Na ndiqni në:


Get it on Google Play Download on the App Store

Normalizimi i Marrëveshjeve

123
string(12) "Blerim Shala" string(82) "https://klankosova.tv/wp-content/uploads/2017/05/Blerim-Shala-1-e1620736305698.jpg"
nga Blerim Shala 15.11.2023 16:33
Blerim Shala

Në këtë historikun e negociatave/ bisedimeve në mes të Kosovës dhe Serbisë, të cilat sivjet kanë hyrë në vitin e 26-të të tyre (fillimi i mirëfilltë është shënuar në muajin maj të vitit 1998, kur Delegacioni i Serbisë u takua me atë të Kosovës, në selinë e LDK-së në Prishtinë), ka pasur gjithçka. Por, duket që prej marsit të këtij viti kemi një situatë të pashoq, e cila tutje mbetet e pakonstatuar prej atyre të cilët janë në krye të këtyre bisedimeve, që nga viti 2011 e tutje: Prej BE-së, që është lehtësues, ndërmjetësues, e së fundit, edhe arbitrues (me Draft-Statutin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe).

Janë, realisht, katër palë të përfshira në këtë ndërmarrje ndërkombëtare të procesit i cili në një të ardhme (të padefinuar), do të duhej të merrte trajtën e një normalizimi të plotë të marrëdhënieve në mes të Kosovës dhe Serbisë.

Pra, kemi palën kosovare, atë serbe, BE-në (ku mbi të gjitha shquhet roli i Gjermanisë dhe Francës), dhe SHBA-në.

Prej të gjithë këtyre, Prishtina, Brukseli dhe Washingtoni që nga muaji mars, kur në Ohër u dakordua përmbajtja e Aneksit të Ohrit (më parë, kishte ndodhë pajtimi, në Bruksel, i Marrëveshjes Themelore), kanë pohuar që këto Marrëveshje janë ligjërisht detyruese për Kosovën dhe Serbinë. Madje, të gjitha 27 shtetet anëtare të BE-së i kanë mbështetur edhe formalisht këto Akorde.

Megjithatë, që nga 19 marsi, apo menjëherë pas kthimit në Beograd nga Ohri, Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, ka mohuar që diçka e tillë njëmend ka ndodhur, apo, që ai ka detyrim të mirëfilltë ndaj këtyre dy Marrëveshjeve. Kjo nuk është parë në këtë procesin e dialogut të prirë nga BE-ja, që ka për synim atë normalizimin e raporteve të Kosovës dhe Serbisë.

Vuçiq nuk e ka bërë hesap (nëse mund të thuhet kështu), Marrëveshjen Themelore dhe as Aneksin e Ohrit, në tërësinë e tyre. Ai ka konstatuar atë ditë, dhe siç krenohet ditëve të fundit këtë ia ka përsëritur me 26 tetor në Bruksel edhe Presidentit të Francës, Kancelarit të Gjermanisë dhe Kryeministres së Italisë, që ai do të pranojë dhe do të zbatojë vetëm atë pjesë të këtyre Marrëveshjeve, të cilat i nënshtrohen Kushtetutës së Serbisë. Të gjitha ato pjesët e tjera që i kundërvihen Kushtetutës së Serbisë, ai nuk do t’i jetësojë.

Kështu del që për të, dhe duhet pranuar që Vuçiqi këtë e bën në mënyrë konsistente, ligjërisht detyruese është vetëm Kushtetuta e Serbisë, në tërësinë e saj, dhe assesi jo Marrëveshjet të cilat verbalisht i ka pranuar në dialogun me Kryeministrin e Kosovës, Albin Kurtin.

Për më shumë, nëse tashmë fjala ’normalizim’ është fjalëkalimi (passwordi), i gjithë këtij procesi ndërkombëtar, mund të konkludohet, pa bërë kurrëfarë gabimi, që Vuçiqi nuk i ka të normalizuara raportet e tij me këto Marrëveshje, e lëre më që është i gatshëm që të ecën binarëve të normalizimit të marrëdhënieve me Kosovën.

I gjithë ky rrëfim është aktualizuar edhe ditëve dhe javëve të fundit, që prej se Delegacioni i pesë diplomatëve perëndimor, i prirë nga Miroslav Lajçak, Emisari Special i BE-së për dialogun në mes të autoriteteve të Kosovës dhe Serbisë, solli Draft-Statutin e Asociacionit në Prishtinë dhe në Beograd.

Të njëjtat fjalë po përsëriten sërish, veçmas nga Brukseli dhe Washingtoni, kësaj here edhe si një përgjigje ndaj insistimit të Kryeministrit Kurti dhe të Qeverisë së Kosovës, që te tri këto Dokumente (Marrëveshja themelore, Aneksi i Ohrit dhe së fundit, Draft-Statuti i Asociacionit), do të duhej të nënshkruheshin prej Kryeministrit të Kosovës dhe Presidentit të Serbisë, për të garantuar zbatimin e tyre.

Edhe një herë, politikanë dhe diplomatë evropianë dhe amerikanë po nënvizojnë që kemi të bëjmë me Marrëveshje ligjërisht obligative, prandaj, nuk ka nevojë për nënshkrimin e tyre, apo, te dy palët, për bindjen e Brukselit dhe Washingtonit, duhet pa një pa dy t’i përvishen jetësimit të tyre.

Megjithatë, Presidenti i Serbisë Vuçiq nuk po tregon asnjë shenjë të vetme që edhe ky e ndanë këtë mendim. Për më shumë, tani edhe në vijim të fushatës për zgjedhjet e reja parlamentare në Serbi, të cilat do të mbahen me 17 dhjetor, ka kaluar në fazën e ’turbo deklaratave’ kundër Kosovës dhe gjithë këtij procesi.

Në këto rrethana, vështirë është të shpresohet që do të ketë kthesë në dialogun e Kosovës dhe Serbisë.

*Klikoni KËTU për t´u bërë pjesë e kanalit zyrtar të Klan Kosovës në Viber.

*Klikoni KËTU për ta shkarkuar aplikacionin e Klan Kosovës në Android, dhe KËTU për iOS.

lajme të ngjashme