Murali me çehre të Mlladiqit është turp në fytyrë të Serbisë - Klan Kosova


Na ndiqni në:


Get it on Google Play Download on the App Store

Murali me çehre të Mlladiqit është turp në fytyrë të Serbisë

123
string(19) "Biljana Srbljanoviq" string(67) "https://klankosova.tv/wp-content/uploads/2021/07/biljana-scaled.jpg"
17.11.2021 20:30

Autore: Biljana Srbljanoviq 

Bashkëshorti i im i parë është frëng, njeri që cilësitë personale dhe profesionale i ka pa asnjë cen, person për të cilin vlerat etike gjithmonë kanë qenë imperativ, dhe arsimimi, dituria, mençuria, e urtësia e të cilit më kanë mahnitur përherë.

Grindjet tona kanë qenë gjithmonë rreth politikës serbe, dhe vetëm rreth saj, sepse ai, pasi që kishte shërbyer gjatë një dekade në regjion, na i dinte të gjithë gabimet dhe të gjitha tragjeditë e vuajtjet gjer në hollësi, por megjithatë gjithmonë dhe pa rezervë anonte kah «ana serbe».

Mua kjo më shqetësonte gjer në atë masë, sa që ia nxora namin e çetnikut, nacionalistit serb, dhe kryearmikut tim politik. Ai frëng, dhe i atillë çfarë është, me dhjetëvitësha mik i Serbisë, gjithmonë anues kah «ana e jonë»—i cili shkruan me më pak gabime se unë në alfabetin kirilik dhe fol serbisht më mirë se të gjithë Karaxhorgjeviqët (që është lehtë) por edhe më drejt, sipas gjuhës letrare, se gjysma e personaliteteve të shquar të këtuhit—kishte bërë në një rast, në saje të rrethanave të fatit, negociata me Ratko Mlladiqin.

Këtë e kishte punë, nuk zgjedhte, se kishte bërë negociata edhe me Thaçin, e me Haradinajn, e me Millosheviqin, pra edhe me Koshtunicën.

Dhe kurrë, në kuptim të plotë të kësaj fjale, nuk kishte mbetur i zënë aq ngushtë, ashtu i shtangur, aq i tmerruar, sikurse mbas takimit me Ratko Mlladiqin. Si diplomat i përmbajtur, çfarë ka qenë gjithmonë, me fjalorth të zgjedhur më rrëfente se çka kishte parë. Goditjen dhe pështirosjen që e kishte përjetuar gjatë atij takimi nuk arriti ta fshihte kurrë. Më tregonte mbi birucën në të cilën e kishte takuar, por nga e cila Mlladiqi jepte urdhra, më folte mbi kutërbimin e duhanit dhe rakisë, mbi duhmën e ligësisë dhe vdekjes, mbi llumin e dehur dhe të armatosur gjer në dhëmbë, i cili e ruante Mladiqin, mbi vet Mlladiqin, si një njeri të paskrupull, pa moral elementar, me mërzi ma përshkruante atë kriminel dhe rrenc të luajtur mendësh, çiftin e të cilit nuk e kishte takuar as para, e as pas tij.

Bashkëshorti i im i parë, njeriu i cili, jo edhe gjithaq me vullnet, ia kishte siguruar Thaçit kalimin gjer te fluturimi për Rambuje, personi, këmba e të cilit e para shkeli në Reçak pas masakrit, frëngu i cili me sy të vetë i pa krimet në Kosovë, por edhe më tutje me bindje i donte serbët, ishte, si asnjëherë tjetër në jetë, i tmerruar nga ai takim me Ratko Mlladiqin, të cilin as vite më vonë nuk kishte arritur ta harronte.

Takimi me at rrenc të prishtë, të dehur, të palarë, që kundërmonte erë djerse, bulçifryer dhe të pamoral; me at personifikim të çdo të lige në botën ballkanike, e cila as më parë nuk pat qenë përrallore, i mbeti si diçka e papërshkrueshme.

Dhe e tëra kjo ishte para gjenocidit të Srebrenicës. Para gjenocidit të cilin ai e kishte komanduar.

Mlladiqi atij, si një dëshmitari neutral të historisë, iu kishte shfaqur si një fundrrirë njerëzore, si terri më i zi, si rrenc, qesegrabitës dhe mashtrues, si person që nuk vlen të quhet njeri.

Vetëm një ose dy vite më vonë, me krimet e tij në Potoçare, ai i vërtetoi këto fjalë përgjithmonë.

Njeriun e tillë, shkarravitjen e fytyrës së tij në mur të një rrokaqielli, e në shekullin XXI, dhe në qendër të qytetit, e ruan policia e jonë. Një kriminel të tillë, masa popullore vazhdon ta madhërojë.

Një e ligë e tillë, mezi në trajtë njerëzore, edhe sot, pa ndërprerje, prapë shkakton dhembje dhe vuajtje.

Ky çnjeri, i mbrojtur na zgërdhihet nga fasada në qendër të qytetit tonë. Në shqiptim të dënimit për prapësitë e tij, Ratko Mlladiqi erdhi i rruar dhe i kruar.

Kjo la mbresa, se ai me vite kishte ardhur në gjyq i palarë, kundërmues, dhe i lënë pas dore. Pas vetëm katërdhjetë minutash të leximit të dënimit, kërkoi pauzë për të shkuar në nevojtore. I kishte ardhur nevoja e vogël «gjeneralit», apo ndoshta edhe i kishte ardhur të villte gjersa e dëgjonte numërimin gjakftohtë të prapësive të cilat i kishte komanduar. E pastaj, si frikacak që kishte qenë përherë, kërkoi ta ndiqte nga dhoma e televizionit pjesën e mbetur të shqiptimit të dënimit. Që të mos kthehej në sallë të gjykimit, sepse, i gjorë çfarë është, iku nga ballafaqimi me ligësinë e vet. Dhe këtë ia lejuan, unë nuk di përse, duke e pranuar burracakërinë e tij me justifikim të mëshikëzës së dobët të urinës. Atë ditë megjithatë u dënua për më të mëdhenjtë nga krimet.

Dhe u përcoll për krahu, që të përmirret në gaviç të burgut gjer në ditën e vdekjes, dikund në ndonjë qeli, i poshtëruar dhe i përbuzur.

Murali me çehre të tij është turp në fytyrë të Serbisë. Çdo ditë e qëndrimit të kësaj shkarravine të shëmtuar, çdo ditë që kjo vrragë në faqe të Serbisë krekoset dhe u zgërdhihet viktimave në fytyrë, është ditë që nuk është dashur të agojë. Lyerja me gëlqere e kësaj shëmtyre ka më shumë rëndësi se çkado tjetër.

Të dirdhen mbi këtë kriminel mutsira dhe të lihen që të thartohen, ky do të ishte gjesti i vetëm i drejtë.

Çdo gjë tjetër është turp i palejueshëm e i padurueshëm dhe, në u pajtofshim me të, jemi pajtuar me të gjitha.

Lyerja me gëlqere e fytyrës së ligësisë është më e vogla që e kemi për detyrë ta bëjmë, përlyerja e kësaj fytyre gjersa u falemi hijeve të viktimave të pafaj të gjenocidit me të cilin Ratko Mlladiqi na turpëroi përgjithmonë.

(Përkthyer nga serbishtja, nga Florent Rizvanolli, me leje personale të autores).

©Klankosova.tv

 

lajme të ngjashme