Mënyra e duhur për ta mbajtur Ramazanin 123 string(13) "Mustafa Akyol" NULL nga Mustafa Akyol 06.06.2016 15:20 06.06.2016 15:20 Muaji i shenjtë i Ramazanit fillon sot dhe bashkë me të edhe orët e gjata të agjërimit për qindra milionë myslimanë. Agjërimi gjithë ditor gjatë tërë muajit hënor, në të cilin ne myslimanët besojmë se Kurani ka nisur t’i shpallet profetit Muhamet, është njëra nga pesë shtyllat/kushtet e Islamit. Është një mënyrë për myslimanët të shfaqin devotshmërinë e tyre ndaj Zotit, dhe, në njëfarë mënyre, të bashkëndjejnë vuajtjen e atyre që nuk kanë ushqim. Agjërimi i Ramazanit nuk është i lehtë. Që prej para lindjes së diellit e deri në të perënduar të tij, myslimanët supozohet se nuk duhet të hanë, pinë, përdorin cigare dhe largohen nga seksi. Për orë të tëra ata “ëndërrojnë” për një gllënjkë ujë dhe një rriskë bukë. Më pas vjen iftari, që do të thotë “kaftjall” por që shumë më tepër se kaq është një darkë e rëndë me familje dhe shokë. Pas iftarit, janë disa orë liri nga kufizimet, deri para lindjes së diellit, kur fillon edhe dita tjetër e agjërimit. Myslimanët e gjithë botës e praktikojnë këtë praktikë të vjetër 1 mijë e 400 vjeçare, që nga Gadishulli Arabik, prej ku e ka edhe origjinën, në Skandinavi, ku gjatësia e ditës ka detyruar disa shkollarë të lëshojnë “fatwa” (urdhëresa) në mënyrë që të zbutet përshkrimi në Kuran që thotë se duhet agjëruar nga paralindja e diellit deri në mbrëmje. Por, pavarësisht se ku janë, myslimanët duhet të jenë në gjendje të agjërojnë sipas diktatit të vetëdijes së tyre. Për fat të keq, disa qeveri autoritare e dhunojnë këtë liri fundamentale. Ka nga to që e ndalojnë agjërimin e Ramazanit, ndërsa tjerat e imponojnë atë. Problemi i parë është në Kinë, veçanërisht në rajonin veriperëndimor të Zinjianit, që është i banuar me popullatë shumicë myslimane. Gjatë viteve të kaluara, qeveria komuniste atje ua ka ndaluar shërbyesve civilë, studentëve dhe mësimdhënësve agjërimin. Qeveria ka thënë se po e bën këtë për qëllime shëndetësore. Por, ndalesa vetëm sa i ka bërë ujgurët të ndjehen më të persekutuar dhe i ka larguar nga qeveria e tyre, duke ndihmuar kështu, nëse jo kurgjë tjetër, një grup të voëgël ekstremistësh që bëjnë thirrje për rezistencë të armatosur. Në faqen tjetër të monedhës autoritare, qeveri të ndryshme myslimane, nga Arabia Saudite dhe Gjiri Persik, te Irani e Paksitani, e bëjnë obligativ me ligj, agjërimin e Ramazanit. Sipas rregullave të imponuara, ngrënja dhe pirja në publik, gjatë muajit të shenjtë, nënkupton deportim/largim nga vendi, një gjobë ose edhe burgim. Në shumë vende tjera, ndonëse agjërimi nuk është obliguar me ligj, bëhet disi i detyrueshëm për shkak të presionit social. Kështu, njerëzit – si pakicat fetare e po ashtu edhe myslimanët që zgjedhin të mos agjërojnë – duhet të shfaqen, duken e sillen sikur po agjërojnë, edhe nëse nuk janë duke bërë një gjë të tillë. Ky autoritarizëm religjioz është i pakuptimtë dhe vetë dështues. Agjërimi gjatë Ramazanit është një akt i lutjes që i drejtohet Zotit. Ka kuptim vetëm atëherë kur bëhet më vullnetin e pastër për t’iu nënshtruar urdhëresave të Zotit – jo ligjeve të shtetit ose shoqërisë vigjilente. Kjo e fundit ushqen vetëm falsitet dhe hipokrizi. Për këtë arsye Kurani thotë se “nuk ka dhunë në fe” – dhe për rrjedhojë, nuk duhet të jetë dhunë as në agjërim. Për më tepër, sipas jurisprudencës islame, jo të gjithë janë të detyruar të agjërojnë. Jomyslimanët nuk janë të obliguar fare. Madje, edhe në mesin e myslimanëve, Kurani i amniston nga agjërimi ata “që janë të sëmurë ose ata që janë në udhëtim”. I amniston edhe ata “që arrijnë të agjërojnë me vështirësi ekstreme” ndërsa u thotë të gjithë këtyre që mund të mos agjërojnë, që në vend të kësaj, të ushqejnë një person që ka nevojë për këtë. “Zoti dëshiron t’ju lehtësojë, jo t’ju ngarkojë”, thotë shkrimi i shenjtë. Megjithatë, shumë myslimanë zgjedhin të sakrifikojnë. Gjatë Ramazanit të vitit të kaluar, më shumë se një mijë njerëz kanë vdekur në Pakistan nga dehidrimi gjatë temperaturave të nxehta ekstreme, pavarësisht thirrjeve nga disa klerikë që të ndalojnë agjërimin. Edhe ata që kishin vendosur të heqin dorë nga agjërimi për shkak se ata ishin në rrezik shëndetësor, mund të konsumonin vetëm ujë në mënyrë “të fshehtë” për shkak të presionit shoqëror që ata përballeshin – një problem i madh për njerëzit që jetonin në rrugë. Edhe klerikët më “të rreptë” myslimanë pranojnë se jo të gjithë janë të detyruar të agjërojnë gjatë Ramazanit. Megjithatë, shumë ligje ende mbështesin që të mos konsumohen ushqime dhe lëngje në publik në mënyrë që të respektojnë muajin e shenjtë dhe njerëzit që e agjërojnë atë. Ata duhet të rishikojnë, nëse ata janë me të vërtetë duke e respektuar Islamin duke e praktikuar atë. A do të ndiheshim të respektuar ne, myslimanët, nëse të tjerët do të na impononin ndalesat e tyre? A duhet myslimanëve në Indi të ju ndalohet konsumimi i mishit sepse fyen ndjenjat e hinduve ashtu si një anëtar i lartë i Partisë Bharatiya Janata në pushtet argumentoi vitin e kaluar? A duhet ujgurët të respektojnë mospëlqimin e Partisë Komuniste Kineze për “bestytnitë” dhe të ndalojnë së praktikuari besimin e tyre? Respekti është një tipar i admirueshëm, por nuk mund të imponohet me ligj. Respekti gjithashtu nuk duhet të jetë bazë për të diktuar normat e shumicës mbi minoritetet apo individët. Cila është qasja ideale e myslimanëve kundrejt Ramazanit? Qyteti im, Stambolli, ofron një model të mirë. Këtu, ne nuk kemi ligje që rregullojnë Ramazanin. Shumë njerëz vendosin për të agjëruar, shumë njerëz vendosin të mos agjërojnë. Ata që vendosin mos të agjërojnë, mund të ushqehen në restorante dhe kafene gjatë ditës, dhe disa ndoshta edhe të shijojnë jetën e natës në bare gjatë natës, edhe pse ligjet e Islamit e ndalojnë alkoolin. Të devotshmit, ndërkohë, agjërojnë për arsyen e duhur: Ata nuk janë të detyruar të qëndrojnë të etur dhe të uritur nga Qeveria. Ata lirisht vendosin ta bëjnë këtë nga besimi i tyre i sinqertë në Zot. (Botuar në New York Times, përkthyer nga Klan Kosova)