Na ndiqni në:


Get it on Google Play Download on the App Store

Ne dhe Arkivat

123
string(15) "Shkëlzen Gashi" string(100) "https://klankosova.tv/wp-content/uploads/2021/09/241847464_133348822324825_4746971656851947210_n.png"
nga Shkëlzen Gashi 14.09.2021 21:37

Shoqërinë kosovare e karakterizon një mungesë e tmerrshme e kulturës arkivore. Ajo madje mungon jo vetëm në rrafshin institucional, por edhe në atë individual. Para disa muajsh një mik po më tregonte se kishte shkuar te oftamolgu për t’i ndërruar syzet dhe me vete e kishte marrë raportin me të dhënat e kontrollit të fundit, të bërë para dy vjetësh. I habitur, oftamologu i kishte thënë se nuk i kujtohej që përgjatë gjithë viteve të shërbimit ndonjë pacient t’ia kishte sjellë raportin paraprak.

Sido që të jetë, le t’i marrim si shembull udhëheqësit politikë të Kosovës që nga përfundimi i Luftës së Dytë Botërore: a posedojnë arkiva personalë të aktiviteteve vetjake politikanët kryesorë kosovarë të periudhës së komunizmit (1945-1990): Fadil Hoxha, Mahmut Bakalli, Azem Vllasi, e të tjerë? Jam i bindur që shumica dërrmuese nuk kanë arkiva fare, e nëse po, do t’i kenë të varfër e të pasistemuar. Këtu duhet përjashtuar Mahmut Bakalli, i cili la një arkiv personal jashtëzakonisht të pasur, ndonëse të pasistemuar mirëfilli.

E njëjta vlen edhe për kryepolitikanët kosovarë të viteve ’90 – Ibrahim Rugova, Adem Demaçi e të tjerë – dhe për ata të kohës së luftës e të pasluftës – Hashim Thaçi, Ramush Haradinaj, e të tjerë. Megjithatë, çdo rregull ka përjashtim dhe ndër politikanët e pasluftës duhet përjashtuar Albin Kurti, i cili ka një kulturë të hatashme arkivimi.

Gjëja më e tmerrshme – dhe ky është thelbi i këtij shkrimi – është përvetësimi i disa arkivave të institucioneve e organizatave të rëndësishme që funksionuan gjatë viteve ’90. Kështu, arkivi i Presidencës së Kosovës i viteve ’90, në vend se të ndodhet në Arkivin Shtetëror të Kosovës, është përvetësuar nga shefi i protokollit i këtij institucioni, i cili tashmë me ato materiale publikon libra e prodhon emisione. Ndërsa arkivi i Qeverisë së Republikës së Kosovës, në vend se në Arkivin Shtetëror të Kosovës, gjendet nëpër apartamentet, përkatësisht shtëpitë e udhëheqësve të kësaj qeverie. Po ashtu, askush nuk di ku ndodhen arkivat e organizatave të rëndësishme politike të viteve ’90, si LDK-ja, LPK-ja, LKÇK-ja, e të tjera. Personalisht, para disa viteve u angazhova t’i përmblidhja në një vend të gjithë numrat e të përmuajshmes ‘Çlirimi’, organit të LKÇK-së që u botua gjatë pothuajse gjithë viteve ’90.
Është shqetësuese se si shoqëri nuk e kemi tërë shtypin e kohës të arkivuar; ta zëmë, asnjë bibliotekë ose arkiv nuk i zotëron të gjithë numrat e gazetës ‘Rilindja’, të përditshmes së vetme përgjatë pothuajse gjithë gjysmës së dytë të shekullit të kaluar, as të gazetës së përditshme ‘Bujku’ të viteve ’90, e as të javoreve të kësaj periudhe, ‘Zëri’ e ‘Koha’.

Edhe arkivi i programit dyorësh satelitor që Televizioni Shqiptar në Tiranë gjatë viteve ’90 e transmetonte me mbështetje të Qeverisë së Kosovës në mërgim, është përvetësuar nga njëri prej spikerëve të këtij programi. Të njëjtin fat ndan edhe arkivi i Televizionit të Kosovës (që funksionoi gjatë gjithë kohës së luftës në territorin e Kosovës), i përvetësuar nga producenti, gazetari dhe kameramani i këtij institucioni.

Si pasojë e këtyre përvetësimeve, studiuesit, hulumtuesit, gazetarët, analistët, studentët, e madje edhe vetë qytetarët, e kanë të pamundshme t’u qasen këtyre arkivave.
Për fund, pajtohem plotësisht me Kryeministrin e Kosovës kur thotë se nuk humbim asgjë nga hapja e arkivave, sepse nuk kemi ç’të fshehim. Por, do të shtoja se nuk humbin asgjë, sepse nuk kemi arkiva fare. Siç më tha një mike këto ditë, këtu sa herë ndërrohen qeveritë, kryeministrat e ministrat e rinj i gjejnë zyrat krejt bosh.

*Klikoni KËTU për t´u bërë pjesë e kanalit zyrtar të Klan Kosovës në Viber.

*Klikoni KËTU për ta shkarkuar aplikacionin e Klan Kosovës në Android, dhe KËTU për iOS.

lajme të ngjashme