Nëse s’ka vija të kuqe me Serbinë, s’do të ketë as me Shqipërinë 123 string(12) "Enver Hoxhaj" NULL nga Enver Hoxhaj 24.07.2018 13:03 24.07.2018 13:03 Hapja e pikës së përbashkët kufitare dhe doganore në Morinë në mes të Kosovës dhe Shqipërisë është ndër ngjarjet më të rëndësishme, meqë kjo është pika kufitare më e ngarkuar në kuptimin e lëvizjes së lirë të njerëzve dhe mallrave mes vendeve tona, por edhe në Ballkan. Vetëm në 24 orët e fundit kanë hyrë në Kosovë 24 mijë njerëz që mund të jenë edhe bashkatdhetarë tanë në Perëndim, por edhe qytetarë të Shqipërisë, si dhe 11 mijë turistë nga Kosova kanë kaluar në drejtim të Shqipërisë që në total mbledh rreth 35 mijë njerëz qarkullim brenda 24 orësh. U jemi mirënjohës policisë kufitare të Shqipërisë dhe Kosovës, si dhe doganave për punën e mirë, dhe presim nga ta që gjatë verës ta lehtësojnë në maksimuum lëvizjen e njerëzve në këtë pikë. Sikurse jemi krenarë me faktin që Doganat e Kosovës janë pjesë e Organizatës Botërore të Doganave, presim që Policia e Kosovës me anëtarësimin në Interpol do të bëhet pjesë e organizatës më të rëndësishme të sigurisë dhe bashkëpunimit policor. Mbështetja e Bashkimit Evropian për ta modernizuar dhe rivitalizuar këtë pikë kufitare me kabina të reja kontrolluese, sistem elektronik, ndërtesë administrative, flet për atë që kjo për ne nuk është veç një mbështetje financiare dhe teknike, por mbi të gjitha një mbështetje e rëndësishme politike. Këtë e them sepse shtetformimi dhe shtetndërtimi i Kosovës ka qenë produkt i dy faktorëve të rëndësishëm historikë dhe politikë. Së pari, i vullnetit të pathyeshëm politik të Kosovës për pavarësi, dhe së dyti, i mbështetjes së pakufishme të partnerëve tanë evropianë dhe amerikanë, si dhe të Shqipërisë në jetësimin e këtij projekti politik. Ngritja e Kosovës ka qenë, në fund të fundit, rezultat i ngritjes së Evropës, i fuqzimit dhe i zgjerimit të BE-së, por edhe i fuqizimit dhe zgjerimit të ndikimit amerikan në Ballkan, në Evropë dhe në botë. Dikush mund të mendojë sot se pikëpamjet e mia me këtë ngjarje të ceremonisë së rastit e tejkalojnë karakterin e ngjarjes. Por hapja e kësaj pike të përbashkët kufitare, Kosovë – Shqipëri, sot, më 24 korrik të vitit 2018, është një lloj rikthimi në histori. Dhe nuk flas për rikthim në historinë e para 30 vitesh, në kohën e shembjes së Jugosllavisë komuniste, apo para 100 vitesh, në kohën e shembjes së Perandorisë Osmane. Por, flas për rikthim në fazën kritike të shtetbërjes së Kosovës. Më 24 korrik të vitit 2006, gjatë negociatave në Vjenë, ka ndodhur takimi më i madh në mes të delegacioneve të Kosovës dhe Serbisë, nën udhëheqjen e Presidentit Ahtisaari, si i ngarkuar i posacëm i OKB-së për ta adresuar çështjen e statusit final. Para 12 vitesh ka pasur disa parime, disa parametra dhe disa vija të kuqe se si kemi arritë deri tek pavarësia. Por, po ashtu ka pasur, në këto 20-30 vitet e fundit të shpërbërjes Jugosllave dhe krijimit të shteteve të reja, nga Sllovenia, Kroacia, Bosnia, Maqedonia, Mali i Zi, dhe Kosova, të cilat e kanë formësuar shtetbërjen në këtë pjesë të Ballkanit Perëndimor. Kur sot, pas 12 vitesh, jemi në fazën e fundit të dialogut me Serbinë dhe ende kemi çështje të hapura me fqinjin tonë verior, duam që ky dialog, sa t’i shërbejë normalizimit të plotë në mes të të dy shteteve përmes njohjes së ndërsjellët dhe anëtarësimit të Kosovës në OKB, po aq edhe një pajtimi Kosovë-Serbi pas një konflikti të thellë më shumë se një shekullor. Por, nëse në këtë fazë të fundit, e cila duhet t’i shërbejë stabilitetit dhe sigurisë në rajon, dikush në Beograd dhe Bruksel mendon se sa i takon normalizimit në raport me Serbinë nuk duhet të ketë vija të kuqe, atëherë nëse këto vija të kuqe nuk vlejnë në raport me fqinjin tonë verior, nuk duhet të vlejnë as në raport me Shqipërinë. Kosova e pavarur është gurthemeli i fundit i paqës mes popujve në Ballkan, por edhe gurthemeli më i rëndësishëm për t’i ruajtur balancat etnik dhe nacional në hartën e Ballkanit. Sikurse Kosova shumetnike është projekt shtetëror jo vetëm për ta jetësuar vullnetin politik të shumicës, por për t’i ruajtur edhe balancat e brendshme mes grupeve etnike në Kosovë. Çdo ndryshim i karakterit të brendshëm të Kosovës në parim territorial, mund të prodhojë, si pasojë, një gravitet të ri të jashtëm rajonal. Fjalimi i Zëvendëskryeministrit të Kosovës, Enver Hoxhajt, në inaugurimin e pikës kufitare me Shqipërinë, në Morinë, ku mori pjesë edhe homologia e tij nga Shqipëria, Senida Mesi, si dhe dy shefat e misioneve të Bashkimit Evropian në Shqipëri dhe Kosovë. *Klikoni KËTU për t´u bërë pjesë e kanalit zyrtar të Klan Kosovës në Viber. *Klikoni KËTU për ta shkarkuar aplikacionin e Klan Kosovës në Android, dhe KËTU për iOS.