Mësimet e Pandemisë: Në Botë dhe në Kosovë 123 string(12) "Blerim Shala" string(82) "https://klankosova.tv/wp-content/uploads/2017/05/Blerim-Shala-1-e1620736305698.jpg" nga Blerim Shala 08.06.2021 18:18 08.06.2021 18:18 Pandemia e Covid-19 ka rrëzuar për toke Botën qysh ka ekzistuar deri në fund të vitit 2019-të. Ky është një mësim për të cilin pajtohen të gjithë, pa kurfarë dallimi, në të katër anët e Globit. Përsëritja e një Pandemie të ngjashme, madje, me një rrezikshmëri, me vdekshmëri dhe në përgjithësi, me rreze të veprimit më të madh se sa Covid-19, do të mund madje ta rrezikonte Njerëzimin në përgjithësi. Ky është një tjetër mësim i cili i bashkon të gjithë. Covid-19 ka dëshmuar sërish sa i brishtë është Njeriu si qenie, sa i lidhur dhe i varur është Njerëzimi, në përgjithësi (përmes Globalizmit i cili u shfrytëzua në mënyrë të jashtëzakonshme prej këtij virusi), sa e zhvilluar është shkenca në shumë shtete të Botës (kur dihet se sa vaksinat janë zbuluar që nga muaji nëntor i vitit të kaluar), çfarë është mjekësia nëpër secilin shtet. Edhe pse është ende herët të flitet për Pandeminë nga perspektiva e një rreziku të madh që është tejkaluar, (diçka e tillë nuk do të ndodhë sipas të gjitha gjasave në këtë vit, por mund të shënohet si një e arritur e veçantë në vitin e ardhshëm, 2022 pra), javëve të fundit, në hemisferën Veriore të Globit janë shtuar dozat e optimizmit, së bashku me shumëfishimin e dozave të vaksinave që janë dhënë anëkënd kësaj ane të Botës. Jemi dëshmitarë të një rënie të vazhdueshme dhe stabile të të infektuarve kudo në Hemisferën Veriore, duke përfshirë këtu edhe Kosovën. Numrat e tashëm të të infektuarve në Kosovë, në harkun kohor qershor i vitit 2020 – qershor i këtij viti, kanë pasë trajektore të vazhdueshme të rritjes dhe të rënies, duke mbërritur pikën më të lartë të diku 15 mijë rasteve aktive para pak muajsh. Në fillim të qershorit të vitit të kaluar, kanë qenë diku mbi 400 raste aktive, e tani, janë pak më shumë se 100. Atëherë, parakohshëm (gjithsesi), mendohej, si te ne, ashtu edhe gjetiu në Perëndim, që jemi kah fundi i Pandemisë. Kësaj radhe, në qershorin e këtij viti, kur të gjitha statistikat janë më të mira se sa në 6-9 muajtë e fundit, dhe kur po ndodhë vaksinimi masiv, (që edhe tek ne për pak kohë do ta kalon me shifrën totale numrin total të të sëmurëve nga ky virus prej rastit të parë të shënuar me 13 mars të vitit të kaluar), pakkush në Perëndim ka guximin që të shprehet më mënyrë kategorike kur mund të arrihet Paqja pas kësaj Lufte të madhe, siç zatën prej fillimit u pati klasifikuar ballafaqimi me këtë virus. Mësimi i tretë i madh me të cilin pajtohen poashtu të gjithë, nga kjo Sprovë shumë e madhe, është që Bota tash e tutje duhet të organizohet shumë më mirë në adresimin e kërcënimit prej virusëve të cilët madje, në çdo variant janë rrezik i madh për sigurinë dhe për shëndetin. Virusi, siç u pa fare qartë në shembullin e Covid-19, nuk njeh kufi dhe sovranitet shtetëror, nuk njeh Veri dhe Jug, Perëndim dhe Lindje, shtete demokratike dhe autoritare. Virusët e këtillë mund të parandalohen vetëm nëse kjo ndërmarrje (e preventivës), do të organizohet në atë mënyrë që nuk do të njeh kufi dhe sovranitet shtetëror, nuk do të njeh Veri dhe Jug, Perëndim dhe Lindje, shtete demokratike dhe autoritare. OBSH (Organizata Botërore e Shëndetësisë), duket që nuk ka mundësi reale që ta ushtrojë këtë rol apo ta kryej këtë detyrë. Natyrisht, çfarë duhet të bëhet, nëse në të ardhmen dëshirohet njëmend të parandalohet shpërthimi i Pandemive të reja, është zbardhja e plotë, e asaj që mund të klasifikohet si ‘Dosja Wuhan 2019’. Diagnostifikimi i duhur i sëmundjeve, i origjinës së tyre, është kusht pa të cilin nuk bën nëse synohet shërimi i një pacienti, me terapinë adekuate. Nuk ka terapi të mirë dhe të suksesshme me diagnostifikim të gabuar. Nuk ka dyshim që ky relacion në mes të diagnostikimit dhe terapisë, vlenë edhe kur bëhet fjalë për gjetjen e të vërtetës për burimet e para të Covid-19, dhe për krijimin e mekanizmave të ri të bashkëpunimit ndërkombëtar, përmes të të cilëve do të pamundësohej që virusët e ri të shumëfishohet me rrugët njerëzore (të të gjitha llojeve), apo, do të arrihej izolimin e tyre qysh në ato format e para të shfaqjes. Përgjigjet e duhura për rrugën e Covid-19, janë njëmend të domosdoshme për të ardhmen. Natyrisht, edhe në Kosovë, me këtë takatin që kemi si politikë dhe si shoqëri, realisht, qysh tash, kur ende nuk ia kemi dalë mbanë në trajtimin e këtj virusi (diçka e tillë nuk është arritur askund në Botë), do të duhej të nisnim një ndërmarrje të nxjerrjes së mësimeve të duhura nga ballafaqimi me Pandeminë. Janë një mori pyetjesh të cilat na kanë përcjellur thuajse prej ditëve dhe javëve të para kur na pllakosi Pandemia, në marsin e vitit të kaluar. Këto pyetje, të cilat asnjëherë nuk morën përgjigjet e duhura, dëshmuan që ne nuk kemi kapacitetet e duhura shëndetësore për tu përballur si duhet me një kërcënim të këtillë për shëndetin publik, për politikën kosovare, për shoqërinë e tërë. Covid-19 ka qenë befasi, me mënyrën se si është zhvilluar dhe rritur, edhe për shtetet dhe shoqëritë shumë më të zhvilluara se ne. Këtu edhe ne mund të gjejmë sa të duash arsyetime dhe justifikime. Por nuk mund të ketë arsyetime dhe justifikime nëse sërish, në të ardhmen, ndodhë përsëritja e këtij kërcënimi, ndërsa ne do të veprojmë njësoj, si shtet dhe si shoqëri. Në këtë kontekst, mbase është e udhës që sa më parë që është e mundur të krijohet një Komision i veçantë politik dhe profesional (shëndetësor), në një përbërje sa më gjithpërfshirëse shoqërore, i cili një një afat kohor deri kah fundi i vitit, do ta bënte një Listë të qartë të rekomandimeve të masave dhe veprimeve të cilat Kosova duhet t’i jetësojë tash e tutje, për t’u përgatitur shumë më mirë për t’u përballur me sprivat e këtilla të rrezikshme.