Mirë se vjen 2016! - Klan Kosova


Na ndiqni në:


Get it on Google Play Download on the App Store

Mirë se vjen 2016!

123
string(12) "Ardian Gjini" string(65) "https://klankosova.tv/wp-content/uploads/2017/11/Ardian-Gjini.jpg"
28.12.2015 11:50

 

Nga këndvështrimi teorik, vitet 2014 dhe 2015 do të mbahen mend si vitet gjatë të cilave problemet e tranzicionit por edhe ato strukturore kanë kulmuar në konflikt të hapur politik.

Çdo demokraci në tranzicion ka probleme prandaj as Kosova nuk bën përjashtim. Ajo që kanë nxjerrur në pah ngjarjet e dy viteve të fundit është se tranzicioni i filluar në Kosovë ka rrezik të mos përfundojë për një kohë të gjatë por as këtu Kosova nuk bën përjashtim. Ekziston një mori e shteteve nëpër botë në të cilat tranzicioni ka filluar dekada më parë por nuk ka përfunduar ende. Edhepse vet nocioni ‘tranzicion’ është kompleks dhe tepër i gjërë për t’u spjeguar në një shkrim të shkurtë si ky, në mënyrë të thjeshtësuar mund të thuhet se tranzicion është procesi i kalimit të qeverisjes së një shteti nga një sistem jodemokratik në një demokraci të konsoliduar.

Është e vërtetë se Kosova është dashur ta bartë një barrë më të rëndë se shumë vende tjera në tranzicion. Përpos tranzicionit demokratik Kosova është përballur edhe me procesin e shtetndërtimit, nga zeroja. Vendet e Europës Lindore për shembull, të cilat relativisht shpejtë janë anëtarësuar në NATO dhe BE, kanë trashëguar administratë shtetërore funksionale, kufinj të definuar saktë dhe legjitimitet ndërkombëtarë të menjëhershëm e të cilat Kosova nuk i ka pasur.

Por dy vitet e fundit e kanë nxjerrur në sfond edhe një të vërtetë tjetër për Kosovën.  Poaq sa është e vërtetë se Kosova ka probleme më të theksuara se vendet tjera, është poashtu e vërtetë se është bërë e patolerueshme që gjashtëmbëdhjetë vite pas luftës dhe tetë vite pas shpalljes së pavarësisë të mos kemi të paktën administratë të konsoliduar dhe proces demokratik kredibil. Nëse për të vërtetën e parë fajtor mund të jetë edhe konteksti rajonal dhe ndërkombëtarë, për të dytën faji është kryekëput tek akterët relevant vendorë, konkretisht tek qeveritë e pas-shpalljes së pavarësisë të udhëhequra edhe de jure (2007-2015) edhe de facto (2015-) nga PDK.

Prapë në formë të thjeshtësuar, por këtu duke pasur kujdes që të mos gaboj, një shteti për të ekzistuar së pari i duhet territori i definuar pastaj legjitimiteti ndërkombëtarë dhe në fund (por jo për kah rëndësia) administrata shtetërore profesionale dhe funksionale. Nëse Kosova nuk ka mundur ende të lirohet nga dy problemet e para, jo për fajin e vet, për këtë të fundit, siq thash më lartë, fajtori më i madh dihet me emër. Fundja ka vende të cilat kanë funksionuar dhe funksionojnë në mënyrë të përkryer edhe pa legjitimitet ndërkombëtarë edhe pa kufinj të definuar por që kanë proces politik kredibil dhe administratë funksionale.

Deri në fund të vitit 2007 administrata e Kosovës është udhëhequr nga UNMIK-u, e cila në fakt edhe është krijuar nga UNMIK-u. Administrata shtetërore, bordet dhe institucionet e pavarura, policia, gjyqësia e edhe administratat komunale në masë të madhe janë mbikëqyrur nga UNMIK-u. Edhepse me shumë mangësi dhe defekte, në fund të vitit 2007 mund të konsiderohej se administrata, si një nga elementet esenciale të shtetit, ekzistonte. Krejt çka mbetej ishte që ajo të profesionalizohej dhe zhvillohej më tej. Por ajo që ka ndodhur që nga 2007. e deri sot është krejt e kundërta e asaj që është dashur të ndodhte. Administrata është politizuar skajshëm. Nepotizmi dhe klientelizmi kanë qenë kritere kryesore për punësim në administratë. Ajo është rritur pa kriter saqë shpeshherë të punësuarit e administratës nuk kanë pasur as vend të qartë të punës. Bordet e ndërmarrjeve publike dhe të agjensive të pavarura janë politizuar plotësisht. Korrupsioni është shëndërruar në normë të punës. Edhe gjyqësori është politizuar dhe është zënë peng nga qeveria. Gjyqësia e ka humbur kredibilitetin për shkak të korrupsionit dhe të politizimit. Ndërmarrjet publike kanë shërbyer si makineri punësimi për militantët partiak dhe për të afërmit e pushtetarëve. Thjeshtë, nëse konteksti ndërkombëtarë për ndërtimin e shtetit ‘ka dështuar’ pasiqë ende pesë vende anëtare të BE nuk na kanë njohur, nuk jemi anëtarë të OKB dhe Serbia ende pretendon kontroll të një pjese të territorit tonë, madje madje gjendja është përkeqësuar me marrëveshjen e Gushtit për asociacionin e Komunave me shumicë Serbe, shtetndërtimi ‘i brendshëm’ ka dështuar për shkak të qeverisjes që e kemi pasur.

Në aspektin kushtetues, një demokraci konsiderohet e konsoliduar nëse i ka përmbushur katër kushte.

Kushti i parë është se  duhet të jetë arritur një marrëveshje e qëndrueshme për procedurat politike të cilat do ta prodhojnë një qeveri të zgjedhur. I dyti është që ardhja në pushtet e asaj qeverie duhet të jetë rezultat i drejtpërdrejtë i zgjedhjeve të lira dhe të ndershme. I treti është që ajo qeveri duhet ta ketë de facto autoritetin dhe kapacitetin për të prodhuar politika të reja dhe të pavarura. Dhe kushti i katërt është që ekzekutivi, legjislativi dhe gjyqësori që dalin nga procesi i ri demokratik nuk do të jenë të detyruar ta ndajnë pushtetin e vet me asnjë trup tjetër, as de jure as de facto.

Kosova në vitin 2016 hyn në gjendje të tillë saqë lehtë mund të thuhet se asnjëri nga katër kriteret kushtetuese të një demokracie stabile nuk janë plotësuar, aq më keq, ato janë përkeqësuar.

Marrëveshja se cilat janë procedurat politike për të prodhuar një qeveri të zgjedhur është shkelur gjatë vitit 2014 dhe praktikisht është shkatërruar me vendimet e Gjykatës Kushtetuese të po atij viti. Kushti për zgjedhje të lira dhe të ndershme është shkelur më heret, disa herë. Qeveria nuk e ka as kapacitetin e as legjitimitetin për të prodhuar politika të reja dhe kredibile. Dhe në fund, nuk besoj se ka njerëz në Kosovë që tanimë nuk e dinë se as ekzekutivi, as legjislativi e as gjyqësori nuk janë të pavarur dhe pa ndikime nga trupa tjera, qoftë mes tyre qoftë jashtë skemës kushtetuese.

Kosova hyn në vitin 2016 me një proces shtetndërtimi të dëmtuar dhe me një proces demokratizimi të dëmtuar. Kosova hyn në vitin 2016 me një qeveri që e ka humbur kredibilitetin qoftë për të përfaqësuar jashtë vendit, qoftë për të arritur marrëveshje ndërkombëtare, qoftë për ta depolitizuar dhe reformuar administratën, qoftë për ta rivendosur besimin në aranzhimet kushtetuese dhe në procesin demokratik.

Kur kësaj gjendjeje i shtohet dështimi shumë i mundshëm në projektet e mëdha të zhvillimit ekonomik, në liberalizimin e vizave, demarkacioni me Malin e Zi, procesi tanimë i ngecur për implementimin e Asociacionit dhe, ndoshta mbi të gjitha, Gjykata Speciale, lirisht mund të themi Good Luck Kosovë.

lajme të ngjashme