Mbyllja e Kosovës me Ballkanin e hapur - Klan Kosova

Mbyllja e Kosovës me Ballkanin e hapur

123
string(16) "Nexhmedin Spahiu" string(59) "https://klankosova.tv/wp-content/uploads/2021/08/spahiu.png"
2 months më parë

Kosova e Shqipëria  ndonjëherë  i kanë interesat e njëjta,  shpesh i kanë të ndryshme e herë-herë i kanë të kundërta.

Serbia, Shqipëria e Maqedonia iu gjetën njëra tjetrës në sikletet më të mëdha.

Në kohën kur Bullgaria i vuri telashe Maqedoisë në rrugëtimin e saj evropian, ajo iu kthye konkurentit të vjetër të Bullgarisë: Serbisë. Serbia e Shqipëria iu gjetën asaj në këtë situatë, kurse Maqedonia ua ktheu këtë shërbim duke u bërë urë mes Serbisë e Shqipërisë pasi Kosova e Mali i Zi e refuzuan këtë rol.

Shqipëria e Maqedonia iu gjetën Serbisë në sikletin më të madh të saj. Serbia e rrethuar në të gjitha anët me vende të NATO-s e të Bashkimit Evropian dhe nën presion të vazhdueshëm që ta njeh Kosovën i dëshmoi Perëndimit se është akoma arrë e fortë dhe se mund të ushtrojë ende rrolin e hegjemonit.

Për Shqipërinë relaksimi i marrëdhënieve me Serbinë do të thotë një treg i ri  prej 6-7 milionë turistëve potencialë për plazhet e Shqipërisë. Serbia është vend pa dalje në det. Serbët historikisht kanë shfrytëzuar plazhet e Kroacisë e të Malit të Zi. Që nga lufta e fundit (1991-1995) serbët më nuk janë të mirëpritur në plazhet kroate. Plazhet kroate janë bërë vendverim  i 100 milionë gjermaneve nga Gjermania, Austria e Zvicra të cilët jo vetëm që e kanë plazhin më të afërt gjeogrfikisht po edhe mentalitetin kroat e konsiderojnë të tyrin.  Plazhet e Mali i Zi janë një vijimsi e bregdetit kroat në çdo kuptim. Ato vijojnë të jenë vendverim i qytetarëve nga Serbia, por gjithnjë e më pak për arsyet në vijim.  Vija bregdetare e Malit të Zi është e vogël. Konkurenca evropiane i ka ngritur çmimet së tepërmi. Fërkimet politike Beograd -Podgoricë e kanë bërë efektin e vet përkundër faktit që malazezët janë serbë etnikë, por tani një komb me mentalitet e kulturë shumë distante nga ajo serbe.

Kështu për Serbinë bregdeti më i afërt mbetet ai shqiptar. Dhe më i liri njëkohësisht. Fakti që deri më tani bregdeti shqiptar nuk ishte shfrytëzuar nga turistët serbë vinte thjeshtë nga paragjykimet. Serbët e zakonshëm nuk dinin të bënin diferencë mes shqiptarëve të Kosovës dhe atyre të Shqipërisë.  Insistimi i Edi Ramës për Ballkanin e Hapur dhe refuzimi i Albin Kurtit për të i ndihmoi edhe serbët me dije më të pakta politike që ta kuptojnë këtë dallim. Këtë gjë instiktivisht e ka kuptuar Edi Rama shumë kohë para takimit të parë me Vučićin dhe ai vijon t’i bjerë  kësaj daulljeje.  Ftesa  për Goran Bregovićin në Tiranë dhe tani në Korçë ishte në funksion të këtij mesazhi për serbët: Ne jemi ndryshe nga kosovarët.  Madje në Tiranë edhe mbiemrin ia shkruajnë e shqiptojnë ndryshe nga kosovarët: Bregoviç. As që u intereson se në fakt nuk quhet Bregovič (Bregoviç) po Bregović (Bregoviq). Gazetarët serbë shpotisin se si Edi Rama akoma nuk e ka mësuar se Presidenti serb quhet  Aleksandar (Alleksandar) e jo Aleksandër dhe se mbiemri i tij është Vučić (Vuçiq) e jo Vučič (Vuçiç).  Edi Rama nuk e ka hallin se a e përqeshin serbët apo jo. Halli është te paraja.

Të fitosh një treg 6-7 milionësh të turistëve potencialë është një interes madhor  kombëtar për një vend të vogël prej 2 milionë e gjysmë banorësh siç është Shqipëria.

Pikërisht ky interes madhor i Shqipërisë bjen në kundërshtim  me interesin kombëtar të Kosovës në shumë rrafshe.

E para e më e dukshmja është se shkuarja një numri të madh të turistëve serbë në Shqipëri rritë konkurencen e rrjedhimisht i ngre çmimet në plazhet shqiptare. 99% të kosovarëve shfrytëzojnë plazhet shqiptare për dy arsye të forta:1. Janë më të lirat, dhe 2. Duan që paraja e tyre të ngelet në Shqipëri e jo në ndonjë vend tjetër.

E dyta, më pak e dukshme,  është pazari në Bruksel rreth njohjes së Kosovës nga Serbia. I gjith thelbi i bisedimeve Prishtinë – Beograd qëndron në atë se çfarë çmimi do të paguajë Kosova në këmbim të marrjes së njoihjes nga Serbia.  Natyrisht,  sa më i madh të jetë presioni i Perëndimit mbi Serbinë ajo do të detyrohet ta njeh Kosovën me çmim më të ulët dhe anasjelltas. Po kështu, sa më i madh që të jetë presioni i shteteve fqinje të Serbisë për ta detyruar atë ta njohi Kosovën, aq më i ulët do të jetë çmimi që do të detyrohet ta paguaj Kosova.  E vërteta është se të gjithë fqinjët e Serbisë pos Bosnjes e Rumunisë e kanë njohur Kosovën, dhe laku ndaj Serbisë ishte i fortë në masë të konsiderueshme. Por këtë lak të fqinjeve të Serbisë ndaj Serbisë ia largoi Shqipëria me “Ballkani i hapur”.

Kosova është një vend që nuk ka dalje në det dhe ka vetëm 4 fqinjë: Malin e Zi, Shqipërinë, Maqedoninë e Serbinë.  Në një rast hipotetik ekstrem ku 4 fqinjtë e saj do të merreshin vesh t’i mbyllin tërësisht kufinjt me Kosovën e ku asnjë avion apo mjet transporti nuk do të lejohej të hynte apo të dilte nga Kosova, populli i Kosovës do të vdiste urie, sepse as kryp nuk ka se ku të merr.  Natyrisht, “Ballkani i hapur” nuk është një izolim i tërësishëm i Kosovës, por është njëfar izolimi nga të trija anët. Mali i Zi nuk është në “Ballkanin e Hapur”,  por ai i ka gjasat më të mëdha nga të gjithë të tjerët në Ballkanin Perëndimor të bëhet pjesë e Bashkimit Evropian. Kësisoj, Kosovës i mbyllet kufiri në masën sa i është i mbyllur me vendet e tjera të Bashkimit Evropian.

A ishte politikë me vend ajo që lidershipi i Kosovës kundërshtoi këtë iniciativë? Apo do të ishte me vend që Albin Kurti të jetë i pranishëm në këto takime të trilaterales Vučić – Zaev- Rama? Sadoqë Kosova mund të mos jetë e përgaditur për këtë hapje, ngaqë buxheti i saj varet kryesisht nga doganat dhe për më tepër importet më të mëdha i ka nga Serbia, izolimi do t’i kushtojë më shtrenjtë.

Të vetmen dobi që do ta ketë Kosova nga ky izolim do të jetë ngritja e nacionalizmit të domosdoshëm që aktualisht i mungon Kosovës.  Kur kosovarët do ta shohin filoserbizmin e institucioneve në Shqipëri, kjo do t’ua hapë sytë kosovarëve siç iu hapën sytë Ramush Haradinajt, kur pa në Berlin se Edi Rama i mbante anën Vučićit. Pak kohë para kësaj ngjarjeje gjithë Shqipëria qeshej me naivitetin Ramush Haradinajt sipas të cilit po të bashkohej Kosova e Shqipëria ai do t’ia lëshonte vullnetarisht karrikën e kryeministrit Edi Ramës!.  Ky nuk është vetëm naiviteti i Ramush Haradinajt, por edhe i një pjese të madhe të popullsisë së Kosovës.  Duhet Goran Bregovići e shumë bregoviqa të tjerë që kosovarët të kuptojnë se nuk kanë rrugë tjetër pos ta ndërtojnë të ardhmën e tyre në  Kosovën e tyre.

Kosovarët nuk kanë përse t’ia mbajnë dertin Shqipërisë për invazionin serb atje. Shqipëria është anëtare e NATO-s dhe shtetësia e saj nuk kontestohet më. Asnjë pushtues nuk mund t’ia bëjë më zi Shqipërisë se çfarë i ka bërë Enver Hoxha. Tek e fundit, çka janë më të tmerrshme këngët çetnike se sa këngët për Enver Hoxhën që shqiptarët i dëgjuan për 45 vite?. Kur një kosovar dëgjon ndonjë këngë për Enver Hoxhën edhe mund të mos e shijojë po të paktën nuk lëndohet nga kënga siç  lendohen ata që e kanë vuajtur Spaçin apo Burrelin. Rrjedhimisht, këngët çetnike edhe mund të mos pëlqehen nga publiku i Tranës apo Korçës, por me to nuk lëndohet askush në Tiranë apo Korçë. Dhe përderisa përmes këtyre këngëve çetnike animohen turistët serbë ato janë të mirëpritura në Shqipëri.

Hec e dije a është ironi më e madhe kur kosovari që ka mbajtur vite burgu pse ka pikturuar qytetin e Korçës, dëgjon se si në Korçë të rinjtë shqiptarë dehen me këngë çetnike, apo kur i dëgjon kosovarët duke kënduar për Enver Hoxhën shqiptari që ka mbajtur 20 vite burg në Spaç pikërisht pse ka shprehë dashuri për Kosovën.

Thjeshtë, duhet të pranohet fakti se njerëzit e një gjuhe e një gjaku (pra njerëz të së njëjtes etni) siç janë shqiptarët e Kosovës e të Shqipërisë, kanë ndjesi e mentalitetete të ndryshme. Mbi të gjitha kanë interesa të ndryshme.  Kosova e Shqipëria  ndonjëherë  i kanë interesat e njëjta,  shpesh i kanë të ndryshme e herë-herë i kanë të kundërta. Kjo është dëshmia më e fortë se bëhet fjalë për dy kombe tashmë mirë të etabluara  në diferencat mes vete.  Fakti që një pjesë e shqiptarëve të Shqipërisë kundërshtojnë ftesën për Goran Bregovićin në Korçë nuk është se ata lëndohen nga kënga e tij “Kallashnikov”, por ata kundërshtojnë se nuk duan të lëndohen vëllëzërit e tyre të gjuhës e të gjakut (kosovarët).  E qartë, pjesa tjetër nuk shqetësohet se a lëndohen kosovarët apo jo.