Modeli i Podujevës për zgjedhjet e përgjithshme 123 string(12) "Blerim Shala" string(82) "https://klankosova.tv/wp-content/uploads/2017/05/Blerim-Shala-1-e1620736305698.jpg" nga Blerim Shala 01.12.2020 09:35 01.12.2020 09:35 Albin Kurti synon që zgjedhjet e ardhshme parlamentare të jenë një Referendum ku ai dhe ‘Vetëvendosje’ do të korrin fitore plebishitare. Zgjedhjet lokale në Podujevë, të mbajtura këtë të diele, më 29 nëntor, në të cilat u votua Kryetari i kësaj komune, në të vërtetë, më së paku kishin të bënin me caktimin e të Parit të Podujevës. Edhe ashtu dihej (gjë që fare pak theksohej), që mandati i Kryetarit të kësaj komune do të jetë diku dhjetë muaj, sepse në vjeshtën e vitit 2021, do të ketë zgjedhje lokale të rregullta në shkallë vendi. Ishte një tjetër dimension politik shumë më i rëndësishëm se ai që spikaste garën në mes të Shpejtim Bulliqit të Lëvizjes ‘Vetëvendosje’ dhe Nexhmi Rudarit nga LDK. Zaten, nuk do të kalojë as një javë e plotë kur emrat e përveçëm të këtij dyluftimi politik (dihej që përfaqësuesi i PDK-së, Naim Fetahu, nuk kishte fare gjasa që t’i sfidojë këta të dytë), do të harrohen, njëlloj si edhe vetë kjo komunë dhe ngjarjet në te. Lideri i Lëvizjes ‘Vetëvendosje’, Albin Kurti, e dinte fare mirë që ai dimensioni simbolik i këtyre zgjedhjeve lokale, ka një domethënie dhe një shtrirje nacionale, e cila madje mund ta merr edhe trajtën e një ‘Prove gjenerale’ se çka do të mund të ndodhë në shkallë vendi, nëse në një periudhë afatshkurtër kohore, që matet me disa muaj (siç janë pretendimet e partisë së ish-Kryeministrit të Kosovës), në Kosovë do të mbahen zgjedhjet e pesta të jashtëzakonshme parlamentare që prej se Kosova është bërë shtet i pavarur (asnjëherë në shtetin e Kosovës nuk ka pasur zgjedhje të rregullta parlamentare). Këtu, në këtë super-interpretimin e rëndësisë së këtyre zgjedhjeve në një komunë, Kurtiduket që shënoi fitoren e parë ndaj LDK-së edhe para se të bëhej fare fushata parazgjedhore dhe para se të hapeshin Qendrat e votimit. Për dallim prej tij, i cili këtyre zgjedhjeve i dha peshë apo rëndësi të trefishtë (përballje lokale, dyluftimi i tij personal me Agim Veliun, Ministrin e Brendshëm në Qeverinë e Kosovës i cili u bë sebep konkret për shkarkimin e tij nga posti i Kryeministrit, në marsin e këtij viti, dhe krijimi i modelit për zgjedhjet nacionale), prandaj nuk u ndal së punuar ditë dhe natë në gjithë territorin e kësaj komune, LDK në radhë të parë (dhe me gjasë, të fundit), u ndal te ky aspekti fare lokal, natyrisht, me synimet për ta mbajtur për vete një komunë e cila tradicionalisht ka qenë në pushtetin e partisë më të moçme në Kosovë. Mbase, nuk ka mundur të gjindet një politikan në udhëheqësinë e LDK-së që ka dyshuar që kjo parti nuk do të fitojë sërish në Podujevë, nëse jo në raundin e parë, atëherë, në atë të dytin. Me gjasë, janë të shumta arsyet pse LDK i humbi këto zgjedhje, ku duket që dy janë më kryesoret. Arsyeja e parë reflekton këtë ambicje dhe synim të jashtëzakonshëm të Kurtit që ta bëjë fitoren e Lëvizjes ’Vetëvendosje’ në Podujevë, një lloj të modelit për mbarë Kosovën. Arsyeja e dytë shfaqë atë dukurinë e ’konsumimit të pushtetit’, (e cila është e pashmangshme, kudo në demokracitë parlamentare), dhe të kërkesës për një ndryshim të qytetarëve, e cila vjen e përqëndrohet te akëcila part apo kandidat (në këtë rast), që ofron këtë ndryshim. Se cili ishte qëllimi kryesor i ish-Kryeministrit të Kosovës në zgjedhjet lokale në Podujevë, kjo u kuptua me një fjali të vetme të tij, të theksuar pasiqë u kuptua epilogu i votimit të dieles së fundit të nëntorit. Për Kurtin, teksa ky është njëri prej elementeve kyç të shpjegimeve të tij politike në përgjithësi (që shprehin atë meta-interpretimin e tij), në Podujevë ka ndodhur Referendumi, i cili si dukuri legale dhe politike, siç dihet, ka një rreze të ndikimit dhe të veprimit për një vend dhe për një popull, në trajtimin e çështjeve fundamentale për një shtet dhe për një komb. Dihet që pyetja që bëhet në një Referendum, është e thjeshtë, e qartë, dhe kërkon përcaktimin e votuesve/ qytetarëve për marrjen e një vendimi kapital politik në një shtet. Në shikim të parë, kjo paralele e Kurtit në mes të një Referendumi dhe votimit për një Kryetar komune në Podujevë, del të jetë një ekzagjerim i madh politik. Por për Kurtin, politika kosovare tash e sa kohë (apo, së paku që nga 6 tetori i vitit të kaluar, kur në Kosovë u mbajtën zgjedhjet e jashtëzakonshme parlamentare në të cilat ’Vetëvendosje’ doli e para), gjindetnë një udhëkryq të madh politik, i cili mund të adresohet dhe të zgjidhet, pikërisht me një qasje referendumiane, ku pyetja e vetme reale politike e cila nuk do të formulohet në mënyrë eksplicite në fletëvotime (por ajo do të jetë aty, në trajtën më përmbajtësore të mundshme), në zgjedhjet e ardhshme parlamentare, do të jetë kjo: A jeni që tash e tutje Lëvizja ’Vetëvendosje’ (e vetma) të udhëheq me Kosovën, apo jo? Pluralizimi partiak në Kosovë pra, sipas botëkuptimeve politike të Kurtit, ka mbërri, në këtë historikun e tij tridhjetëvjeçarë, në një epilog të natyrshëm, që ofron vetëm dy alternativa për qytetarët e Kosovës: Ndryshimin e madh, që ka emrin e Lëvizjes ’Vetëvendosjes’ (eventualisht, edhe të subjektit politik i cili do të mund të krijohej nga Vjosa Osmani, Kryetarja e Kuvendit të Kosovës dhe akualisht, Ushtruesja e Detyrës së Presidentes së vendit), dhe degradimin e mëtejmë politik, që lidhet me të gjitha partitë tradicionale të Kosovës, pa marrë parasyshë raportet ekzistuese në mes tyre. Kurti beson fuqishëm që koha dhe zhvillimet politike në Kosovë po i dhënë të drejtë atij në këtë thjeshtësimin prej dy opsioneve të vetme politike në vend, i cili, siç ishte rasti edhe në Podujevë, është shumë i rëndësishëm për t’i hapur udhë partisë së tij që ’Referendumin’ zgjedhor ta kthejë në një fitore politike të karakterit plebishitar (prej mbi 50% të votës), gjë që ndodhi në votimet e 29 nëntorit në Podujevë. Teksa Kurti e ka të qartë se çka duhet të bëjë tash e tutje si lider i partisë më të madhe në vend, në përgatitje për zgjedhjet e reja parlamentare, kurdo që ato do të mbahen, duket që përfaqësuesit e partive tradicionale të vendit, vazhdojnë të besojnë që politika kosovare nuk do të pësojë ndryshime të mëdha, apo që disi, maturia e votuesit mesatar të Kosovës, do ta sigurojë një baraspeshë politike, siç zatën ishte rasti edhe me zgjedhjet e 6 tetorit, kur nuk pati dallime substanciale në mes të tri subjekteve më të mëdha në vend (’Vetëvendosjes’, LDK-së dhe PDK-së), sa i përket rezultateve të tyre zgjedhore. Por dihet që askund në këtë Botën demokratike, votuesit nuk e kanë obligim që të sigurojnë stabilitetin e vendit dhe të politikës. Ky është mandat dhe përgjegjësi e vet politikanëve. *Klikoni KËTU për t´u bërë pjesë e kanalit zyrtar të Klan Kosovës në Viber. *Klikoni KËTU për ta shkarkuar aplikacionin e Klan Kosovës në Android, dhe KËTU për iOS.