme, sepse është krejtësisht brutale dhe plotësisht e gabuar.

Megjithatë, ky nuk është rasti edhe me Serbinë dhe lidershipin e saj.

Për Serbinë, Rusia është aleat i natyrshëm, pa marrë parasyshë se kush është në krye të saj.

Raportet me Perëndimin, veçmas prej përfundimit të Luftës së Ftohtë (në vitet 1989-1991), e këndej, janë karakterizuar, në masë të madhe, me kundërshtime, me përplasje, me keqkuptime, si dhe me periudha të shkurtëra kohore të bashkëpunimit, edhe pse sidomos pas vitit 2000 e këndej (rënia e regjimit të Slobodan Millosheviqit), Serbia thuaja tërësisht varet nga pëkrahja politike dhe financiare e SHBA-së dhe e Bashkimit Evropian.

Më në fund, vet Vuçiq, i cili sivjet fitoi mandatin e dytë pesëvjeçar të Presidentit të shtetit, goxha shpesh ka përsëritur kohëve të fundit që për Serbinë nuk ka të ardhme tjetër pos anëtarësimit në BE, sa më parë që është e mundur.

Megjithatë, këtu shfaqet ai momenti kur konfrontohen e natyrshmja dhe panatyrshmja.

Kjo e para, e natyrshmja, është më e fortë se e dyta, edhe kur kjo (e dyta), sjell shumë më tepër përfitime për atë e përqafon ate.

Lidhja e Serbisë me Rusinë është aq e fortë dhe aq e thellë, saqë shkëputja e plotë prej saj, qoftë edhe në një afat kohor disavjeçarë, duket e pamundur, edhe pse diçka e tillë është interes jetik i Serbisë.

 

lajme të ngjashme