Na ndiqni në:


Get it on Google Play Download on the App Store

Mëkëmbja e partneritit SHBA-Evropë dhe Ballkani Perëndimor 

123
string(12) "Blerim Shala" string(82) "https://klankosova.tv/wp-content/uploads/2017/05/Blerim-Shala-1-e1620736305698.jpg"
nga Blerim Shala 18.06.2021 14:23

Java që po e lëmë pas, sipas të gjitha gjasave, për Perëndimin në përgjithësi, për SHBA-në  dhe BE-në pra, por në veçanti, edhe për Ballkanin Perëndimor, do të vlerësohet, si tani, si  për vite të tëra në të ardhmen, si java më e rëndësishme për ri-vendosjen e Partneritetit  Trans-Atlantik (SHBA-Evropë), dhe për ri-fuqizimin e Aleancës Veri-Atlantike dhe të  Bashkimit Evropian. 

Së pari, të hënën, me 14 qershor, në Bruksel u mbajt Samiti i Liderëve të 30 shteteve anëtare  të Paktit NATO.  

Së dyti, të martën, me 15 qershor, poashtu në Bruksel u mbledhën liderët e Amerikës dhe  të 27 shteteve anëtare të Bashkimit Evropian. 

Presidenti i SHBA-së, Joseph Biden, e pa të udhës që vizitën e tij të parë shumë  domethënëse ta bëjë në Bruksel dhe në Evropë, njëlloj siç kishte bërë Presidenti George  W. Bush, në muajin shkurt të vitit 2005, pak javë pasiqë kishte nisur mandatin e dytë  presidencial. 

Biden dhe Bush kanë edhe diçka tjetër të përbashkët: Te dytë ia mësynë Brukselit për ta ri vendosur Bashkëpunimin jetik në mes të SHBA-së dhe BE-së. 

Në rastin e Bushit, ky partneritet ishte dëmtuar goxha shumë, në mandatin e tij të parë (në  vitet 2001-2004), për shkak të mungesës së solidaritetit me Amerikën nga ‘Evropa e  moçme’ (siç u quajt atëherë), apo Gjermania dhe Franca, në intervenimin ushtarak  amerikan në Irak, në vitin 2003. 

Megjithatë, Bush asnjëherë nuk ka shfaqë dallime substanciale në raportet e Amerikës me  BE-në, dhe kur bëhet fjalë për rolin e Paktit NATO. 

Partneriteti SHBA – Evropë, i cili do të mëkëmbet në pranverën e vitit 2005, do të jetë  vendimtar kur bëhet fjalë për adresimin e çështjes së statusit të Kosovës, zbardhja e të cilit  do të nisë në fund të tetorit të atij viti, kur Sekretari i Përgjithshëm i OKB-së, Kofi Annan,  do të emërojë ish-Presidentin e Finlandës, si Emisar të vetin Special për detyrën e zgjidhjes  së statusit të Kosovës. 

Pa këtë relacion primar të dy krahëve të Perëndimit (politik dhe qytetërues), nuk do të  mbërrihej në finalen e maratonës politike dhe historike të përcaktimit të fatit të Kosovës,  me bërjen e Kosovës shtet të pavarur, me 17 shkurt të vitit 2008. 

Në rastin e Bidenit, situata është pak më ndryshe krahasuar me atë ambicjen e Bushit që së  bashku me ri-lidhjen e bashkëpunimit në mes të Amerikës dhe Evropës, ta kumtojë edhe  ‘Agjendën e lirisë’, për të ofruar kontributin maksimal të SHBA-së për shtetet dhe vendet  demokratike, dhe për popujt që synojnë lirinë. 

Joseph Biden doli fitues, në zgjedhjet e kaluara presidenciale ndaj Donald Trumpit,  Presidentit i cili insistoi që Amerika vullnetarisht ta braktisë rolin apo edhe mandatin e vet  si ‘Lider i Botës së lirë’, dhe që nën moton e njohur ‘America First’, t’i mëdyshë me themel  marrëdhënien me Evropën, si në atë kontekstin SHBA-BE, ashtu edhe brenda Paktit  NATO.

Për këtë shkak, fitorja e Bidenit në zgjedhjet presidenciale, në nëntorin e vitit të kaluar  (2020), u pa, me të drejtë, nga kjo anë e Atlantikut si një mundësi e madhe që SHBA dhe  Evropa të kthehen aty ku kanë qenë më parë, thënë më qartë, aty ku e pati lënë pikërisht  Presidenti Bush, në vitin 2009. Dihet që edhe në dy mandatet e Presidentit Obama, ky  relacion jetik është mirëmbajtur, por nuk është pasuruar, (siç ka mundur të pritet), për shkak  të prioriteteve të tjera të SHBA-së. 

Sidoqoftë, 79 Paragrafet e Konkludimeve të detalizuara të Samitit të Aleancës Veri Atlantike të kësaj të hëne, dhe 36 Nenet e Përfundimeve të Samitit SHBA-BE, të kësaj të  marte, janë dëshmia më e mirë e mundshme që Amerika dhe Evropa, tani flasin me të  njejtën gjuhë, kanë të njejtat qëndrime, ndajnë të njejtin orientim strategjik dhe të njejtat  Plane sa i përket politikës, diplomacisë, ekonomisë, sigurisë dhe temave ambientaliste në  Perëndim dhe në Botë. 

Natyrisht, nuk do të jetë aspak lehtë që përmes këtyre Konkluzioneve në rrafshin ushtarak  dhe politik, të ndryshohet menjëherë ‘gjendja në terren’, apo që të riparohen të gjitha  gabimet dhe dështimet e SHBA-së dhe të Perëndimit në përgjithësi, në këto katër vitet e  kaluara, të cilat mbi të gjitha ishin refleksion i ‘abstenimit’ të Amerikës nga roli i vet  ndërkombëtarë, dhe shfrytëzimit maksimal të këtij vakumi politik dhe historik, në radhë të  parë nga Rusia dhe Kina.  

Terreni ndërkombëtarë tani është më i ndërlikuar, më sfidues, më problematik, se sa që ka  qenë ta zëmë në fillim të vitit 2017, apo, në ditët e fundit të Presidentit Obama. Rusia ka fituar në agresivitetin politik dhe të sigurisë, në katër vitet e fundit, teksa Kina ka  fituar në fuqinë politike, ekonomike dhe ushtarake.  

Nuk është rendi i një konfrontimi të hapur në mes të Perëndimit dhe Rusisë, Perëndimit  dhe Kinës. Por, Samitet e NATO-s dhe i SHBA-së dhe BE-së, dëshmojnë që kohës së  tërheqjes apo të zbrapsjes së Amerikës dhe Evropës i ka ardhë fundi. Kjo është pra një Botë thuaja krejtësisht tjetër nga ai vit (2017), e veçmas kjo Botë dallon  prej viteve 1999-të (kur Kosova u çlirua), dhe 2008-të (kur Kosova u bë shtet i pavarur). Kjo informatë është në mungesë në politikën dhe në shoqërinë kosovare.  Kjo mungesë në të vërtetë është e pranishme ndër ne, që nga çlirimi i Kosovës e tutje. Kosova është ndryshe e pranishme në Paragrafet 70-të dhe 71, të Konkludimeve të Samitit  të Paktit NATO, dhe në Pikën 29-të të Përfundimeve të Samitit Amerikë – BE. Pakti NATO ri-kofirmon rolin ushtarak që ka në Kosovë përmes Misionit të vet të KFOR it (i cili nuk ka kufizime kohore, gjegjësisht, përfundimi i tij varet nga kushtet apo rrethanat  që do të krijohen në Kosovë), e vlerëson partneritetin e vet me Serbinë, dhe mbështetë  dialogun në mes të Prishtinës dhe Beogradit i cili synon normalizimin e marrëdhënieve (në  mes të Kosovës dhe Serbisë, vër.ime). 

SHBA-ja dhe BE-ja, në anën tjetër, përmes Samitit të tyre, ofrojnë përkrahjen e tyre të  plotë për bisedimet në mes të Prishtinës dhe Beogradit, të cilat kanë rol të veçantë në  angazhimin e përbashkët (të SHBA-së dhe të BE-së, vër.ime), në Ballkanin Perëndimor.  Partneriteti në mes të Amerikës dhe BE-së dhe roli i Paktit NATO, njëlloj siç kanë qenë  vendimtar për ndaljen e luftës në Kosovës dhe zgjidhjen e çështjes së statusit të Kosovës,  po aq do të kenë ndikim kyç në arritjen e Marrëveshjes në mes Kosovës dhe Serbisë për normalizimin e marrëdhënieve, e cila do të ketë si element kyç njohjen reciproke, si dhe në  integrimin e gjithë Ballkanit Perëndimor në BE. 

*Klikoni KËTU për t´u bërë pjesë e kanalit zyrtar të Klan Kosovës në Viber.

*Klikoni KËTU për ta shkarkuar aplikacionin e Klan Kosovës në Android, dhe KËTU për iOS.

lajme të ngjashme