Manovrat ushtarake të Serbisë 123 string(12) "Blerim Shala" string(82) "https://klankosova.tv/wp-content/uploads/2017/05/Blerim-Shala-1-e1620736305698.jpg" nga Blerim Shala 16.12.2022 08:49 16.12.2022 08:49 “Është arritur pajtimi që asnjëra palë të mos e bllokojë, apo inkurajojë të tjerët për të bllokuar progresin e anës tjetër në rrugëtimin drejt BE-së”. Kjo ka qenë Pika e 14-të e Marrëveshjes së Parë për normalizimin e marrëdhënieve në mes të Kosovës dhe Serbisë, të nënshkruar me 19 prill të vitit 2013, në Bruksel. Edhe kur është propozuar që kjo Pikë të jetë pjesë përbërëse e Tekstit final të kësaj Marrëveshjeje, edhe në zhvillimet e mëpasme politike dhe diplomatike në raportet në mes të Kosovës dhe Serbisë, edhe në thuaja të gjitha deklarimet e zyrtarëve të BE-së në të cilat është folur për zgjerimin e BE-së me gjashtë shtetet e Ballkanit Perëndimor (WB6), është ditur që Kosova dhe Serbia i kanë udhët e veta (të veçanta), për t’u bërë pjesë përbërëse të Bashkimit Evropian. Kjo çështje asnjëherë nuk ka qenë temë diskutimi as këndejpari (në rajon), as në Bruksel. Por ja që Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vučić, vendosi që këto ditë t’i dyfishojë tensionet në raportet në mes të Serbisë dhe Kosovës, të cilat edhe ashtu janë në stadin më problematik që prej se në Bruksel, në vitin 2011, kishte nisur dialogu për normalizimin e marrëdhënieve, i lehtësuar nga BE-ja. Dhe këtë ’investim shtesë’ në tensionimin e mëtejmë të këtyre raporteve, lideri serb e bëri me qëllim këtë të enjte, me 15 dhjetor, kur Kryeministri Albin Kurti udhëtoi në Pragë, te Qeveria e Republikës Çeke, që është kryesuese e Bashkimit Evropian deri në fund të këtij viti, për ta bërë kërkesën formale të Kosovës për nisjen e procesit të anëtarësimit të Kosovës në BE. Së pari, me një Deklaratë të tij politike, pos tjerash duke u thirrë edhe në Marrëveshjen e Washingtonit (shtator, 2020), Vučić pohoi që me këtë aplikim, Kosova shkeli këtë Marrëveshje, teksa dihet që Pika të cilës i referohet Presidenti i Serbisë (për moratoriumin njëvjeçar të përpjekjeve të Kosovës për anëtarësimin në organizata ndërkombëtare, si dhe të fushatës së Serbisë për çnjohje të Kosovës), ka skaduar si e tillë para më shumë se një viti, apo në shtatorin e vitit 2021. Njëkohësisht, Vučić përsëriti që ai dhe Qeveria e Serbisë do të bëjnë fushatë te pesë shtetet mosnjohëse të BE-së, për ta pamundësuar ecjen para të Kosovës në rrugëtimin e saj për anëtarësim në Bashkimin Evropian. Natyrisht, Vučić, i cili orë dhe çast (si thuhet), i referohet Marrëveshjes së 19 prillit kur flet për temën e Asociacionit/ Bashkësisë së komunave me shumicë serbe, nuk foli fare për faktin që qëndrimi i tij dhe i Beogradit zyrtar për aplikacionin e Kosovës, është në kundërshti të plotë me Pikën 14-të të Marrëveshjes së Parë të Brukselit. Së dyti, në mbrëmjen e të enjtes, Qeveria e Serbisë, nën kryesimin e Presidentit të Serbisë (gjë që është paradoks në veti, kur bëhet fjalë për mandatin kushtetues të Presidentit të Serbisë, ai pra nuk ka të drejtë të përfshihet në pushtetin ekzekutiv të vendit), mori edhe formalisht vendimin që Beogradi zyrtar t’i drejtohet Komandantit të KFOR-it Gjeneral Majorit Angelo Michele Ristuccia, me kërkesën për kthimin në Kosovë deri të një mijë ushtarëve dhe policëve serbë, sepse diçka e tillë është përmendur në Marrëveshjen teknike-ushtarake të Kumanovës (qershor, 1999). Presidenti i Serbisë nuk pret gjë nga Komandanti i KFOR-it, i cili siç dihet, në bazë të Marrëveshjes teknike-ushtarake është autoriteti suprem i interpretimit të gjendjes së sigurisë në Kosovë, prandaj, në prononcimet e tij mediatike, përmendi edhe mundësinë që Serbia me këtë kërkesë t’i drejtohet edhe Këshillit të Sigurimit të OKB-së. Kur dihet raporti i forcave në Këshillin e Sigurimit të OKB-së, mund të merret me mend qysh tash se edhe në East River (selinë e OKB-së), nuk do të mund të kalojë kjo kërkesë e çoroditur e Presidentit të Serbisë. Sidoqoftë, Aleksandar Vučić po manovron në të gjitha anët, prej barikadave të ngritura në Veri të Kosovës, e deri te këto nismat e tij të fundit, ashtuqë të krijojë pengesa të shumta politike, diplomatike dhe të sigurisë, ashtuqë të pamundësohet për një kohë, fillimi i asaj faze finale të bisedimeve në mes të Prishtinës dhe Beogradit për arritjen e Marrëveshjes Themelore në mes të Kosovës dhe Serbisë, teksa për palën kosovare, ky proces (i bisedimeve për Marrëveshjen themelore), është interes jetik. Për këtë nuk ka kurfarë dyshimi. *Klikoni KËTU për t´u bërë pjesë e kanalit zyrtar të Klan Kosovës në Viber. *Klikoni KËTU për ta shkarkuar aplikacionin e Klan Kosovës në Android, dhe KËTU për iOS.