Na ndiqni në:


Get it on Google Play Download on the App Store

Në çdo të keqe gjendet edhe e mira

123
string(11) "Nora Bezera" string(57) "https://klankosova.tv/wp-content/uploads/2021/09/nora.jpg"
nga Nora Bezera 13.09.2021 13:33
Shpesh ulem dhe mendoj për qëllimin e jetës sime në Kosovë. Pse erdha në Prishtinë nga Beogradi dhe fillova një jetë të re këtu në çdo aspekt. Mendoj për gjithçka që kam kaluar në Beograd, si anëtare e pakicës kombëtare, dhe ka pasur momente të bukura dhe të shëmtuara. Atëherë kuptoj se në fakt jam në avantazh, sepse i kuptoj dhe bashkëndjej me njerëzit në Kosovë, me shqiptarët, sepse jam me origjinë shqiptare, dhe me të gjithë të tjerët, sepse dikur isha në pozitë të tyre, shkruan përkthyesja dhe lektorja Nora Bezera.

Unë besoj fuqishëm dhe e them këtë kudo, se shumëgjuhësia është pasuria e vërtetë e njerëzve që jetojnë në mjedise multikulturore, multietnike, siç është Kosova. Të kuptuarit e shqetësimeve dhe gëzimeve të dikujt mund të na afrojë me njëri-tjetrin, të krijojë lidhje mes nesh që do të jetë themeli i një ure të fortë që na lidh. Për shekuj me radhë shkatërruam gjithçka që na lidhte dhe ndërtuam paragjykime. Ka ardhur koha për të ndaluar së jetuari në të kaluarën dhe për t’i dhënë një shans një të ardhmeje më të ndritur.

Jam i bindur se marrëdhëniet në mes të komuniteteve në Kosovë nuk janë as gjysmë të këqija siç janë paraqitur në media. Dëshmi e një gjëje të tillë jam vet unë. Do të përpiqem t’ju paraqes këto marrëdhënie përmes disa, nga shumë, përvojave personale.

Duke udhëtuar, pothuajse çdo javë nga Prishtina në Beograd, dhe duke u kthyer, autobusi më duket si vend ideal për të takuar njerëz “të zakonshëm”. Aty ka njerëz të ndryshëm, shqiptarë, serbë, turq, romë, me një fjalë të gjithë, madje herë pas here ka disa amerikanë, spanjollë, rusë…

Gjëja e parë që më ra në sy ishte se si në të vërtetë shoferët në autobus e respektojnë dygjuhësinë e udhëtarëve të tyre dhe çdo njoftim e japin në shqip dhe serbisht. Kjo është diçka që udhëtarët e vlerësojnë dhe respektojnë shumë. Një gjë aq e vogël dhe e parëndësishme, siç është njoftimi se pauza zgjat 10 minuta, sjellë aq shumë mirënjohje dhe përshtypje e thellë.

Në autobus, dëgjon fatet e ndryshme, histori të ndryshme të jetës, të bukura dhe romantike, por edhe të vështira dhe të trishtueshme. Më duket se është në natyrën njerëzore, që për ndjenjat më të thella t’ua besojnë historinë njerëzve të huaj, udhëtarëve të rrugës 7-orëshë.

Në ato momente, atyre nuk u intereson aspak se çfarë jeni. Ata kanë nevojë që ta tregojnë historinë e tyre, ta ndajnë atë me dikë dhe të kuptohen. Disa prej tyre i takoj rregullisht, tashmë i njoh familjet e tyre, problemet që kanë me fëmijët, sëmundjet nga të cilat vuajnë prindërit e tyre… Më duket se njerëzit janë lodhur duke folur për politikën, për vendimet që duhen marrë, e janë të etur për të folur për jetën e përditshme, për problemet dhe gëzimet e jetës reale. Njerëzit shpesh më tregojnë, me krenari në sy, për diplomimin e fëmijëve të tyre, lindjet, dasmat. Më tregojnë me mall për ata që nuk janë më me ta ose jetojnë larg, për mënyrën se si shkojnë në Beograd për shkak të sëmundjes, se si shiu i shkatërroi kopshtet e tyre… Autobusi është një vend i mrekullueshëm, në 7 orë mëson kaq shumë urtësi dhe kaq shumë fate, vetëm nëse do të dëgjosh dhe kuptosh fjalët dhe shpirtin e bashkëbiseduesit. Më është kujtuar shumë herë, pse nuk mund ta krijojmë autobusin tonë brenda shoqërisë kosovare?

Unë e kuptoj punën e një përkthyesi si një kontribut në mirëkuptimin reciprok midis komuniteteve në Kosovë. Por shpresoj ta ndryshoj atë mision së shpejti në një mision edhe më sublim dhe fisnik, të mësuarit e gjuhës. Do të doja që njerëzit të fillojnë të mësojnë gjuhën e mjedisit të tyre, në mënyrë që të mos kenë nevojë për një përkthyes për të shprehur ndjenjat dhe nevojat e tyre. Por për momentin, kjo është dëshira ime, vetëm shkronja në letër. Brezat e rinj janë të gatshëm të krijojnë kontakte dhe të shoqërohen, por gjuha është shpesh një pengesë për këtë. Ata komunikojnë në anglisht, por shpesh edhe kjo është e pamundur. Prandaj, sapo të bëjnë një hap përpara në përmirësimin e marrëdhënieve, në shoqërimin jashtë komuniteteve të tyre, ata tërhiqen. Ky është një nga problemet me të cilat ballafaqohen të gjitha komunitetet në Kosovë. Nuk janë në gjendje ta bëjnë bisedën pa mbështetje dhe ndihmë, pa ndërmjetës, drejtpërdrejt dhe indirekt. Nga pikëpamja praktike, sot brezat janë të paaftë për të bërë një jetë të lirë jashtë komuniteteve të tyre të rrënjosura, dhe për shkak të asaj mungese lirie nuk janë të vetëdijshëm se sa shumë po humbasin dhe mbesin prapa. Duke mësuar gjuhët e njëri-tjetrit, dhe këtu e kam fjalën veçanërisht për gjuhën serbe dhe shqipe, na jepet mundësia të pasurojmë njohuritë tona dhe qenien tonë të brendshme duke thyer paragjykimet shekullore, duke njohur kulturat, traditat dhe historinë. Më besoni, këtë e di nga përvoja personale.

Pse të mësoni gjuhën e mjedisit? Duhet parë “fotografinë” më të gjerë… Sepse duke vepruar kështu, ju po kontribuoni drejtpërdrejt në realizimin e një prej të drejtave më të rëndësishme për komunitetet, dhe kjo është e drejta për të përdorur gjuhën. Është mjaft e sigurt se ekziston vullneti për të siguruar të drejtat, gjë që konfirmohet nga ligjet e miratuara mbi temën e të drejtave të komuniteteve jo shumicë. Të drejtat nuk garantohen vetëm me ligje, por edhe me aktin më të lartë juridik të vendit, Kushtetutën.

Unë do të përqendrohem në çështjen e së drejtës për të përdorur gjuhën, si një nga parimet më të rëndësishme të shoqërive demokratike, multietnike dhe multikulturore, duke mbajtur e ruajtur kulturën, traditën dhe historinë. Në parim, Kosova ka një kornizë shumë të mirë ligjore, e cila has në vështirësi në zbatim. Mendoj se këto vështirësi ndodhin sepse Kosova, derisa po krijohej legjislacioni, ishte mjaft ambicioze, por pak e vetëdijshme për atë që nënkuptojnë fjalët e shkruara në letër. Kështu, ligji përcakton që gjuha shqipe dhe ajo serbe janë zyrtare në nivel kombëtar, por është harruar fakti se për diçka të tillë, para së gjithash është e nevojshme të ketë personel profesional që do ta bëjë punën. Duke e ditur se ende nuk ka Departament të Gjuhës Serbe në Universitetin e Prishtinës (është planifikuar hapja e Departamentit të Studimeve Ballkanike), por edhe refuzimi i serbëve për të mësuar gjuhën shqipe, ndoshta nga frika e asimilimit, një hap kaq i rëndësishëm nuk është bërë ende, kështu që Kosova ka dështuar tashmë në hapin e parë – mungesa e stafit. Për të kapërcyer këtë sfidë dhe këtë pengesë, hapi më i rëndësishëm është sigurisht mësimi i gjuhës së mjedisit, duke futur mësimin në gjuhën shqipe ose serbe, si gjuhë zgjedhore ose gjuhë tjetër në shkollat ​​fillore dhe të mesme.

Gjuha na përcakton dhe identifikon si pjesëtarë të një populli, të një kulture dhe tradite, dhe kjo duhet të ushqehet dhe ruhet. Por gjuha është gjithashtu mjeti bazë i komunikimit mes njerëzve. Për të krijuar atë komunikim, marrëdhënie, ndërveprim, ne mësojmë gjuhë të huaja dhe pasurohemi me njohuri të reja. Kjo është arsyeja pse është e rëndësishme të “balancojmë”, të luftojmë për ruajtjen dhe edukimin e gjuhës sonë, sepse kështu ruajmë gjithçka që është thelbi ynë, por gjithashtu të mësojmë gjuhë të tjera dhe kështu të krijojmë ura të forta dhe të qëndrueshme mes nesh.

Një shembull tjetër i mirë, edhe pse në thelb një ngjarje tragjike, por shembull i mirë i prishjes së paragjykimeve, unitetit dhe grumbullimit, për shkak të një qëllimi më të lartë, ishte konferenca e organizuar dhe mbajtur nga mikesha ime e dashur Jelena, me temën e gazetarëve të vrarë e të rrëmbyer në Prishtinë. Edhe pse tema kryesore ishte e dhimbshme dhe e vështirë, prapë kisha një ndjenjë të mirë pas kësaj konference. Në mes të Prishtinës u mblodhën familjet e gazetarëve serbë dhe shqiptarë, të cilët, për fat të keq, nuk janë më mes nesh. Një ngjarje e vështirë, por në vete mbart madhështi. Sytë e tyre, teksa flisnin për më të dashurit e tyre, endeshin nëpër sallën e hotelit “Swiss Diamond” duke kërkuar mirëkuptim, mbështetje dhe forcë për të treguar historinë e tyre. Gjatë asaj ore nuk pati polemika se kush ishte serb e kush shqiptar, por u fol për humbje të tmerrshme të familjeve. Fati njerëzor duhet të jetë mbi të gjitha politikat.

Një shembull i përmirësimit të marrëdhënieve tona reciproke është edhe pandemia. Po, besojeni ose jo, një pandemi që goditi dhe tronditi gjithë botën. Pasi u lehtësuan masat, shkova për pushime në Shqipëri, ku vura re një numër të madh të turistëve serbë. Mund të them që më trimat erdhën në Shqipëri në vitin 2020, jo trimat që erdhën në Shqipëri në det, por trimat sepse u kthyen në Serbi me paragjykime të thyera, plot përshtypje të mira që sinqerisht i ndanë me të gjithë. Pikërisht për shkak të tyre, sot shoh që njerëzit shkojnë në det në Shqipëri plotësisht të lirë, pa paragjykime, frikë, të kënaqur me natyrën, dhe më e rëndësishmja me shpirtin dhe mikpritjen shqiptare. Kjo më bën të lumtur, atë hap të madh që bëmë së bashku gjatë pandemisë. Pandemia solli shumë probleme dhe shqetësime në të gjithë botën, ndërsa mua më duket se shqiptarët dhe serbët në të vërtetë i ndihmoi që të afrohen, të shkatërrojnë paragjykimet, të njihen me njëri-tjetrin. Jam krenare kur dëgjoj ose lexoj në rrjete sociale sesi dikush nga Serbia ndihej mirë gjatë qëndrimit të tij në Shqipëri, dhe zemra më mbushet edhe më shumë kur njerëzit magjepsen nga bukuritë e saj natyrore. Ky është një shembull tjetër i thellimit të përgjithshëm të marrëdhënieve midis serbëve dhe shqiptarëve.

Do të doja që ky trend i prishjes së paragjykimeve dhe afrimit të komuniteteve të vazhdonte edhe në Kosovë… Çdo ditë punoj në këtë drejtim. Përpiqem t’i sjell të rinjtë nga komunitete të ndryshme në kontakt, sepse bota mbështetet tek të rinjtë. Prandaj po shkruaj, duke shpresuar që këto tekste të arrijnë në trurin dhe zemrat e tyre. Kjo është arsyeja pse dua ta ndaj me ta dhe, përmes historive personale, të dërgoj një mesazh që të mos heqin dorë, sepse me angazhimin, vullnetin, energjinë e tyre,  po ndërtojnë një pasuri të tërë, si për veten ashtu edhe për komunitetet.

Dhe a duhet të na bashkojë gjithmonë vetëm tragjedia? Ndoshta vetëm atëherë e kuptojmë se nuk jemi aq keq. Ndoshta është një nxitje. Siç do thuhej në popull, “Në çdo të keqe ka diçka të mirë”.

Ndërtoni miqësi jetësore, prishni paragjykimet! Njihuni me njëri-tjetrin përmes gjuhës, traditës, historisë e kulturës dhe kështu vendosni një gur themel të fortë për një shoqëri të ardhshme të hapur dhe të sinqertë. Tregimet tuaja, nesër, le të jenë një inkurajim për brezat e rinj.

Teksti është shkruar në kuadër të nismës OPEN të financuar nga Fondacioni Kosovar për Shoqëri të Hapur (KFOS), dhe është kontribut i Qendrës për të Drejtat e Pakicave (CRMC). Pikëpamjet e shprehura këtu janë të autorit dhe nuk përfaqësojnë domosdoshmërisht pikëpamjet e KFOS-it.

(Botuar në Radiokim, përkthyer nga Klankosova.tv)

*Klikoni KËTU për t´u bërë pjesë e kanalit zyrtar të Klan Kosovës në Viber.

*Klikoni KËTU për ta shkarkuar aplikacionin e Klan Kosovës në Android, dhe KËTU për iOS.

lajme të ngjashme