Nëntë rrathët dhe një film 123 string(12) "Blerim Shala" string(82) "https://klankosova.tv/wp-content/uploads/2017/05/Blerim-Shala-1-e1620736305698.jpg" nga Blerim Shala 23.05.2023 16:18 23.05.2023 16:18 Ky është një rast i vërtetë, i viteve të nëntëdhjeta, e jo një rrëfim ankedotik. Një profesor i njohur universitar, jurist me profesion, në ato vite e boton në të përditshmen e asaj kohe, gazetën ‘Bujku’, një letër të hapur të cilën ia adreson Kofi Annanit, Sekretarit të Përgjithshëm të OKB-së. Përmbajtja e letrës ishte e duhur, e qëlluar, me të gjitha detalet e nevojshme. Në tërësinë e saj, ajo kishte përmbledhur krimet e shumëllojshme të cilat në atë kohë i bënte në Kosovë regjimi i Serbisë së Slobodan Miloševićit. Por, kur dikush e pyeti profesorin se a e ka dërguar me postë, apo dhe me fax këtë letër në Zyren e Annanit në East Rever, në New York, ai u përgjigj: ‘Jo. Unë e kam bërë timen. E kam botuar ate në gazetë, në ”Bujk” ’. Bindja e profesorit, me gjasë, ishte që Annan nuk bën gjë tjetër pos në çdo mëngjes shfleton gazetat në gjuhën shqipe, që me njëqind pengesa botoheshin në Prishtinë. Si Kosovë, ne arritëm të bëhemi çështje për diskutim në kryeqendrat botërore, në vitet e nëntëdhjeta, falë aftësisë që fituam, si Lëvizje politike për pavarësinë e Kosovës, për ta çuar në Perëndim rrëfimin tonë, të vërtetën tonë, për okupimin e Kosovës dhe për të drejtën për të vendosur për fatin tonë si popull. Ne e kemi pasur gjithmonë kallëzimin për vete, për njeri-tjetrin, se çka kemi pësuar krejt në Kosovë, si shqiptarë, prej vjeshtë së vitit 1912, kur Serbia pushtoi Kosovën, e tutje. Por, ne nuk arrinim dot që këtë rrëfim tmerri ta bartim përtej kufijve të vendit. Këtë e bëmë vetëm në vitet e nëntëdhjeta. Një herë me gojë dhe me fjalë, pastaj me pushkë dhe me luftë. Rezultatet dihen. Si në çdo pranverë, edhe në këtë të vitit aktual, të gjithë ne po i përkujtojmë ngjarjet tragjike të luftës së vitit 1999. Të thuash nuk ka ditë në atë kalendarin e atij viti final të robërisë, ku nuk janë vrarë, në masakrat e veçanta, dhjetëra dhe qindra shqiptarë. Secila prej tyre është storie rrënqethëse sot e kësaj dite. Çdonjëra do të ishte e mjaftueshme, si argument, për ta dëshmuar synimin e pushtetit serb për t’ia shfarosur shqiptarët, për ta shkëputur një herë e përjetë lidhjen në mes të fatit të Kosovës dhe fatit të shqiptarëve. Njëra prej tyre u shënua këto ditë, ajo e burgut të Dubravës, ku prej 19 majit, të vitit 1999, e tutje, për disa ditë, u ekzekutuan 120 të burgosur shqiptarë, dhe u plagosën qindra të tjerë. Folën, në televizionet tona, ata të cilët atëherë fati i ndau nga vdekja në këtë burg. Është një tmerr i cili nuk kalon dot, nuk zbehet dot, pa marrë parasyshë që prej atëherë kanë kaluar 24 vite të plota. Megjithatë, ne, në këtë mënyrë, po i rrëfejmë njeri-tjetrit, se çka na ka ndodhë, si popull, në atë pranverën e para gati një çerek shekulli. Çfarë na duhet për Botën tash, për ta rikthyer disi vëmendjen e shumëkujt në Perëndim për atë çfarë kemi përjetuar asokohe, është një film i cili do t’i dedikohej masakrës së Dubravës. Nuk ka kurfarë dyshimi që tregimet individuale të atyre që dolën gjallë nga nëntë rrathët e Ferrit të Dubravës, do të mund të përmblidheshin në një skenar për një film tronditës. Shembuj se çka mund të bëhet në këtë aspekt ka sa të duash. Këtu mund ta përmendim vetëm njerin, për shkak që të gjithë ne e dimë se çfarë ka ndodhur në Srebrenicë, në muajin korrik të vitit 1995, kur forcat serbe vranë mbi shtatë mijë boshnjakë për disa ditë. Një çerek shekulli më pas, kur pakkush në Perëndim kujtonte këtë ngjarje, regjisorja e njohur boshnjake, Jasmila Žbanić, bëri filmin ‘Quoa Vadis Aida?’ (‘Ku po shkon Aida?’), i cili në mënyrë maestrale, shfaqë atë tmerrin e atyre ditëve në kampin e UNPROFOR-it në Srebrenicë, dhe luftën e qytetarëve boshnjakë për të shpëtuar nga vdekja. Filmi mori një mori shpërblimesh në shumë festivale prestigjoze filmike në Botë. Por, mbi të gjitha, ai, siç di me gjasë kështu vetëm një vepër madhore artistike, riktheu temën e një katastrofe politike, e cila ngjau në zemër të Evropës, në kulminacionin e fuqisë së SHBA-së dhe të Perëndimit. klankosova.tv