Nuk ka normalizim universal 123 string(13) "Milica Andric" NULL nga Milica Andric 11.11.2018 14:00 11.11.2018 14:00 Me këtë kolumne do t’i përgjigjem shkrimit të Jetës. Jeta, Mendoj se përpjekjet tua për të përcaktuar çfarë do të thotë normalizimi për ne janë fisnike, por në fund të fundit janë të parëndësishme për të analizuar se çfarë po ndodh në nivel politik. Ti, si aktiviste, kultivon vlerat që janë plotësisht në përputhje me sensibilitetin tim dhe këto janë vlerat që i përfaqësoj edhe kur vetë merrem me aktivizëm. Megjithatë, këto vlera janë pak të dobishme në analizën e proceseve politike. Nëse vërejmë se udhëheqësve politikë nuk i përshtaten veshjet me të vërtetë moderne për të cilat na bindin që i veshin, të cilën shumë mirë e ke argumentuar në tekstin tënd dhe në të cilin nuk kam asgjë për të shtuar, e as për të kontestuar, atëherë ne nuk mund ta përdorim verbërisht këtë sistem të njëjtë vlerash në një përpjekje për të kuptuar motivet dhe synimet e tyre. Unë do të filloja nga teza të cilës i ke kushtuar shumë vëmendje dhe që unë e konsideroj si vendimtare në kuptimin e saktë të asaj që po ndodh aktualisht midis Beogradit dhe Prishtinës, e ky është fakti se interesat e serbëve të Kosovës nuk janë në fokus të Beogradit. Jo vetëm unë por edhe një numër i madh njerëzish që njoh do të pajtoheshin me ty se interesat e serbëve të Kosovës nuk janë në radar të qeverisë serbe. Veçanërisht interesat e komunitetit serb në veri nuk janë të rëndësishme për udhëheqjen serbe, pasi ata po i shesin pak nga pak, që nga viti 2013, kur interesi ynë më i madh – për t’u mos integruar në institucionet e Kosovës – u tradhtua. E ky interes u tradhtua me forcë dhe me zgjedhje të parregullta, siç e ke shpjeguar tashmë. Por interesat tona nuk janë vetëm levë për përfitime për qeverinë serbe. Me neve dhe të drejtat tona dhe sigurinë manipulon ashtu si qeveria e Kosovës edhe bashkësia ndërkombëtare, e cila, frikohet nga largimi ynë vetëm për shkak të pasojave që dështimi praktik i idesë së shoqërisë multietnike mund ta ketë në rajon. Kjo bëhet e qartë kur merr parasysh faktin se vetëm 5% e serbëve dhe joshqiptarëve të tjerë, që u larguan nga Kosova në vitin 1999 u kthyen, kur Agjencia e Kosovës për Verifikimin dhe Krahasimin e Pasurisë raporton se 96.86% ose 41.399 prona të uzurpuara i përkasin serbëve. Kur në protestat kundër serbëve të Gjakovës, një të ri të lindur në 1994, e godet guri në kokë sepse gjoja është kriminel lufte, e kur të kthyerit janë nën presion të vazhdueshëm për t’u larguar përsëri. Megjithatë, më e rëndësishme sesa konstatimi se “cilësia e jetës sonë dhe interesat tona nuk janë objekt i negociatave”, është përgjigja për pyetjen pse është kështu. Shpjegimi im është si vijon. Vuçiq nuk do të negociojë vetëm interesat dhe të drejtat e komunitetit serb në Kosovë në kuadër të marrëveshjes përfundimtare për normalizimin, sepse ai është i vetëdijshëm se çfarëdo marrëveshjeje e tillë fillimisht nuk do të zbatohet deri në fund e pastaj nuk do të zgjasë më shumë se disa vjet. Kjo është e qartë nga mënyra sesi fillimisht Pakoja e Ahtisaarit nuk është bartur plotësisht në legjislacionin e Kosovës, e pastaj kurrë nuk është respektuar plotësisht; është gjithashtu e qartë nga përpjekjet për të ndryshuar ligjin mbi trashëgiminë kulturore, si dhe përpjekjet për të shkelur ligjet për zonat e veçanta të mbrojtura, zbatimin jo të duhur të ligjit për përdorimin e gjuhëve, anashkalimin e “shumicës së dyfishtë” në zgjerimin e mandatit të FSK-së, dhe së fundi, moszbatimin e marrëveshjes për Asociacionin. Shoqëria kosovare nuk ka prag të tolerancës për të pranuar çfarëdo marrëveshjeje mbi të drejtat e serbëve, – që padyshim e dëshmojnë edhe rezultatet e anketës së KDI-së të cilën e përmende në përgjigjen e pyetjes sime nëse shoqëria kosovare do ta pranonte më lehtë krijimin e Asociacionit ose shkëmbimin e territoreve në këmbim të njohjes, – dhe për këtë arsye, për këtë temë do të diskutohet vetëm në mënyrë ceremoniale. Vuçiq, i cili në duart e tij mban njohjen e Kosovës, nuk do të shfrytëzojë këtë letër për një marrëveshje që ndoshta do të zbatohet dhe që ndoshta mund të jetë në fuqi për dhjetë vjet. Ai tashmë ka fshirë serbët nga numrat në Kosovë dhe me këtë lëvizje të vetme, të kalkuluar në mënyrë mizore, e vendosi veten në një pozitë ideale për negociata. Të gjitha argumentet për këtë, para bashkësisë ndërkombëtare, ia kanë dhënë institucionet e Kosovës me sjelljen e tyre ndaj komunitetit serb. Për këtë arsye, 7 vjet e 8 muaj pas fillimit të procesit në të cilin qe dashur të diskutohet për çështjet praktike dhe cilësinë e jetës së përditshme të qytetarëve, neve kemi ardhur në gjendjen për të shikuar të vërtetën zhveshur, e cila thotë se këto negociata megjithatë janë për territorin dhe menaxhimin e burimeve sepse mirëqenien e komunitetit askush nuk mund ta garantojë. Kjo sigurisht shkon kundër të gjitha vlerave të mia personale, por kjo nuk do ta ndryshojë situatën faktike. Kështu e shikoj atë çfarë po ndodh prapa skenave të atyre që dikur ishin negociatat në Bruksel dhe, pasi e thashë këtë, unë do t’i përgjigjem pyetjes tënde se çfarë është normalizimi për mua, edhe pse jam e vetëdijshme se kushtet për këtë nuk ekzistojnë. Për mua, normalizimi është respektim i plotë dhe i përpiktë i të gjitha të drejtave ekzistuese të komuniteteve joshumicë në Kosovë, kthimi i qëndrueshëm i të gjithë personave të zhvendosur dhe të cilët ende janë të interesuar për këtë akt, kthimi i të gjitha pasurive private të uzurpuara, autonomi e plotë e komunitetit serb në administrimin e institucioneve arsimore dhe institucionet shëndetësore, si dhe eksterritorialitet dhe respekt i plotë i autonomisë dhe pronës së Kishës Ortodokse Serbe në Kosovë. Natyrisht, nëse e gjithë kjo do të ndodhte në letër, vetëm mohimi i njohjes së pavarësisë do të garantonte se Kosova do t’i përmbahej marrëveshjes. Natyrisht këtë, pala e Kosovës nuk do ta pranonte sepse nuk ka kurrfarë interesi për Kosovën. Nga ana tjetër, arsye për të besuar se kjo do të respektohej pas njohjes potenciale nuk ka. Dhe kjo përsëri e kthen Serbinë në pozicionin fillestar të palës që nuk ka interes, prandaj e përsëris, të gjitha këto tema mund të jenë pjesë, por jo thelbi i marrëveshjes përfundimtare. Sa i përket vizitave të Vuçiqit dhe Thaçit në veri, por edhe dinamikës së tyre të ndërsjellë, unë gjërat i shoh shumë thjesht. Vuçiqi, siç e ke përshkruar saktë, me fjalimin e tij hibrid u mundua t’i drejtohet audiencës më të gjerë të mundshme, ky ishte një mesazh edhe për nacionalistët, edhe për patriotë, edhe për qytetarët, edhe për shqiptarët, edhe për serbët nga Kosova edhe për të huajt. Mesazhi i tij i shprehur në mënyra të ndryshme për disa audienca ishte se ai kishte çmimin e tij për marrëveshjen, dhe i mbetet të tjerëve të vendosin nëse do ta paguajnë. Në fakt, për herë të parë që nga viti 2008, duket se fitimi i njohjes nga Serbia është krejtësisht në duart e Kosovës. Publiku i Kosovës dhe kundërshtimi ndaj marrëveshjes së Vuçiqit dhe Thaçit, ironikisht, paraqet pengesën e fundit për arritjen e këtij qëllimi afatgjatë të politikës së jashtme të Kosovës. Vizitën e Thaçit e shoh si një përpjekje për të tërhequr vëmendjen nga protesta e opozitës që u organizua atë ditë në Prishtinë. Më pyete nëse e kisha përshëndetur: jo, nuk e përshëndeta Thaçin, nuk kam respekt për karakterin dhe veprat e tij. Ke thënë se konsideron se “marrëveshja paqësore” të cilën Thaçi dhe Vuçiq e shpallën në Austri është larg realitetit. Palët ende duken larg pikturës së Alpbach, – ke shkruar. Nuk pajtohem që marrëdhëniet midis Thaçit dhe Vuçiqit janë të dëmtuara. Synimet e tyre, sigurisht, hasin në pengesa të caktuara dhe kundërshtarë të fuqishëm, dhe kjo është arsyeja për shtyrjen e takimeve të shumta. Nga pikëpamja ime, Thaçi në veçanti është në telashe, sepse përveç kundërshtarëve të huaj ndaj idesë së demarkacionit ka edhe të brendshëm, gjë që nuk është problem për Vuçiqin. Shpresoj se me këtë në mënyrë të përmbledhur, por të qartë i jam përgjigjur pyetjeve tua, ndërsa këtu do t’i lë hapësirë ??vetes për të diskutuar atë që ishte edhe tema jonë primare, dhe të cilën e ke prekur edhe ti, pajtimin dhe ballafaqimin me të kaluarën. Atë çfarë nuk elaborova në adresimin tim të parë për ty janë dallime të vogla, por esenciale semantike midis fjalës “paqe” dhe “pajtim”. Përderisa ajo të cilën synojnë (me shpresë!) udhëheqësit politikë është “paqja” – këtu do ta definoja si mungesë të dhunës me minimumin e tolerancës sociale – “pajtimi” është një gjendje shumë më e ndërlikuar dhe sublime e marrëdhënieve ndëretnike, që është detyrë e shoqërisë civile dhe institucioneve arsimore. Vetëm nëse vijmë të pajtimi do të kemi garanci për paqe afatgjatë. Edhe pse do të ishte ideale që pajtimi, ballafaqimi, kërkim falja të vijnë para marrëveshjes së paqes, për fat të keq, konsideroj se kjo nuk është reale, jo në gjeneratën tonë. Këtë e them pikërisht për shkak të liderëve që kanë krijuar dy shoqëritë. Sado që të gjithë të jenë ngjethës, ata janë pasqyrë e shoqërive tona, të këqij tamam aq sa dy shoqëritë mund të durojnë, dhe është më se evidente, mund të durojmë shumë. Kjo gjithsesi nuk do të thotë se duhet ndërprerë përpjekjet për të ardhur te pajtimi, por nuk duhet t’i ngatërrojmë me veprimtarinë politike të ministrit të informimit të Millosheviqit, të njohur me gjuhën e nxitjes së urrejtjes dhe kolegut të tij, personit që ndërlidhin me krime kundër njerëzimit. Pra, për mua ekzistojnë dy procese të ndara të normalizimit, ai të cilin e udhëheqin liderët politikë për interesa politike, dhe ai të cilin duhet ta udhëheqë shoqëria civile dhe institucionet arsimore. Kjo e dyta është sfera e veprimit tënd dhe timit, por nuk mendoj se pa një kuptim të detajuar të levave të normalizimit politik, ne nuk mund të kontribuojmë në mënyrë adekuate në pajtim. Duke pasur parasysh se unë këtu kam parashtruar tezën se pengesa për normalizimin politik në anën kosovare është se shoqëria kosovare nuk ka prag të tolerancës për të pranuar çfarëdo marrëveshjeje lidhur me të drejtat e serbëve të Kosovës, arsyeja pse Vuçiq i ka braktisur interesat e komunitetit serb në procesin e negociatave, sipas teje, cila është pengesa më e madhe në qasjen e palës serbe në procesin e normalizimit politik. Natyrisht, nëse dëshiron të kontestosh tezën time për pengesën ndaj normalizimit politik nga pala kosovare, të gjitha kundërargumentet janë të mirëseardhura. Duke iu përgjigjur këtyre pyetjeve, shpresoj se do të arrijmë deri të një rekomandim se çka duhet të jetë qëllimi i të gjitha aktiviteteve që synojnë pajtimin. ——— Nga gjuha serbe tekstin e përktheu Bruno Neziraj *Klikoni KËTU për t´u bërë pjesë e kanalit zyrtar të Klan Kosovës në Viber. *Klikoni KËTU për ta shkarkuar aplikacionin e Klan Kosovës në Android, dhe KËTU për iOS.