Marrëzia e pamatshme 123 string(12) "Blerim Shala" string(82) "https://klankosova.tv/wp-content/uploads/2017/05/Blerim-Shala-1-e1620736305698.jpg" nga Blerim Shala 15.04.2021 15:08 15.04.2021 15:08 Aftësia jonë për të folur shumë dhe kot së koti, për të nxjerrë tema aty ku nuk duhet, për të bërë debate të cilat nuk kanë kurfarë dobie, për të humbur kështu (të gjithë së bashku), kohën individuale dhe atë kolektive, dhe për ta degraduar dhe devalvuar një shoqëri të tërë, apo, për t’ia dobësuar asaj (shoqërie) një imunitet kolektiv shpirtëror (të cilën çdo shoqëri e ka), ka marrë përmasa të cilat konfirmojnë ekzistencën e një krize të thellë shoqërore në Kosovë. Një temë e kësisojt me të cilën në një mënyrë apo tjetrën, po merremi thuaja të gjithë ne ditëve të fundit, përkon me disa prej tiparet e veçanta të cilat i ka pasur Adem Jashari, pa të cilin nuk mund dot të paramendohet historia e re e Kosovës, ajo që shquan luftën e viteve 1998, 1999, rezistencën ushtarake të UÇK-së dhe çlirimin e Kosovës. Gjithçka nisi me një kallëzim sipas të cilit Adem Jashari nuk e kishte ndezë cigaren në një ditë të Ramazanit, duke dëshmuar kështu që ai ka agjëruar atë ditë, apo, që i është përmbajtur njërit prej detyrimeve të një besimtari mysliman. Pastaj, krisi në të katër anët gallata a debati (mund ta këasifikojmë si të duam), për dhe kudër këtij elementi të biografisë së Adem Jasharit. U përmendën birrat që i ka pirë ai, me shokë, etj. etj. Të gjitha këto llafe, me atë irracionalitetin që ka nisur të lëshojë rrënjë te ne, mbase, qëllimshëm apo jo, kjo nuk ka kurfarë rëndësie, synojnë të ndërlidhin atë luftën madhore dhe sakrificën e jashtëzakonshme të Adem Jasharit dhe të familjes Jashari, me një tipar të veçantë të tij, duke krijuar një raport të kauzalitetit midis këtyre veçorive apo elementeve specifike, me atë përballjen historike të Jasharëve në Prekaz me forcat e Serbisë. Ta zëmë, kështu mund të dalë që Adem Jashari ka bërë atë çfarë ka bërë, sepse ka qenë duhanxhi, ka mbajtur Ramazanin, ka pirë birra, ka pasë mjekër, ka vozitë një motor, etj. etj. Ta merr mendja që të gjitha këto tipare kanë luajtur rol vendimtar në krijimin e personalitetit të Adem Jasharit, dhe në lartësimin e tij si figurë kyç historike në Kosovën e viteve të nëntëdhjeta. Natyrisht, shumëkush pi duhan, ka mjekër, mbanë muajin e Ramazanit, ndoshta edhe ka mjekër dhe vozit motor, por asnjëra prej këtyre tipareve nuk të paracakton, me një automatizëm, për të qenë njeri i mirë, njeri i dashur, e lëre më për t’u bërë një figurë e jashtëzakonshme politike dhe historike. Një paralele e ngjashme mund të bëhet edhe me Presidentin Dr.Ibrahim Rugova, duke pohuar që lidershipi i tij në Lëvizjen politike për pavarësia, ia ka borxh faktit që ai ka qenë duhanxhi i pasionuar, ka pasur syza, dhe ka mbajtë atë shallin rreth qafe. Si në rastin e Dr.Ibrahim Rugovës, ashtu edhe në këtë të Adem Jasharit, rrënjët e arritjeve të tyre të pashoqa në politikën dhe në luftën e Kosovës, gjinden në biografitë e tyre personale dhe familjare, në ambientin politik dhe shoqëror të krijuara në Kosovën, që nga vitet e shtatëdhjeta e tutje, në organizimin gjithëpopullor të fillimviteve të nëntëdhjeta, në atë okupimin e egër të Serbisë dhe në vullnetin për tu flijuar, nëse duhet, me gjithë familjen, për çlirimin e Kosovës. Nuk mund të kërkohen askund tjetër shkaqet apo arsyet pse Rugova dhe Jashari u bënë ata që ishin. Askund tjetër zatën nuk kanë ku të kërkohen shkaqet pse ne arritëm të çlirohemi, në vitin 1999, dhe të bëhemi shtet i pavarur, në vitin 2008. Natyrisht, të gjitha ato tipare dhe veçori të cilat shquan kryeprotagonistët e një lufte të madhe politike dhe ushtarake të Kosovës, të cilat na bënë bashkë të gjithë neve, ndikuan në mënyrën vemdimtare që edhe Perëndimi, në radhë të parë SHBA-ja, të bëhen me ne dhe të na ndihmojnë për tu bërë të lirë dhe për tu pavarësuar. Ishte pra një Sistem i tërë vlerash politike, shoqërore, kulturore, qytetëruese (tek e mbrama), të cilat i patëm krijuar në Kosovë, që prej viteve të shtatëdhjeta e tutje, duke arritur atë kulminacionin në vitet e nëntëdhjeta, të cilat na bënë një popull politik, i cili e di cili është fati i tij, dhe i cili është në gjendje të bëjë gjithçka për ta realizuar qëllimin e tij suprem: Jetën në liri. Gjithë këtë Sistem të vlerave e mbanim të gjallë në kushte të një robërie të vrazhdë, pastaj, e pasuruam edhe në vitet kur nuk ishim shtet (por një territor nën një Administrim ndërkombëtarë), teksa nisëm ta humbim, ta vetë-dëmtojmë që prej se u bëmë shtet i pavarur. Kështu pra, hap pas hapi, kemi mbërri në një stad kur jemi në gjendje ta banalizojmë debatin tonë për figurën e Adem Jasharit. *Klikoni KËTU për t´u bërë pjesë e kanalit zyrtar të Klan Kosovës në Viber. *Klikoni KËTU për ta shkarkuar aplikacionin e Klan Kosovës në Android, dhe KËTU për iOS.