Në mes të luftës në Ukrainë, Evropa Lindore po bëhet edhe më e fuqishme 123 string(14) "Dimitar Bechev" string(62) "https://klankosova.tv/wp-content/uploads/2021/06/dimiiiiii.jpg" nga Dimitar Bechev 30.12.2022 11:30 30.12.2022 11:30 Bilanci i fuqisë në Bashkimin Evropian është duke u zhvendosur drejt lindjes. Përderisa viti 2022 po i afrohet fundit, lufta në Ukrainë vazhdon pandërprerë me tërbim. Presidenti rus Vladimir Putin e sheh atë që ai ende e quan një “operacion ushtarak special” si një garë për jetë a vdekje me Shtetet e Bashkuara dhe aleatët e saj në NATO. Perëndimi, nga ana e tij, e konsideron luftën si kërcënim për sigurinë e tij dhe peshën e vet e ka hedhur pas mbrojtjes së sovranitetit të Ukrainës. Por ka një problem të qenësishëm në paraqitjen e luftës si një përplasje mes SHBA-së dhe Rusisë. Ajo nënvlerëson shpirtin, qëndrueshmërinë dhe sakrificat e përditshme të ukrainasve për t’i rezistuar fqinjit të tyre të fuqishëm që është i vendosur për të rikrijuar një rend perandorak me qendër Moskën në të gjithë hapësirën post-sovjetike. Asnjë sasi ndihme ushtarake dhe financiare për Kievin nuk do të kishte qenë e mjaftueshme për të penguar ambicien e Kremlinit, po të mos kishte vendosmëri mes ukrainasve për të luftuar agresionin dhe revanshizmin. Se vendet dhe kombet e Evropës Lindore kanë përgjegjësi dhe janë më shumë se pengje në luftën për pushtet të lojtarëve më të mëdhenj është çështja kyçe nga kjo luftë dhe kjo shkon përtej shembullit të Ukrainës. Polonia është bërë një lojtare me më shumë ndikim se kurrë në mbrojtjen evropiane. Jo vetëm fakti se ajo është vend i vijës së parë të luftës që pranon shumë prej refugjatëve që vijnë nga Ukraina, mirëpo po ofron një rrugë tokësore për të furnizuar fqinjin e tij me armë dhe ndihma humanitare si dhe dërgon ndihmë nga xhepi i saj (më shumë se 3.5 miliardë dollarë deri tani). Polonia po rrit edhe shpenzimet e saj të mbrojtjes nga 2.2% të prodhimit të saj të brendshëm bruto në një rekord prej 3% të PBB-së në vitin 2023, një nga normat më të larta brenda NATO-s. Paratë do të shkojnë për modernizimin dhe zgjerimin e forcave të saj ushtarake dhe mund ta bëjnë ushtrinë polake një nga më të mëdhatë në kontinent. Varshava po blen tanke dhe obusë vetëlëvizës nga Koreja e Jugut në një marrëveshje me vlerë 5.76 miliardë dollarë si dhe do të blejë avionët më të fundit luftarakë F-35 nga SHBA-ja në vitet e ardhshme. Rasti i Polonisë nuk bën përjashtim pasi buxheti i mbrojtjes i Rumanisë do të arrijë në 2.5% të PBB-së vitin e ardhshëm, shumë më tepër se standardi i NATO-s prej 2%. Shtetet baltike – Letonia, Lituania dhe Estonia – do të arrijnë gjithashtu një objektiv për të shpenzuar 2.5% të PBB-së së tyre gjatë viteve të ardhshme. Vendet e krahut lindor në të vërtetë po riarmatosen në një shkallë të madhe, me sistemet e vjetra të prodhuara nga sovjetikët që transferohen në Ukrainë ose që janë hequr krejtësisht nga përdorimi. Gjithashtu, duhet të merret parasysh ndikimi i sapofituar që kanë evropianolindorët brenda BE-së dhe NATO-s. Për shumë vite, Polonia dhe shtetet baltike u cilësuan si skifterë shumë të ashpër ndaj Rusisë. Qasja e kujdesshme e Gjermanisë duke u mbështetur në nocionin se lidhjet e dendura tregtare do të krijonin interesa të përbashkëta me Moskën, mbizotëroi dhe u përqafua nga fuqitë e tjera të mëdha evropiane perëndimore, duke përfshirë Francën. Kështu ndodhi edhe pas aneksimit nga Rusia të Gadishullit të Krimesë të Ukrainës dhe fazës së parë të luftës në rajonin e Donbasit në vitin 2014-2015. Vëzhguesit e Evropës me siguri kujtojnë presidentin francez Emmanuel Macron duke brohoritur për Francën pranë Putinit gjatë finales së Kupës së Botës 2018 në Moskë. Në të njëjtën kohë, lufta ka fuqizuar “miqtë” e Putinit në Evropën Lindore. Ishte një mundësi e dërguar nga qielli për kryeministrin hungarez Viktor Orban për të ndryshuar vlerësimet e tij që tregonin rënie të përkrahjes dhe për të fituar rizgjedhjen për herë të tretë. Ai me mjeshtëri rriti dhe shfrytëzoi frikën e votuesve se vendi i tyre mund të tërhiqej në konflikt për të fituar votën gjatë muajit prill. Më vonë, Orbani arriti të përjashtohej nga embargoja e BE-së për naftën ruse që arrinte në Hungari përmes tubacionit “Druzhba” (Miqësia) përmes Bjellorusisë dhe Ukrainës. Ai përdori gjithashtu të drejtën e tij të vetos për një paketë ndihme prej 18 miliardë eurosh (19 miliardë dollarë) për Ukrainën, si mjet për të hequr ngrirjen e fondeve të BE-së që Brukseli e kishte kushtëzuar me zbatimin e reformave të sundimit të ligjit nga qeveria e tij. Ndërsa Hungaria me qëndrimin e saj pro-Kremlinit ka vepruar si një prishëse e përpjekjeve për të ndihmuar Ukrainën, ajo gjithashtu ka kontribuar në rritjen e centralizmit të Evropës Lindore në agjendën e Brukselit. Gjatë 10 muajve të fundit, BE-ja ka treguar një angazhim shumë më serioz ndaj kandidatëve aspirantë përgjatë kufirit të saj lindor. Budapesti mund të pretendojë të paktën një pjesë të meritave për këtë pasi njeriu në ulësen e shoferit të zgjerimit është komisioneri Oliver Varhelyi, një diplomat hungarez karriere (i cili, interesant, konsiderohet të jetë i afërt me Orbanin). Sigurisht, edhe shtetet tjera të Evropës Lindore kanë qenë mjaft aktive në këtë proces. Polonia, Rumania dhe vende të tjera në rajon kanë shtyrë fort që Ukraina dhe Moldavia t’i bashkohen Bashkimit Evropian. Atyre iu është dhënë statusi i kandidatit në qershor. Nën presidencën çeke të BE-së e cila filloi në korrik, Brukseli gjithashtu intensifikoi përpjekjet e angazhimit në Ballkanin Perëndimor. Në mesin e dhjetorit, Bosnja dhe Hercegovina u bë zyrtarisht kandidate, ndërsa Kosovës, më në fund, iu dha drita jeshile për liberalizimin e vizave, deri në fillim të vitit 2024. Sllovenia loboi fort për statusin e kandidatit të Bosnjës në veçanti, edhe pse Sarajeva nuk ka arritur të plotësojë shumë nga kushtet politike. Samiti i BE-Ballkani Perëndimor që u mbajt me 6 dhjetor në Tiranë tregoi gjithashtu përkushtimin e BE-së ndaj rajonit. Në mënyrë domethënëse, ishte hera e parë që lidershipi i BE-së mblidhej në një vend joanëtar. Gjatë samitit, krerët e BE-së dhe Ballkanit hartuan një rrugë përpara drejt një tregu të përbashkët rajonal. Brukseli u zotua të shpenzojë miliarda në ndërtimin e infrastrukturës ndërkufitare dhe “gjelbërimin” dhe “digjitalizimin” e ekonomive të Ballkanit. Gjithashtu, prezantoi një paketë prej 1 miliard eurosh për të ndihmuar anëtarët që nuk janë pjesë e BE në rajon të përballen me krizën energjetike të shkaktuar nga lufta në Ukrainë. Edhe pse zgjerimi i Ballkanit Perëndimor mbetet një hap i gjatë, Evropa Lindore po ecën përtej peshës së saj. Dhe nga të gjithë njerëzit, Putini sigurisht meriton njëfarë merite për këtë. Ai e ka shtyrë rajonin të mobilizohet politikisht dhe ushtarakisht për të shmangur agresionin e tij. Shefi i Kremlinit më me dëshirë do të fliste me Uashingtonin dhe ndoshta me Berlinin dhe Parisin për gjeopolitikën në Evropë, duke injoruar Varshavën, Bukureshtin dhe Talinin. Por, leksionet e tij janë pa dyshim të vjetërsuara. Shkrimi i publikuar fillimisht në “AlJazeera”, i përkthyer nga Klankosova.tv