Njohja graduale dhe ajo finale e Kosovës nga Serbia 123 string(12) "Blerim Shala" string(82) "https://klankosova.tv/wp-content/uploads/2017/05/Blerim-Shala-1-e1620736305698.jpg" nga Blerim Shala 21.12.2020 09:36 21.12.2020 09:36 Dialogu i Brukselit nuk mund të ketë kuptim tjetër pos atij që lidhet me arritjen, përmes Marrëveshjes Politike, të njohjes së ndërsjellë në mes të Kosovës dhe Serbisë. Këtë e di mirë edhe Presidenti i Serbisë. Bisedimet në mes të Kosovës dhe Serbisë në Bruksel po bëhen për njohjen reciproke në mes të dy shteteve. (qëndrimi i autoriteteve institucionale të Kosovës, në radhë të parë i Kryeministrit Avdullah Hotit, i cili përfaqëson Prishtinën zyrtare në këtë dialogun e ri-nisur në Bruksel në muajin korrik të këtij viti). Sa të jam unë President (i Serbisë, vër.ime), nuk do të ketë njohje të Kosovës (qëndrimi i ditëve të fundit i Presidentit të Serbisë, Aleksandar Vučić, i cili është në krye të Delegacionit të Serbisë në këto bisedime në gjashtë vitet e kaluara). Ky ‘dyluftimi’ i fundit publik dhe mediatik i Hotit dhe Vučić-it, pos që sërish konfirmon se sa larg janë aktualisht pozicionet e palës kosovare dhe asaj serbe në këtë dialog, të lehtësuar nga BE-ja, dhe të udhëhequr nga EUSR (Përfaqësuesi Special i BE-së), Miroslav Lajčak, në shikim të parë, të thuash, i jep fund fare kësaj ndërmarrjeje ndërkombëtare që ka për synim që autoritetet më të larta të Prishtinës dhe Beogradit ta nënshkruajnë Marrëveshjen Gjithpërfshirëse për normalizimin e marrëdhënieve në mes të Kosovës dhe Serbisë. Edhe ashtu kjo ndërmarrje e BE-së (e ndihmuar nga SHBA-ja), është në gjendje vendnumërimi që nga shtatori, kur u kuptua që nuk ka as lexim apo kuptim të njejtë të temës së Asociacionit/ Bashkësisë së komunave me shumicë serbe në Kosovës, nga ana e Prishtinës, Beogradit, por edhe Brukselit. Natyrisht, arsyeja tjetër reale e kësaj ngecjeje të sërishme në dialog, e cila vërteton që në këtë harkun kohor mars 2011 (kur filluan bisedimet e fundit, së pari në nivelin teknik, e pastaj, prej tetorit të vitit 2012 edhe në atë politik), dhjetor, 2020, ka pasë më pak periudha kur është zhvilluar dialogu se sa periudha kur është shënuar një vendnumërim evident, përkon me gjendjen aktuale në skenën politike të Kosovës. Nuk dihet, për shkaqe të njohura, që kanë të bëjnë me zgjedhjen e Presidentit të Kosovës, a do të ketë qëndrueshmëri afatmesme Qeveria e tanishme e Kosovës, apo për pak muaj, në Kosovë do të organizohen sërish zgjedhje të parakohshme parlamentare. Në këto rrethana, nuk ka ambient politik në Prishtinë që të ketë një angazhim të mirëfilltë dhe efektiv në procesin e Brukselit. Sidoqoftë, kjo përplasja publike politike e Hotit dhe Vučić-it për temën e njohjes së Kosovës (nga Serbia), e rishfaqi thelbin e këtyre bisedimeve. Realisht, është e paimagjinueshëm sendërtimi i atij synimin parimisht të përbashkët të Prishtinës, Beogradit, Brukselit, Washingtonit, Berlinit dhe Parisit, për një normalizim të mirëfilltë të marrëdhënieve në mes të Kosovës dhe Serbisë, nëse Marrëveshja ligjësisht obligative në mes të Kosovës dhe Serbisë, nuk do të ndërtohet mbi njohjen reciproke në mes të dy shteteve. Teksa ka pra një dakordim të gjërë rajonal dhe ndërkombëtarë për domosdoshmërinë e normalizimit të raporteve në mes të Kosovës dhe Serbisë, poashtu, ka një pajtim të plotë, publik (në rastin e Washingtonit, dihet se çfarë ka shkruar në Letrat e tij drejtuar Presidentëve të Kosovës dhe Serbisë, Hashim Thaçit dhe Aleksandar Vučić-it, Presidenti Amerikan Donald Trump), dhe konfidensial (të Brukselit, Berlinit dhe Parisit), që dialogu në mes të përfaqësuesve të Prishtinës dhe Beogradit si epilog të vetin duhet ta ketë njohjen e ndërsjellë. Zatën, Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vučić e di shumë mirë këtë fakt. Për dy vjet rresht, ai, në paraqitjet e tij publike, ka potencuar shpeshherë, që ’Nuk mund ta njoh Kosovën në kufijtë e sotëm’. Kjo deklaratë e tij, ka mundur të lexohet edhe si një shenjë e qartë fillestare, nga ana e tij, që tema e njohjes së Kosovës mund të trajtohet dhe të adresohet në bisedimet e Brukselit, por që Beogradi nuk do ta njeh Kosovën pa kushte, apo, pa marrë një kundërvlerë, e cila në këtë prononcimin e tij të mëparmë publik (të përsëritur shumë herë), duket që thërret për mundësinë e ndryshimit apo të korrigjimit të kufijve të Serbisë dhe Kosovës, nga ai prizmi apo pikëshikimi i tij. Dialogu nëntëvjeçar i Brukselit, ka ecur, hap pas hapi, kapitull pas kapitulli, në drejtim të këtij epilogu final të këtyre bisedimeve, të cilat edhe u autorizuan, nga Asambleja e Përgjithshme e OKB-së (në shtator të vitit 2010-të), pak kohë pasi ICJ (Gjykata Ndërkombëtare e Drejtësisë), në Hagë, konstatoi që akti i shpalljes së pavarësisë së Kosovës nga Kuvendi i Kosovës, me 17 shkurt të vitit 2008, nuk ka qenë në kundërshti me Ligjin/ të Drejtën Ndërkombëtare. Autoritetet e Serbisë kanë njohur faktin, pas Marrëveshjes së Parë të 19 prillit të vitit 2013-të, që Kushtetuta dhe ligjet e Kosovës shtrihen dhe vlejnë edhe në Veriun e Kosovës, gjë që nuk ka qenë rasti më parë, për pesë vjet të ekzistimit të shtetit të Kosovës. Aleksandar Vučić, atëbotë si Zëvëndës-Kryeministër i parë, kur vizitoi serbët në Veri të Kosovës, pati deklaruar qartë që qytetarët serbë të kësaj pjese të Kosovës, do të jetojnë sipas ligjeve të Kosovës, apo, duhet ta përfillin kornizën ligjore të Kosovës. Serbia si shtet ka nisur Bisedimet për hyrjen e Serbisë në BE, me një pajtim të qartë edhe formal, që ky proces njeh territorin e Serbisë pa Kosovë. Më pas, Beogradi zyrtar pati pranuar faktin që Kosova ka jurisdikcionin e vet të veçantë, i cili nuk ka të bëjë asgjë me atë të Serbisë.. Kjo u konfirmua në mënyrën më të qartë të mundshme në muaji janar të vitit 2018-të, kur atëherë Presidenti Vučić, qëndroi në Mitrovicën Veriore, pak ditë pas vrasjes së Oliver Ivanovićit, politikanit të shquar serb të Kosovës. Vučić theksoi në mënyrë kategorike që vetëm autoritetet kosovare kanë të drejtë të hetojnë se çfarë ka ndodhur atë ditë në Mitrovicë, apo, kush është autor i kësaj vrasjeje që pati tronditur Veriun e Kosovës. Tek e mbrama, edhe gjatë dy viteve të ’dialogut të brendshëm’ në Serbi, kushtuar finales së bisedimeve të Brukselit (në vitet 2017-2018), Aleksandar Vučić, thuaja në të gjitha paraqitjet e tij publike, ka nënvizuar që Kosova është humbur për Serbinë dhe që nuk mund të ketë kthim prapa, teksa për Serbinë ka rëndësi të madhe që të arrihet Marrëveshja me Kosovën, sepse ky është kusht për integrimin e Serbisë në BE. Megjithatë, Aleksandar Vučić gjithmonë ka përsëritur që nuk ka njohje pa kushte të Kosovës dhe po ashtu, asnjëherë nuk ka folur në mënyrë të qartë se për çfarë njohje bëhet fjalë në këtë rast. Deklaratat e ditëve të fundit të tij që ky si President nuk do ta njoh Kosovën, në radhë të parë mund të lexohen si blerje e kohës derisa të mos merret vesh, në muajtë e ardhshëm se cila do jetë qasja ndaj dialogut të Brukselit e Administratës së re amerikane të Presidentit Biden. Pastaj, Vučić ende është në pritje të shenjave të qarta të Parisit (mbi të gjitha), dhe të Berlinit, kur bëhet fjalë për afatin kohor kur Serbia mund të anëtarësohet në BE. Këtë vit BE-ja nuk e ka hapur anjë kapitull të ri në bisedimet me Beogradin, gjë që është reflektim edhe i problemeve të qarta të brendshme të Serbisë me nivelin e demokracisë dhe të sundimit të ligjit në këtë shtet. Ka pra shumë të panjohura në këto raportet e Beogradit dhe të Brukselit, edhe shumë të tjera që pritet të qartësohen në marrëdhëniet aktuale në mes të Prishtinës dhe Beogradit, të cilat vështirësojnë shumë një rrjedhë të pritur dhe të synuar këtë proces. Por, nuk ka dyshim që dialogu i Brukselit nuk mund të ketë kuptim apo domethënie tjetër pos asaj që lidhet me arritjen, përmes Marrëveshjes, të njohjes së ndërsjellë në mes të Kosovës dhe Serbisë. *Klikoni KËTU për t´u bërë pjesë e kanalit zyrtar të Klan Kosovës në Viber. *Klikoni KËTU për ta shkarkuar aplikacionin e Klan Kosovës në Android, dhe KËTU për iOS.