Në vend se të ishte kandidat për President, Isa Mustafa u bë kandidat për shkarkim - Klan Kosova


Na ndiqni në:


Get it on Google Play Download on the App Store

Në vend se të ishte kandidat për President, Isa Mustafa u bë kandidat për shkarkim

123
string(12) "Ardian Gjini" string(65) "https://klankosova.tv/wp-content/uploads/2017/11/Ardian-Gjini.jpg"
21.12.2015 08:50

Çfarëdo sistemi politik e ka opozitën. Madje edhe në sistemet sulltanike ose në diktatura komuniste opozita ka ekzistuar. Edhepse e ndaluar me ligj dhe e persekutuar burgjeve, ajo ka ekzistuar. Në çdo epokë dhe në çdo sistem kanë ekzistuar njerëz të cilët janë organizuar kundër sistemit apo kundër qeverisë, qoftë si guerrilje, qoftë si parti politike, qoftë si si disidencë intelektuale, qoftë si shoqëri civile e ndrydhur. Dhe gjithmonë, një ditë, në një mënyrë apo në një tjetër, opozita ka ardhur në pushtet. Vetëm dy gjëra themelore kanë qenë të ndryshme për opozitat në mbarë botën në rrugën e tyre drejt pushtetit; mënyra se si është arritur fitorja dhe koha që i është dashur për ta arritur atë. Që të dyja këto, në masë të madhe janë varur nga lloji i pushtetit që ekzistues.

Demokracia moderne është sistemi i parë dhe i vetëm politik që e ka legalizuar opozitën. Demokracia jo vetëm që e legalizon opozitën, ajo krijon edhe kushte të domosdoshme për rotacion të pushtetit, që esencialisht është kusht i domosdoshëm për ekzistencen e një sistemi stabil të qeverisjes së një shteti. Krijimi i kushteve për rotacion është shumë herë më i rëndësishëm në demokracitë e reja se sa në ato stabile dhe atë jo vetëm për t’i plotësuar ambiciet e opozitarëve dhe për t’u mbrojtur nga trazirat por aq më tepër, për ta ndërtuar besimin në sistemin demokratik.

Kosova që nga fillet e parlamentarizmit të vërtetë (2001) vetëm gjashtë vite ka pasur opozitë efektive në Kuvend. Pas zgjedhjeve të para parlamentare të vitit 2001 tri partitë politike (LDK, PDK, AAK)  e patën krijuar qeverinë e parë të pasluftës. Në atë periudhë qeverisëse nuk kishte opozitë fare. Pas zgjedhjeve parlamentare të vitit 2004, për herë të parë Kosova e fitoj një qeveri dhe një opozitë. LDK dhe AAK e krijuan qeverinë ndërsa PDK dhe Ora mbetën në opozitë dhe ishin efektive si në numra ashtu edhe në koncept. Pas zgjedhjeve të vjeshtës së vitit 2007, kur PDK për herë të parë i fitoi zgjedhjet, LDK refuzoi të ishte në opozitë dhe t’i printe asaj. Pavarësisht se në çfarë mënyre, me çfarë arsyetimi apo me ndihmën e kujt, PDK arriti që ta fuste në qeverinë e saj partinë e dytë më të madhe në vend. Partitë e atëhershme opozitare AAK, AKR dhe LDD nuk bënin numra të mjaftueshëm për të qenë opozitë efikase parlamentare dhe poashtu kishin shumë pak pika të përbashkëta opozitare. Ajo opozitë ishte opozitë efikase debatuese dhe asgjë më tepër. Me numrin e deputetëve që kishte në kuvend nuk mund ta pengonte asnjë politikë qeveritare.

Në këto rrethana,LDK e kishte ndihmuar PDK në konsolidimin e pushtetit dhe në ‘kapjen’ e sistemit dhe detyrimisht i kishte humbur gjasat që të sillej si opozitë dhe t’i fitonte zgjedhjet e ardhshme.

Pikërisht kështu ndodhi në zgjedhjete e vjeshtës së vitit 2010. PDK i fitoi zgjedhjet ndonëse përmes vjedhjes industriale dhe e krijoi qeverinë me AKR, të cilën e kishte pasur partner nën hije edhe gjatë qeverisjes 2007-2010. Gjatë kësaj periudhe sistemi qeverisës në Kosovë u ‘kap’ tërësisht nga politika dhe parapolitika e PDK. Por opozita ishte e konsoliduar. LDK, VV dhe AAK ishin opozitë efektive si në numra ashtu edhe në sjellje edhepse jo pa defekte. Ky ishte momenti i opozitës dhe ai parimisht u arrit. Gjatë asaj periudhe qeverisëse të tri partitë opozitare ishin deklaruar fuqishëm se PDK duhej të shkonte në opozitë dhe se në asnjë mënyrë nuk do të hynin në qeverisje me të. Pas zgjedhjeve të qershorit të vitit 2014, elektoralisht opozita fitoi bindshëm. Partitë opozitare, me premtimin e dërgimit të PDK në opozitë fituan dyfish më shumë vende në Kuvend se sa PDK dhe formuan koalicion qeverisës por ai dështoi.

Nëse ngjarjet politike prej vitit 2001 deri në 2010 janë të mjegulluara ose nuk mbahen mend fare nga një pjesë e mirë e elektoratit të Kosovës, ato prej Qershorit të vitit 2014 e deri sot janë shumë të freskëta dhe nuk duan spjegim kronologjik. Sidoqoftë, këto ngjarje do të mbahen mend dhe do të kenë efekt afatgjatë në politikën Kosovare. Insistimi i PDK për të mbetur në pushtet me çdo kusht, insistimi i LDK për të mos mbetur në opozitë me çdo kusht dhe ndërhyrja ndërkombëtare kanë bërë që kushtetutshmëria të lëndohet aq rëndë sa që do të duhen vite për t’u riparuar. Meqenëse partitë opozitare mbetën pa numra të mjaftueshëm për opozitarizëm normal parlamentar, ato zgjodhën rrugë tjera t’u bashkuar dhe për ta afirmuar pozicionin e tyre të përbashkët. Edhepse me shumë dallime ideologjike dhe funksionale, sa më shumë që kalon koha këto parti po afrohen gjithnjë e më tepër mes vete. Dhe mu koha dhe insistimi opozitarist do t’i bëjnë pashmangshëm fitues të ardhshëm. PDK e zgjodhi rrugën e padrejtë të mbetjes në pushtet dhe detyrimisht e bëri edhe më të dhimbshme rënien e vet nga pushteti. LDK ia pamundësoi vetes që në një të ardhme të parashikueshme t’i fitojë zgjedhjet ndërsa Isa Mustafa, në vend se të ishte kandidat i vetëm për President, në muajt e parë të vitit që po hyjmë do të jetë kandidat për shkarkim nga detyra e Kryeministrit.

Në Kosovë, ashtu sikur edhe në cilëndo demokraci tjetër, gjithmonë do të ketë opozitë. Nëse partia më e madhe opozitare refuzon të mbetet jashtë pushtetit atëherë do të lindin opozita tjera. Dhe gjithmonë, opozita e vërtetë një ditë vie në pushtet.

 

 

 

lajme të ngjashme