Një realitet i pakthyeshëm 123 string(12) "Blerim Shala" string(82) "https://klankosova.tv/wp-content/uploads/2017/05/Blerim-Shala-1-e1620736305698.jpg" nga Blerim Shala 20.08.2022 15:05 20.08.2022 15:05 Jemi në verën e vitit 2022, kur në Bruksel po vazhdojnë bisedimet në mes të përfaqësuesve të Kosovës dhe Serbisë. Synimi i këtij dialogu është arritja e Marrëveshjes Gjithpërfshirëse për normalizimin e marrëdhënieve në mes të Kosovës dhe Serbisë. Nuk mund të ketë integrim të Kosovës dhe të Serbisë në Bashkimin Evropian (kurdoqoftë që ai do të ndodhë), pa këtë Marrëveshje, pa normalizimin e raporteve të Kosovës dhe Serbisë, pa sigurimin e një fqinjësie të mirë në mes të këtyre dy shteteve. Për më shumë, nuk mund të ketë as stabilizim aftagjatë të kësaj ane të Evropës, të kualifikuar qëmoti si Ballkan Perëndimor, pa këtë Marrëveshje në mes të Kosovës dhe Serbisë. Sekush që i lexon këta rreshta, do të thotë (me të drejtë), që këto formulime janë të njohura për të gjithë ata që sadopak e dinë se pse po ndodhë dialogu i Brukselit, që nga pranvera e vitit 2011 e këndej. Megjithatë, kur të merren parasyshë sjellet, deklaratat, prononcimet, besa edhe emocionet dhe shpeshherë edhe mllefi i palës serbe në këtë proces (që mbi të gjitha personifikohet me Presidentin e Serbisë, Aleksandar Vuçiq), del që thuaja asgjë nga këto qëndrime të gjithënjohura, ka vlerë për Beogradin zyrtar. As Kosova, as SHBA-ja, as BE-ja dhe askush në Perëndim, mund të kthehet në vitet 1999, kur lufta përfundoi në Kosovë (dihet se si, me çlirimin e Kosovës), dhe as në vitin 2008, kur Kuvendi i Kosovës shpalli pavarësinë e Kosovës. Në ato vitet para se të nisnin negociatat e Vienës, (2006, 2007), të prira nga Presidenti Ahtisaari, Emisari Special i Sekretarit të Përgjithshëm të OKB-së, Kofi Annanit, Grupi i Kontaktit, në përbërje të të cilit ishin SHBA-ja, Britania e Madhe, Gjermania, Franca, Italia dhe Rusia, patën artikuluar qartë Parimet Prijëse të Procesit të definimit të statusit të Kosovës. Këto Parime dëshmonin që atëbotë Grupi i Kontaktit, me këtë përbërje, në të vërtetë kishin ushtruar një arbitrim ndërkombëtarë, i cili nuk lente tjetër derë për statusin e Kosovës, pos pavarësisë. Nëse përjashtohej kthimi i Kosovës në vitin 1999 (në raportet me Serbinë), bashkimi i Kosovës me ndonjë shtet fqi, ose edhe ndarja territoriale e Kosovës, çka mbetej, dhe çfarë edhe thoshte Presidenti Ahtisaari asokohe në Mbledhjet e tij me Grupin e Kontaktit, ishte krijimi i një shteti të ri në Evropë, në kufijtë e njohur nga Kushtetuta e Kosovës dhe e RSFJ-së e vitit 1974. Zatën, edhe Administrata Ndërkombëtare në Kosovës (UNMIK), me investimit e saj në demokratizimin e Kosovës, në krijimin e pushtetit qendror dhe lokal, me mundësimin e ekonomisë së tregut, me vendosjen e katalogut të veçantë të të drejtave të njeriu dhe atyre të komuniteteve, më në fund, me Planin e ‘Standardeve para statusit’ (në vitin 2002), dashtë e pa dashtë, me apo pa qëllim, e drejtonte Kosovën kah pavarësia. Negociatat e Vienës në këtë kontekst, thuaja kryekëput i dedikoheshin të drejtave të komunitetit serb në Kosovë, e jo statusit të Kosovës si të tillë. Një realitet i krijuar në terren, me paqen e imponuar në vitin 1999, dhe me demokratizimin e Kosovës në vitet e mëpasme, duhej, natyrshëm, të konkludohej me shpalljen e shtetit të Kosovës (fillimisht të mbikëqyrur ndërkombëtarisht), dhe me njohjen e tij nga shumë shtete të Botës. Ky është fakt i kryer, i cili mori madje edhe ‘vulën’ e ICJ-së (Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë), në Hagë, në muajin korrik të vitit 2010. Nuk ka sot kohë askush, jo vetëm këndejpari në Kosovë, po as në Perëndim, përfshirë këtu edhe vet BE-në, të merret me një qasje të mbrapshtë, problematike dhe thellësisht kundërthënëse të lidershipit të sotëm të Serbisë, e cila nuk dëshiron t’i merr parasysh të gjitha këto zhvillime historike në Kosovë dhe rreth saj, që nga vitet e luftës e tutje. Në Bruksel nuk ka bisedime për statusin e Kosovës, siç pretendon Presidenti serb Vuçiq, madje, edhe skena politike serbe në përgjithësi. Në Bruksel, në BE, siç po shihet me një përkrahje gjithnjë e më të dukshme të Administratës Amerikane të Presidentit Biden, synohet që i gjithë përqëndrimi i te dy palëve të jetë në sigurimin e një të ardhme evropiane për Kosovën dhe Serbinë, përmes të kësaj Marrëveshjeje Gjithpërfshirëse për normalizimin e marrëdhënieve në mes të këtyre dy shteteve. Askush nuk ka kohë për rishkrimin e historisë. Dhe as për ndryshimin e një realiteti të pakthyeshëm, çfarë është pavarësia e Kosovës.