Na ndiqni në:


Get it on Google Play Download on the App Store

Mbi pulat, vetë dhe politikën kosovare

123
string(12) "Blerim Shala" string(82) "https://klankosova.tv/wp-content/uploads/2017/05/Blerim-Shala-1-e1620736305698.jpg"
nga Blerim Shala 09.03.2026 11:34
Blerim Shala
Blerim Shala

Mbase, nuk ka kush në mesin tonë që nuk e di atë rrëfimin anekdotik për pulat dhe idetë, ku idetë e shumta mbërrinin tek i njëjti përfundim: ngordhja e pulave.

Në fund, kur ky prodhuesi i ngratë dhe i pasuksesshëm i pulave i kërkon ide të reja ‘autorit’ të propozimeve të dështuara për rritjen e sasisë dhe cilësisë së pulave, ai i përgjigjet: ‘Unë ide kam sa të duash, por ti a ke pula?’

Kush në këtë skenën politike merret me prodhimin e pulave e kush me hartimin e ideve, kjo me gjasë është edhe pyetja kyç që të dërgon në origjinën e problemeve të vazhdueshme me politikën kosovare.

Ka pretendentë të shumtë politik, natyrisht, për te dy dimensionet e këtij kallëzimi që përdoret kudo dhe kurdo, në të gjitha aspektet e mundshme.

Megjithatë, çfarë dihet, që nga viti i kaluar politik (i cili duket se nuk ka përfunduar me 28 dhjetor të vitit të shkuar, siç menduam dhe besuam shumë prej nesh), është që të gjitha hesapet dhe llogaritë e gabuara të politikës sonë, në fund po mbërrijnë në Gjykatën Kushtetuese të Kosovës, e cila po duhet, dashtë e pa dashtë, të kërkojë shtegdalje për qorrsokaqet e politikës kosovare.

Gjykata Kushtetuese, që prej se është themeluar, pas pavarësisë së Kosovës, nuk ka pasur më shumë punë se sa në këto dy vitet e fundit. Sherret e vazhdueshme politike po duhet të trajtohen prej saj, me qëllim të evitimit të dëmeve të mëdha, mbase, edhe të pariparueshme për funksionimin e pushtetit në Kosovë.

Gjykata Kushtetuese, nëse këtu i referohemi shërbimeve shëndetësore në vend dhe kudo në Botë, është dashtë t’i ngjajë asaj Qendre të Emergjencës, tek e cila shkohet, siç dihet, vetëm në raste urgjente.

Të gjitha rastet e tjera duhet të trajtohen, në shëndetësi, në Spitalin e përgjithshëm, klinikat tjera adekuate të sëmundjeve dhe në Qendrat e mjekësisë familjare.

Në dy vitet e fundit, dhe për këtë jemi dëshmitarë të gjithë ne, madje gjithnjë e më shumë, Gjykata Kushtetuese e ka tejkaluar fort atë identitetin primar të asaj Qendre të Emergjencës dhe është shndërruar në Spital të përgjithshëm me të gjitha klinikat e tjera shtesë.

Aq produktive është dëshmuar politika e vendit në këto dy vitet e fundit në krijimin e pengesave për vete dhe problemeve për të gjithë të tjerët, saqë Gjykata Kushtetuese është detyruar të punojë pothuaj në tri ndërrime dhe pa pushim fare.

Gjykata Kushtetuese assesi nuk mund të jetë zëvendësuese e politikës. As edhe përmirësuese e vazhdueshme e saj. As edhe shpëtimtare e skenës politike nga krizat e saj. Ajo ka pa dyshim është lodhur dhe rraskapitur me të gjitha ‘lëndët’ dhe rastet e bëra nga politika e vendit, e cila shterpësinë e saj në kërkim të marrëveshjeve bazike të cilat do të mundësonin funksionimin e duhur të pushtetit qendror, po ia hedh ashtu pa përtesë Gjykatës Kushtetuese.

Në anën tjetër, na kujtohet që kjo Gjykatë, në Verdiktet e saja të vitit të kaluar në kontinuitet ka theksuar që është obligim i politikanëve të Kosovës ta respektojnë Kushtetutën, Verdiktet e kësaj Gjykate dhe po ashtu, ta marrin parasysh interesin e vendit për stabilitet politik, i cili gjithsesi cenohet me zgjedhjet e shpeshta parlamentare.

Pra, pos tjerash, është detyrë e politikanëve të Kosovës të mos kërkojnë orë e çast që të dalin prej dështimeve të tyre përmes zgjedhjeve të reja, apo që ato të janë opsion vetëm kur njëmend nuk ka ndonjë rrugë tjetër. Nuk ka kurrfarë dyshimi që kësaj radhe, opsioni i zgjedhjeve të reja ishte i panevojshëm, i gabuar edhe madje, i dëmshëm. Ishin një mori shtigje për t’iu shmangur atyre, përmes marrëveshjeve të cilat mundësonin zgjedhjen e Presidentit/ Presidentes së Kosovës, për të hyrë kështu në një periudhë pak a shumë të qëndrueshme në funksionimin e pushtetit dhe politikës kosovare.

Kërkimi i fajit se si mbërritëm këtu nuk shërben për gjë prej gjëje. Kjo dihet.

Tash na mbetet të gjithëve të shpresojmë që Gjykata Kushtetuese do ta kthejë mbarë këtë politikë dhe disi do t’i shmang votimet e reja parlamentare, të cilat do të shënojnë një hap tjetër në degradimin e skenës politike të vendit.

lajme të ngjashme