Nuk ka si të arsyetohet politika e BE-së ndaj Ballkanit Perëndimor 123 string(12) "Blerim Shala" string(82) "https://klankosova.tv/wp-content/uploads/2017/05/Blerim-Shala-1-e1620736305698.jpg" nga Blerim Shala 04.07.2022 15:33 04.07.2022 15:33 Vështirë që mund të gjindet një diplomat apo politikan perëndimor, i cili këto ditë do të jetë në gjende të ofrojë çfarëdo interpretimi, shpjegimi dhe justifikimi për qasjen e Bashkimit Evropian ndaj Ballkanit Perëndimor në përgjithësi, dhe për atë të BE-së ndaj Kosovës, kur bëhet fjalë për të drejtën e qytetarëve të saj për të udhëtuar pa viza drejt Evropës. Ndërsa BE-ja supozohet të jetë organizata që mbi të gjitha udhëhiqet nga një politikë racionale dhe të justifikueshme. Madje, prej vitit të kaluar, BE-ja ka si parim të vetin prijës edhe interesat e veta gjeo-politike në këto anë të Evropës. Më në fund, Oferta eventuale e BE-së për zgjerim, kah Ballkani Perëndimor, i cili, siç është thënë qindra herë deri tash, është një ishull i cili nga të gjitha anët rrethohet nga shtetet anëtare të BE-së dhe të Aleancës Veri-Atlantike, nuk do të nënkuptonte fare ndonjë tronditje për vendimmarrjen e BE-së. Nuk është rendi, këtë e dimë të gjithë, edhe këtu në Ballkanin Perëndimor, edhe në Bruksel, që WB6 (gjashtë shtetet e Ballkanit që e bëjnë këtë ishull mesatar politik dhe një xhuxh ekonomik), që integrimi i akëcilit shtet në BE të ndodhë deri në fund të kësaj decenie. Asnjë shqetësim real politik, ekonomik dhe të sigurisë, nuk paraqet, as në vitin 2030, as në vitin 2050, hyrja në BE e këtyre gjashtë shteteve. Pse atëherë ka mungesë vullneti, që nga viti 2019-të e këndej, që në BE të hartohet dhe të shpallet një Strategji për zgjerimin e BE-së me këto gjashtë shtetet e Ballkanit Perëndimor? Ku qëndron problemi? Çka mund të rrezikon tek e mbrama BE-ja, nëse analizohen pasojat politike dhe ekonomike të përfshirjes së Kosovës, Shqipërisë, Malit të Zi, Maqedonisë së Veriut, Bosnjës dhe Hercegovinës dhe Serbisë, në Bashkimin Evropian? Vitin e ardhshëm do të shënohet njëzet vjetori i Samitit të Selanikut të BE-së, ku u tha qartë që perspektiva e shteteve të Ballkanit Perëndimor është hyrja në BE. Nëse dikujt prej autorëve të Deklaratës së Samitit të Selanikut do të ju thuhej atëherë që njëzet vjet, apo edhe një çerek shekulli më pas, asnjë shtet i vetëm i kësaj ane gjeografike dhe politike të Evropës, nuk do të jetë pjesë e BE-së, ai me siguri do ta kthente mbrapsht këtë lajmëtar, duke i thënë që është krejtësisht i çmendur. Natyrisht, sot e kësaj dite qëndron logjike e procesit të integrimit të ndonjë shteti pretendues në BE. Kjo logjikë është detalizuar në Negociatat për hyrje në BE, të cilat shfaqin kapitujt e detalizuar të tyre, kriteret e të të cilëve duhet të jetësohen në mënyrën se si legalisht, politikisht dhe ekonomikisht funksionon një shtet, në mënyrë që ky shtet të kualifikohet për integrim në BE. Një shtet pra, duhet të bëhet Evropë në të gjita aspektet a dimensionet e mundshme, ashtu që ai të mbërrijë në Stacionin final të Brukselit. Kjo ndërmarrje si e tillë është paraparë të jetë dyanshëm e dobishme. Në njërën anë, secili shtet dhe elitat politike të tij, në këtë mënyrë motivohen t’i kryejnë të gjitha detyrat e shtëpisë, ta transformojnë veten, dhe të përgatiten për të qenë pjesë e BE-së. Në anën tjetër, BE-ja si e tillë, ka mekanizma të mjaftueshëm për të ndikuar në mënyrë substanciale në ndryshimet e shumëllojshme të një shtetit, të cilat do të kenë domethënien e përbrendësimit të vlerave politike, ekonomike, finaciare, qytetëruese (tek e mbrama), të Evropës. Me atë gjuhën klasike politike, kjo është supozuar të jetë një situatë ‘Win – Win’. Mirë për Evropën (për BE-në), mirë për një shtet që synon të hyjë në Evropë (në BE). Problemet evidente në vendimmarrjen e BE-së, nuk mund dhe nuk duhet të jenë ai elementi bllokues në BE për ta mbajtur peng, siç po ndodhë tash e tre vjet, idenë e zgjerimit të BEsë me shtetet e Ballkanit Perëndimor. Në fakt, nuk ka problem ekzistues, apo që mund të imagjinohet, në BE, që mund të shfrytëzohet prej BE-së për arsyetimin e kësaj politike ndaj Ballkanit Perëndimor. Çfarë po ndodhë në këto marrëdhëniet e BE-së me shtetet e Ballkanit Perëndimor është ajo skema apo situata më e keqe e mundshme, e ‘Lose – Lose’. Keq për BE-në. Keq për Ballkanit Perëndimor. Por faji dhe përgjegjësia për këtë situatë njeh ekskluzivitetin e Bashkimit Evropian. Jo të dikujt tjetër. *Klikoni KËTU për t´u bërë pjesë e kanalit zyrtar të Klan Kosovës në Viber. *Klikoni KËTU për ta shkarkuar aplikacionin e Klan Kosovës në Android, dhe KËTU për iOS.