Ngecja e urgjencës - Klan Kosova

Na ndiqni në:


Get it on Google Play Download on the App Store

Ngecja e urgjencës

123
string(12) "Blerim Shala" string(82) "https://klankosova.tv/wp-content/uploads/2017/05/Blerim-Shala-1-e1620736305698.jpg"
14/12/2021

Grupi i shtatë shteteve më të zhvilluara në Botë, që njihet me akronimin G-7, u mblodh këto ditë, me 11 dhe 12 dhjetor, në Liverpool të Britanisë së Madhe, në nivel të Ministrave të Punëve të Jashtme dhe të Ministrave të zhvillimit.

G-7, atëbotë në përbërje edhe me Federatën e Rusisë  (pra, kanë qenë tetë shtete), pati luajtur rolin vendimtar në epilogun e luftës në Kosovë, në pranverën e vitit 1999.

Me 6 maj të vitit 1999, në Takimin e G7 dhe Rusisë të mbajtur në Bon, u qartësuan kushtet për përfundimin e Fushatës ajrore të Aleancës Veri-Atlantike. Pra, të gjitha forcat ushtarake, para-ushtarake, policore të Serbisë, duhej të largoheshin nga Kosova. Një Forcë ndërkombëtare e sigurisë duhej të vendosej në Kosovë për ta garantuar paqen  (KFOR-i do të jetë kjo Forcë në bazë të Rezolutës 1244 të Këshillit të Sigurimit të OKB-së). Të gjithë shqiptarët e dëbuar nga regjimi i Slobodan Miloševićit do të kthehen në Kosovë. Do të krijohet një vetëqeverisje për Kosovën.

Një muaj pas miratimit të këtij Dokumenti të G-7 dhe Rusisë, do të ndodhë dorëzimi i shtetit të atëhershëm të RFJ-së  (Republikës Federative të Jugosllavisë), në krye me Miloševićin.

Kosova u çlirua në qershorin e atij viti dhe u bë shtet në vitin 2008.

Bota ka ndryshuar shumë në ndërkohë. Në të gjitha aspektet e mundshme.

Federata e Rusisë nuk është më pjesë e këtij Trupi shumë të rëndësishëm ndërkombëtarë.

Bisedimet e para për anëtarësimin e Rusisë në G-7 patën nisur në vitin 1994, teksa tre vjet më pas  (në vitin 1997), ajo të bëhet anëtare fuqiplote e këtij Forumi, megjithëse kur bëhet fjalë për gjendjen e saj ekonomike dhe financiare, ajo ishte shumë larg G-7-tës.

Rusia është përjashtuar nga G-7 në vitin 2014, pas zhvillimeve të njohura në Krime të Ukrainës (aneksimi), akt ky që asnjëherë nuk është njohur nga SHBA dhe Perëndimi.

Këto ditë gjendja në kufirin në mes të Rusisë dhe Ukrainës është më e tensionuar se kurrë që nga viti 2014-të, për shkak të kërcënimit nga një agresion i ri i forcave ushtarake ruse.

Sidoqoftë, në Deklaratën e G-7, nga Mbledhja e Liverpoolit, u fol edhe për Ballkanin Perëndimor, për Bosnjën dhe Hercegovinën dhe për dialogun në mes të Kosovës dhe Serbisë, sepse gjendja në këto anë të Evropës, paraqet sprovën e dytë më të madhe për BE-në, SHBA-në, Perëndimin në përgjithësi, pas asaj në mes të Ukrainës dhe Rusisë. Ndërsa emëruesi i përbashkët i te dy këtyre situatave është përplasja politike dhe diplomatike në mes të Perëndimit dhe Rusisë.

Në të gjitha deklaratat dhe komunikatat që njohin autorësinë e Perëndimit  (e SHBA-së, BE-së, G-7-tës), ku trajtohet kjo pjesë e Evropës, flitet në të njejtën mënyrë për zhvillimet në Ballkanin Perëndimor, në Bosnjë dhe Hercegovinë dhe në dialogun në mes të Kosovës dhe Serbisë.

Pika e parë është që Ballkani Perëndimor ka perspektivë evropiane, (edhe të anëtarësimit në BE të të gjitha gjashtë shteteve), dhe që stabiliteti dhe siguria e Ballkanit Perëndimor është interes jetik dhe strategjik i Perëndimit.

Pika e dytë konstaton shqetësimet në rritje e sipër për tendencat secesioniste të Republika Srpska-s në Bosnjë dhe Hercegovinë, të cilat madje mund të çojnë në shpërbërjen e këtij shteti.

Pika e tretë thërret autoritetet e Kosovës dhe Serbisë që të angazhohen në mënyrë konstruktive në dialogun e Brukselit dhe të arrijnë sa më parë që është e mundur Marrëveshjen Gjithpërfshirëse për normalizimin e marrëdhënieve.

Nuk ka kurfarë dyshimi që këto vlerësime  (të cilat janë përsëritur më shpesh se kurrë gjatë këtij viti, në vijim të përkeqësimit të sigurisë dhe të stabilitetit në këtë pjesë të Evropës), janë qind për qind të sakta.

Por, nëse krahasohet kjo Deklaratë e G-7-tës, me atë të majit të vitit 1999, me synim të ndaljes së luftës në Kosovë, kuptohet me të parën që tani, nuk ka Plan të qartë se si duhet të kthehen mbarë proceset në Bosnjë dhe Hercegovinë, në bisedimet në mes të Kosovës dhe Serbisë dhe në përgjithësi, në Ballkanin Perëndimor.

BE-ja ta zëmë, nuk është e gatshme të ofrojë një Kornizë kohore kur shtetet e WB6 do të mund të hyjnë në Bashkimin Evropian. Pa këtë afatizim kohor  (qoftë edhe në një të ardhme afatmesme), porositë dhe zotimet për perspektivë evropiane nuk kanë farë vlere të veçantë politike. Për më shumë, pa këtë afatizim, nuk mund të pritet fare që lidershipi i Serbisë me Aleksandar Vučićin në krye, do të ketë vullnet për ta bërë atë progresin në dialogun me udhëheqësinë e Kosovës, e lëre më të mbërrijë tek Marrëveshja Ligjërisht Obligative në mes të Kosovës dhe Serbisë. Një tjetër faktor vendimtar për ngecjen në dialogun e Kosovës dhe Serbisë, përkon me zgjedhjet presidenciale dhe parlamentare të cilat do të mbahen në Serbi në muajin prill të vitit të ardhshëm.

Në anën tjetër, Milorad Dodik, lideri i entitetit serb në Bosnjë dhe Hercegovinë, ka marrë drejtimin e përplasjes me SHBA-në dhe BE-në, dhe të ndarjes së Republika Srpska-s nga shteti i përbashkët.

Ai nuk do të ndalet dot vetëm me deklarata dhe komunikata të Perëndimit, pos tjerash, sepse ai ka mbështetjen e Serbisë dhe të Rusisë.

Ky duket të jetë Testi i parë dhe më urgjent i qasjes së Perëndimit në Ballkanin Perëndimor.

Adresimi dhe zgjidhja e tij, pa kurfarë dyshimi, do të krijonte rrethana më të volitshme në dialogun e Kosovës dhe Serbisë, i cili do të mund të lëvizte në drejtimin e duhur kur BE-ja do të përcaktohej për Afatin kohor të inkuadrimit të WB6 në Bashkimin Evropian.