Myslimanët evropianë në Evropë dhe Amerikë 123 string(14) "Erdoan Shipoli" NULL nga Erdoan Shipoli 23.09.2016 16:38 23.09.2016 16:38 Me trazirat në botën myslimane dhe terrorizmin global në rritje, ka shumë debate në lidhje me “Myslimanët Evropian”, “Myslimanët Amerikan” dhe “Myslimanët Perëndimor”. Këto diskutime vijnë si pasojë e presionit që ndjejnë myslimanët perëndimorë që të distancojnë veten nga terroristët, njëkohësisht edhe si një kategorizim i “myslimanëve të mirë” dhe “myslimanëve të këqij”. Sot behët fjalë për një “fiqh” (sistem ligjesh) islamik për t’u përgjigjur nevojave të myslimanëve në Amerikë dhe Evropë. Megjithatë si në Amerikë ashtu edhe nëpër Evropë, posa të përmendet një mysliman, zakonisht asociohet me refugjatët e Lindjes së Mesme, Azisë Jugore apo të Afrikës Veriore. Në Amerikë, më shumë se në Evropë, myslimanët e konvertuar kanë filluar që të jenë pjesë e këtij përfaqësimi. Por, a janë këto të vetmet komunitete myslimane? Le të fillojmë me Evropën. Përderisa jemi duke tentuar që të krijojmë një “tip” të ri të myslimaneve, të cilëve iu referohemi si “euro-myslimane” dhe jemi duke u munduar që të ndërtojmë atë se çka u përshtatet atyre për të qenë mysliman në Evropë, jemi duke injoruar më shumë se 600 vite eksperiencë të islamit në Evropë. Nuk jam duke folur për Andaluzinë, të cilën gjithashtu kemi tendencë të injorojmë kur flasim për myslimanët evropian, por më shumë për Ballkanin Perëndimor, dhe eksperiencën e tyre si mysliman dhe evropian. Përderisa flasim për Greqinë si djepi i Evropës dhe civilizimit evropian, ne injorojmë myslimanët në Greqi madje i përjashtojmë si pjesë e myslimanëve evropian. Ngjashëm me këtë edhe myslimanët në Bulgari rrallë herë përfshihen në kornizën e myslimanëve evropian. Myslimanet më të njohur në Ballkan janë boshnjakët, të cilët përbejnë gjysmën e popullsisë së Bosnjës dhe Hercegovinës, së bashku me minoritete në shtetet fqinje. Megjithatë, sot ata përmenden për temat si luftërat e viteve 90 dhe radikalizmi i ditëve të sotme. Popullata myslimane e Shqipërisë përbën 70% të totalit ndërsa në Kosovë 90%. Edhe pse shumica prej tyre nuk janë praktikues, islami ka influencuar kulturën shqiptare dhe është bërë pjesë e integruar e jetës së tyre fetare, si në Shqipëri ashtu edhe në Kosovë. Ngjashëm është situata edhe në Maqedoni ku më shumë se 40% e popullatës janë mysliman. Arsyeja pse po i vë në pah këto fakte është ngaqë këto regjione kanë integruar myslimanët dhe komunitete të religjioneve të tjera për shekuj me radhë; dhe po ka pasur probleme, mirëpo luftërat dhe këto probleme kanë pasur të bëjnë me regjimet autoritative e jo me demografinë fetare të popullatës. Ky regjion, myslimanët e Ballkanit respektivisht, duke qenë pjesë e Evropës është klasifikuar si euro-mysliman. Unë kam pasur vështirësi që të kuptoj konstruktin e identitetit të ri euro-mysliman, përderisa janë injoruar myslimanët evropian. Edhe pse myslimanët e Ballkanit kontribuojnë shumë në identitetin e euro-myslimanëve të vetmet herë kur këta përmenden janë ose për luftëra ose për akuzat e fundit të radikalizmit në rritje. Në qoftë se marrim ngritjen e radikalizmit si determinant në diskualifikimin e një komunitetit nga të qenit pjesë e myslimanëve evropian, atëherë myslimanët francez, gjerman e britanik do të duhej të diskualifikohen para atyre të Ballkanit. Kur flasim për myslimanet e Ballkanit, fokusi është tek kontributi në organizatat xhihadiste në regjion e jo tek kontributi shekullor i tolerancës ndër fetare. Edhe pse nëpër librat e historisë në shumicën e shteteve evropiane, shkruhet për konvertimin me forcë të popullit ballkanas në islam, ne shijojmë manastiret në Ballkan, të cilat janë ndërtuar para Perandorisë Otomane dhe kanë qëndruar gjatë 500 viteve të sundimit otoman. Për më tepër shumica e kishave të krishtera, të cilat janë në kujdesin e myslimanëve lokal, janë nga 200 deri në 400 vite të vjetra, që do të thotë janë ndërtuar gjatë sundimit të Perandorisë Otomane, ku udhëheqës ishin myslimanët lokal. Në Shqipëri, Kosovë dhe vende të banuara me shqiptarë, nuk ka ndasi ose diferenca religjioze. Liderët fetar shqiptarë mblidhen së bashku për të festuar festat e njëri-tjetrit dhe për të mbështetur punën e njeri-tjetrit për bashkëjetesë, tolerancë ndër fetare dhe dialog. Situatë e ngjashme është edhe në Amerikë, ku komunitetet e para myslimane që kanë migruar këtu janë nga Bosnja, Shqipëria etj… shumë kohë para migrimit të atyre që konsiderohen përfaqësues të komunitetit mysliman në Amerikë. Përmes një kërkimi të thjeshtë në Google mund të shihni që ishin myslimanët boshnjak që themeluan komunitetin e parë, Dzemijetul Hajrije Islamije, në Çikago, në vitin 1906, i cili është komuniteti mysliman më jetëgjatë i integruar në SHBA. Xhamia e parë e ndërtuar në SHBA, konsiderohet Ross Masjid, e themeluar nga myslimanët sirian në Dakotën e Veriut, ndërsa myslimanët shqiptarë ndërtuan xhaminë e tyre në Maine më 1915. Këta janë vetëm disa shembuj të kontributit të myslimanëve të Ballkanit në Evropë dhe Amerikë sa i përket islamit dhe prezencës së tyre në këto dy kontinente. Por ne injorojmë këto fakte kur flasim për euro-islamin apo identitetin amerikano-islamik. Kjo, besoj, që injoron një prezencë shumë të besueshme të islamit si pjesë e identitetit perëndimore. Myslimanët e Ballkanit janë po aq evropian sa grekët dhe francezët, dhe kanë qenë prezent në SHBA me shekuj. Iluzionistët thonë që ndonjëherë vendi më i mire është të fshihesh sheshit. Edhe pse myslimanët ballkanik nuk kanë qëllim për tu fshehur, ne kemi tendencë për t’i injoruar nga ajo çfarë shohim. Duke u munduar që të krijojmë një identitet të ri për myslimanët evropian dhe myslimanët amerikan, ne jemi duke injoruar myslimanet autokton të Evropës. Kjo kolumne është përkthyer nga klankosova.tv