Një ‘Letër’ si ‘Këmbanë Alarmi’ 123 string(12) "Blerim Shala" string(82) "https://klankosova.tv/wp-content/uploads/2017/05/Blerim-Shala-1-e1620736305698.jpg" nga Blerim Shala 17.04.2021 14:13 17.04.2021 14:13 Nuk mbet kush pa i ‘la duart’ prej Non-Paper-it i cili bëri bujë javës së fundit në Bruksel dhe në Ballkan. Kryeministri i Sllovenisë, Janez Janša, i cili sipas të gjitha gjasave është autor i tij, ka proceduar kohë më parë në heshtje me këtë Dokument/ Propozim në Zyren e Charles Michelit, Presidentit të Këshillit Evropian. E tëra kjo u ndërlidh me faktin që Sllovenia do të jetë Kryesuese e Bashkimit Evropian prej 1 korrikut të këtij viti. Tani kur dihet se cila është përmbajtja e tij (e bërë publike ditëve të shkuara), është e kuptueshme që nuk ishte rendi që ky Propozim të ri në heshtje, apo, të mos shkaktojë zhurmë dhe përplasje në të katër anët e Evropës, duke përfshirë këtu edhe këtë anën JugLindore të tij. Botimi i plotë i këtij Non-Paperi, u shoqërua shumëkund edhe me një hartë se si do të duhej të dukeshin kufijtë e shteteve të Ballkanit Perëndimor, poqëse do të jetësohej propozimi i Janšës, i cili përndryshe, është i vetmi politikan apo zyrtar që është aktiv sot e kësaj dite, e që ka qenë në detyrë edhe në vitet e nëntëdhjeta, kur u shpërbë ish-RSFJ. Në ato vite, përfshirë këtu edhe periudhën më kritike të pavarësimit të Republikës së Sllovenisë (në vitin 1991), Janša ka qenë Ministër i Mbrojtjes në Qeverinë e parë demokratike të Sllovenisë. Megjithatë, harta e botuar dallon goxha shumë prej Dokumentit të Janšës. Ta zëmë, në këtë Non-Paperin e tij, kufijtë e Kosovës, e cila i bashkohet Shqipërisë, qëndrojnë këta që janë sot, por Veriu i Kosovës fiton statusin e Tirolit të Jugut në Itali. Pastaj, Maqedonia e Veriut ruan tërësinë territoriale. Sidoqoftë, rrjedha historike dhe politike e Ballkanit është shumë e njohur për këdo që ka pak dije a përvojë me zhvillimet në këto anë të Evropës që nga gjysma e dytë e Shekullit XIX: Kur këndjepari niset të flitet për kufijtë dhe kur fillon botimi i hartave, nuk është larg dita kur mund të dëgjohen krismat e para dhe kur fushëbetejat do t’i përcjellin vijat e ndarjes etnike dhe të rrumbullakësimit të territoreve shtetërore. Për këtë shkak, nuk është për tu habitur me reagimet goxha të prera të zyrtarëve dhe politikanëve në Evropë dhe në rajon, të cilat detyruan edhe dy zyrtarët e përfolur të Sllovenisë, në lidhje me këtë Dokument dhe me këtë Propozim (jo vetëm Kryeministrin Janez Janša por edhe Presidentin, Borut Pahor), që të përgënjeshtrojnë çdo lidhje me këtë Non-Paper. Zatën, si Fusnotë e këtij Non-Paperi, qëndron formulimi sipas të të cilit pohohet që nëse nuk mund të garantohet ’procedura e heshtur’ e trajtimit të këtij Dokumenti, atëherë, ky Non-Paper do të mbetet i tillë (pra, Non-Paper), derisa të ketë zhvillime të tjera (politike dhe diplomatike). Në të vërtetë, autorët e tij, veçmas kur bëhet fjalë për Janez Janšën, që ka përvojë më shumë se tridhjetë vjeçare të marrjes me këto çështje, është dashtë ta dinë me kohë që një Propozim i kësisojt për përmbylljen finale e çështjes kombëtare shqiptare, serbe dhe kroate 2 (siç theksohet fare në fillim të tij), nuk ka gjasa të mbetet ’në heshtje’, që nga momenti kur do të mbërri në adresën e synuar, në këtë rast, tek Brukseli zyrtar. BE-ja e sotme, pos që e ka gojën plot deklarata të njohura për një ’Perspektivë evropiane’ për gjashtë shtetet e Ballkanit Perëndimor (Kosovën, Shqipërinë, Malin e Zi, Maqedoninë e Veriut, Serbinë dhe Bosnjen dhe Hercegovinën), nuk e ka ndërmend ta bëjë asnjë të vetmin hap në drejtim të zgjerimit të vet edhe në këto anë të Evropës, për shkaqe të njohura (refuzimi kategorik i Francës së Emmanuel Macronit, dhe i disa shteteve të tjera). Ruajtja e gjendjes Status Quo, që përbëhet pra prej Deklaratave të cilat bëjnë gjithnjë e më pak punë, prej Fondeve të përkrahjes financiare për këto shtete dhe prej Bllokimit efektiv të zgjerimit të BE-së deri në një të ardhme e cila mbetet e padefinuar, është politikë zyrtare e BE-së. Në këtë kontekst, s’do mend që Propozimi i Kryeministrit Janša, nuk ka pasë si të mirëpritet në BE prej askujt. Zatën, njëri prej Parimeve themelore të BE-së (dhe të SHBA-së), kur ndodhi erupsioni i problemeve etnike në ish-RSFJ, prej vitit 1991 e tutje, i cili ka qenë një Udhërrëfyes në adresimin politik, diplomatik e edhe ushtarak të tyre, ka qenë që kufijtë e brendshëm (të ish-njësive federale), dhe të të jashtëm (të RSFJ-së), nuk bën të ndryshohen. Ky Parim pati mbetur në fuqi edhe kur në vjeshtën e vitit 2005 mbërriti në Rend të ditës çështja e statusit të Kosovës, dhe atë përmes Parimeve Prijëse të Grupit të Kontaktit, të miratuara me 2 nëntor të atij viti, në Washington. Sidoqoftë, Kryeministri Janša, apo edhe asnjë politikan dhe diplomat tjetër i këtyre anëve të Evropës (teksa në rastin e Janšës bëhet fjalë për Kryeministrin e një shteti që është anëtar i Aleancës Veri-Atlantike dhe i BE-së), nuk do ta merrte guximin ta shkruante edhe një rresht të vetëm të kësaj natyre qoftë edhe në formë të një Non-Paperi, po t’i përmbahej BE-ja Agjendës së vet për zgjerimin me shtetet e Ballkanit Perëndimor, e cila madje, pak më shumë se tre vjet më parë, (në muajin shkurt të vitit 2018-të), pati marrë trajtën e një ’Strategjie të zgjerimit të BE-së’, të cilën e pati nënshkruar Jean-Claude Juncker, Presidentit të Komisionit Evropian. Kjo ’Strategji’ u braktis pak muaj pasi që zgjoi një valë evidente të shpresë dhe të optimizmit tek gjashtë shtetet e Ballkanit Perëndimor. Ky fakt është, në anën tjetër, një rrethanë vështirësuese kur bëhet fjalë për synimin e BE-së për të ndihmuar, në mënyrë thelbësore, arritjen e një Marrëveshjeje Gjithëpërfshirëse për normalizimin e marrëdhënieve në mes të Kosovës dhe Serbisë. Sidoqoftë, Non-Paperi i Janez Janšës, do të duhej të shërbente si një ’Këmbanë alarmi’ për BE-në që qasja e Brukselit zyrtar, sipas të së cilës këndejpari mund të ruhet Status Quo derisa në ndodhë këndellja e BE-së, nuk ka afat të gjatë përdorimit. Përkundrazi. Nëse nuk përfundon si duhet ky kallëzimi për Ballkanin Perëndimor (me hyrjen e të gjashtë shteteve të Ballkanit Perëndimor, mbase, në të njëjtën kohë, në BE), nuk do të jetë befasi nëse do të mëkëmben formulat dhe propozimet e këtilla për rivizatimin e kufijve të shteteve të kësaj pjese të Evropës.