Na ndiqni në:


Get it on Google Play Download on the App Store

Ndodhja permanente e historisë 

123
string(12) "Blerim Shala" string(82) "https://klankosova.tv/wp-content/uploads/2017/05/Blerim-Shala-1-e1620736305698.jpg"
nga Blerim Shala 10.06.2021 10:04

Verditi i rikonfirmuar në Tribunalin e Hagës për krime lufte në ish-Jugosllavi (ICTY),  këtë të martë (8 qershor), për Gjeneralin Ratko Mladić, me burgim të përjetshëm për shkak  të krimit të gjenocidit dhe krimeve kundër njerëzimit, shkaktoi termet reagimesh dhe  erupsion emocionesh në thuaja katër anët e hapësirave të ish-shtetit të përbashkët (RSFJ-së). 

Për më shumë, e gjitha kjo nuk mund të krahasohet me vitin 2017-të, kur në shkallën e  parë, ish-Komandanti i Ushtrisë së Republika Srpska-s, mori të njejtin dënim kapital për  rolin e tij në luftën e Bosnjës dhe Hercegovinës. 

Atëbotë, kishte më pak reagime në Serbi dhe gjetiu në rajon. Tash, ndodhi një ‘inflacion’ i  tyre, në përmasat e papara qysh nga përfundimi i ‘Epokës’ së luftërave në këto anë.  Kaq sa për ‘Progresin’ që po shënohet në këto pjesë të Evropës kur bëhet fjalë për gjasat  që të ndodhë një pajtim i mirëfilltë politik dhe qytetërues në mes kombeve dhe shteteve. Tribunali i Hagës për krime lufte, ka synuar që ta mbyllë, me drejtësi, dhe me ndëshkim  gjyqësor, atë kapitullin më të errët të historisë së re të kësaj ane të Ballkanit.  Politikisht, zhbërja e ish-RSFJ-së, me një autorësi dhe përgjegjësi të qartë të Serbisë, ndikoi  në bërjen e shtatë shteteve të reja në Evropë: Sllovenisë, Kroacisë, Bosnjës dhe  Hercegovinës, Maqedonisë së Veriut, Malit të Zi, Serbisë dhe Kosovës.  ICTY, në anën tjetër, është dashtë të konfirmojë përgjegjësinë individuale për krimin e  gjenocidit, për krime kundër njerëzimit, dhe për krime lufte, të bëra në luftërat në territorin  e ish-RSFJ-së. 

Për më shumë, krimi i ndëshkuar, në një Tribunal ndërkombëtarë të këtij lloji, është dashtë  të shërbejë si një shembull që më të mos përsëriten tragjedi të kësisojta këtupari. Më në fund, është supozuar që ky Trubunal, me atë të vërtetën e zbardhur për të gjitha  tragjeditë e shkaktuara në vitet 1991-1999, do të shërbejë edhe su një lloj i katarzës kolektive për të gjithë, pas të së cilës do të jetë më lehtë të ndërtohet një e ardhme ndryshe,  e përbashkët madje (në kuadër të Bashkimit Evropian dhe Nismave të ndryshme rajonale),  e cila do ta shënojë atë shkëputjen finale nga një histori e rëndë dhe tragjike. Teksa ky dimensioni politik, i krijimit të shteteve të reja, është i pakthyeshëm, (ku secili  prej tyre kërkon ta gjejë rrugën e vet më të shkurtër për integrimin në BE), drejtësia e  ICTY-t, as përafërsisht nuk ka arritur të shërbejë si një shtytës a lëvizës i ndryshimeve të  përllogaritura dhe të paarritura të Perëndimit në këto anë të Evropës, midis tjerash sepse  Tribunali i Hagës, për shkaqe të njohura (të vdekjes së tij në qelinë e Burgut të  Scheveningenit), nuk arriti ta dënojë kryeautorin e krimeve të bëra në ish-Jugosllavi,  Presidentin e Serbisë dhe të RFJ-së, Slobodan Miloševićin. 

Përkundrazi. 

Kjo u pa, në mënyrën më brutale të mundshme, në dy ditët e kaluara, veçmas me mënyrën  se si lajmi për konfirmimin e Dënimit të Gjeneralit Mladić (i pritur përndryshe, nuk ishte  kurfarë befasie, për këtë shkak zatën mund të flitet për ‘Empcione të prodhuara sistematikisht dhe qëllimisht’ nga lidershipi aktual i Serbisë), u përcoll në skenën politike  dhe në opinion publik të Serbisë.  

Politika zyrtare e Serbisë mori mbi vete një ‘dënim a ndëshkim kolektiv’, për krimet e bëra  nga Mlladiq dhe Ushtria e tij në Bosnjë dhe Hercegovinë, me trajtën se si u shfaq në  opinionin vendor, dhe si u shpreh në atë politikën ndërkombëtare (përfshirë këtu edhe një  Seancë të Këshillit të Sigurimit të OKB-së).  

Në vend se ICTY t’i shërbejë drejtësisë dhe historisë, si dhe atij pajtimi në mes të kombeve,  dhe fqinjësisë së mirë në mes të shteteve të reja, të krijuara prej vitit 1991 deri në vitin  2008, në bazë të reagimeve të politikës dhe të shoqërisë serbe, po del që Dënimi i Mlladiqit  është ngjarje politike par excellence që ka të bëjë me të tashmen dhe me të ardhmen e  këtyre popujve dhe shteteve. 

Në anën tjetër, përkrahja e madhe që Serbia mori nga Federata e Rusisë në Sesionin e  Këshillit të Sigurimit të OKB-së, të mbajtur këtë të martë, dëshmon që ky Vendimi për  Mlladiqin, i kontribon edhe më shumë rreshtimeve gjeo-politike të cilat edhe ashtu po  ndodhin tash e gjashtë vjet në Ballkanin Perëndimor.  

Në përgjithësi, këto dy ditët e kaluara në politikën dhe në shoqërinë e Serbisë, dhanë lajme  të këqija, shumëkush mund të thotë, tashmë të ditura dhe të njohura, për rajonin,  Perëndimin në përgjithësi dhe Evropën (BE-në), në veçanti. 

Politika zyrtare e Serbisë nuk po arrinë dot që të shkëputet një herë e përgjithmonë nga një  histori e rëndë dhe tragjike e cila është shkaktuar thuaja kryekëput prej saj (të të kaluarën),  e këtu, rasti apo shembulli i Kosovës është më i njohuri, më i vërtetuari, më i dëshmuari. Vështirë është, apo, të thuash e pamundur që të ndërtohen raporte dhe marrëdhënie të reja,  jo vetëm midis Kosovës dhe Serbisë, por edhe midis popujve dhe shteteve të tjera të rajonit,  me një politikë të këtillë që kërkon të justifikojë dhe të arsyetojë edhe krimet të cilat  botërisht janë të njohura, dhe që i atribuohen Gjeneralit Mladić dhe Ushtrisë së tij. Po aq vështirë (në mos edhe e pamundur) është që me një politikë të tillë që mbretëron sot  në Serbi, të ndodhë ai finalizimi i ndërmarrjes së rrumbullakësimit të hartës politike,  ekonomike të BE-së, dhe të hartës gjeo-politike të Perëndimit, me zgjerimin e BE-së me  gjashtë shtetet e Ballkanit Perëndimor.

 

*Klikoni KËTU për t´u bërë pjesë e kanalit zyrtar të Klan Kosovës në Viber.

*Klikoni KËTU për ta shkarkuar aplikacionin e Klan Kosovës në Android, dhe KËTU për iOS.

lajme të ngjashme