Marrëdhëniet ndërkombëtare McDonalds 123 string(12) "Blerim Shala" string(82) "https://klankosova.tv/wp-content/uploads/2017/05/Blerim-Shala-1-e1620736305698.jpg" nga Blerim Shala 25.11.2025 18:30 25.11.2025 18:30 Vështirë që filozofit të njohur Zygmunt Bauman, i cili llogaritet si njëri prej mendimtarëve që më së miri dhe më së sakti ka përshkruar ‘frymën e kohës’ në shoqëritë bashkëkohore perëndimore, ia ka marrë mendja që ajo çfarë ai tha për gjendjen e njeriu dhe të qytetërimit perëndimor, do të vlen edhe në raportet midis shteteve dhe në Rendin inekzistent ndërkombëtar tash e disa vite. Bauman pohoi me të drejtë që kjo Bota e sotme perëndimore ka një tipar a një veçori që e karakterizon vetëm ate, krahasuar me të kaluarën e Perëndimit. Ai e definoi këtë gjendje si një ’Botë e lëngshme’. Kjo gjendja ’agregate’ është pasojë e synimit për ndryshime të përhershme në jetën e individit, të familjes dhe të shoqërisë, ku asnjëherë nuk arrihet një gjendje e kënaqshme, dhe ku gjithçka i nënshtrohet kësaj mësymjeje të pandalshme. Ndryshimet janë të vazhdueshme, dhe ato nuk janë mjet për realizimin e një qëllimi final. Ato janë qëllim në vete. Për këtë shkak, asgjë nuk është stabile, asgjë nuk është e qëndrueshme. Duket që modeli i veprimit, i mendimit dhe i operimit zgjatë sa një vakt i shpejtë në McDonalds apo KFC. Apo, që këto modele vazhdimisht duhet të up-datohen, si në Windows. Ec e biri në fije atëherë çka është çka, dhe kush është kush. Sidoqoftë, është supozuar a llogaritur që ajo çka vlenë për këto shoqëritë e ’lëngshme’ perëndimore, të cilat janë në kërkim e sipër të një identeti të ri në këtë kohën kur gjithçka lëvizë dhe përson transformime permanente, nuk ka farë peshe për shtetet. Ato duhet të jenë stabile dhe të përgjegjshme, sepse me monopolin e tyre mbi dhunën (definicioni i njohur i Max Weberit) dhe me synimin për ta ruajtur paqen në nivel ndërkombëtar, ato duhet të jenë garantuese të sigurisë në vend dhe në Botë. Mirë, po të përfilleshin këto cilësi të shtetit, nuk do të kishte kurrë luftë, as brenda shtetit dhe as jashtë tij. Diçka tjetër është teoria, e tjetër është praktika. Këtë e dimë të gjithë. Megjithatë, vështirë që dikush vetëm para dhjetë viteve, apo edhe më pak, ka mundur të paramendojë se çfarë do të ndodhë në Botë, apo, çfarë luftërash do të shpërthejnë në Ukrainë dhe në Lindjen e Mesme, dhe si do të përpiqet Perëndimi t’i ndalë ato, edhe pse përherë e më pak mund të insistohet që ekziston Perëndimi si kategori e mirëfilltë politike dhe e sigurisë në Botë. Duket që edhe Perëndimi politik ka marrë gjendjen e lëngshme. Edhe këtu ka pra mësymje të vazhdueshme për ndryshim, për adaptim, për arritjen e një stadi a niveli të ri, i cili po ka afat fare të shkurtër të përdorimit, sepse po kuptohet, në ecje e sipër që diçka nuk është në rregull, që janë harruar disa gjëra thelbësore, dhe që nuk është rendi i arritjes së një stabiliteti ndërkombëtar. Kjo gjendje u mor vesh në mënyrën më brutale të mundshme këtyre ditëve të fundit kur plasi (në kuptimin e plotë të fjalës), lajmi për Planin më të ri të Administratës amerikane të Presidentit Donald Trump për arritjen e paqes në Ukrainë. Plani ka 28 pikë dhe fillimisht, mezi u kuptua që ai është autentik, apo që nuk është një spam email politik, i cili nuk vlen as të lexohet. Në masë të madhe, e tëra kjo ngjarje, si u shfaq në politikë dhe në media, si u trajtua më pastaj, ishte tronditëse dhe fillimisht e pabesueshme. Por ajo, në këtë trajtën e saj ‘burimore’, është dëshmia më e mirë e mundshme se në çfarë Bote po jetojmë tash, dhe çka mund të pritet në të ardhmen e afërt. Këto lëvizje lartë – poshtë në politikën ndërkombëtare, po i përngjajnë atyre lëvizjeve të mëdha në tensionin e gjakut të një sëmuri (herë shumë lartë e herë shumë poshtë), të cilat janë pasojë e një sëmundjeje e cila nuk ka marrë ende trajtimin e duhur terapeutik. Nuk duhet pasur iluzione që do të gjendet së shpejti ‘terapia’ për këtë gjendjen e politikës ndërkombëtare. Prandaj, do të ketë edhe në të ardhmen telashe të kësisojta në këtë politikën e lëngshme ndërkombëtare.