Mallkimi i Justicias 123 string(8) "Jon Leka" NULL nga Jon Leka 20.04.2017 13:23 20.04.2017 13:23 Shtetet dhe shoqëritë shqiptare janë pengje të krimit të organizuar. Jo vetëm për shkak partive, mediave dhe «elitave» të korruptuara. Edhe pjesë të mëdha të popullatave ushqehen me monedhën e ndryrë të Neronit – me vetëdije! Shqiptarët sot gjenden në një fazë historike, kur kultura dhe qenia e tyre nuk rrezikohen më gjithaq nga tjerët, por më shumë nga veprat e demonëve të tyre. Gogoleskat e tipit; armiqtë e «shqiptarisë» të fshehur brenda varrit të shiitit al-Abbas ibn Ali në majën e Tomorrit mezi presin ta bëjnë gjak e copë vendin, janë zbehur aq shumë, saqë as për humor nuk vyejnë. Madje as atëherë nëse sagën do ta deklamonte hiperaktrueshëm qoftë edhe figura më mediokre e serialit «O sa mirë…». Çka atëherë, nëse jo tjerët, i ka bllokuar kaq vajtueshëm e mjerueshëm urballkanasit me qeleshe, ata, të cilët shënuesi i kufijve shqiptaro-malazezë i viteve të njëzeta të shekullit të shkuar, nobelisti dhe senatori francez D’ Estournelles de Constant i premtonte si «zviceranët e ardhshëm të Ballkanit», sapo të çlirohen nga austriaket, serbët, francezët, turqit? Krimi i organizuar nuk lejon që të përmbushet zotimi i francezit! Po. Korrupsioni dhe krimi janë kaceret, të cilët nuk i duron Justicia dhe nga tërbimi është në udhë e sipër t’ia heq shqiptarit jo vetëm mushkërinë e tumorizuar, por edhe organet tjera të shëndosha. Kush do jetë instanca reale ajo që do të ekzekutojë kërkesën e Simonidit të Keosit, Platonit (Politeia), Ciceronit; «suum cuique tribuere», çdonjërit të merituarën që Jezusi nga Nazareti e politizoi në «Reddite ergo quae sunt Caesaris, Caesari», jepi pra Cezarit atë çka është e Cezarit. E çka është tij? Ajo është Monedha e Neronit me Justician me diademë në mes. Janë Justicia dhe metaforat e krahasimet tjera, që i përdorëm në këtë hyrje vetëm konstruksione tonat imagjinare, dëshirore për vetëngushëlllim dhe asgjë tjetër? Poezi për ta vrarë zinë që na imponon realiteti? Jo, ngase hakmarrja vërtet ndodhë. Në mënyrën më të vrazhdë të saj. Le ta vizitojmë realitetin kulturosferës shqiptare për ta plasticizuar sa më gjallë konstatimin tonë. II. Në Tiranë, tashmë u bënë muaj që grupi i parë i hierarkisë së PD-së bashkë me plotë oligarkë të vendit janë ngujuar në një çadër dhe bëjnë çmos për të parandaluar implementimin e një Reforme të Drejtësisë, e cila kërkohet me këmbëngulje nga i gjithë perëndimi bashkë me SHBA-të. Një pjesë e opinionistëve thonë se kanë frikë nga Justicia kur institucionet e drejtësisë do të mbushen me gjykatës e prokurorë të pavarur ngase për 25 vjet kanë vjedhur e bërë krime – ata nën çadër. Grupi apologjet i të çadruarve thotë: Jo, nuk qëndron kështu. Protesta ndodhë për të imponuar rregulla të reja zgjedhjesh që qeveria aktuale mos t’i përvetësoje votat me pare të kanabisit – që mbollët me të madhe vetë? Të gjithë unisono: në mbrojtje apo në evitim të krimit të tjetrit. Baza e kanosjes së rendit, demokracisë, sistemit është krimi i organizuar, apo? Në Prishtinë shumëçka ndodhë si paralojë, parapërgatitje për t’i organizuar vetes sa më shumë mbështetje për kohë të vështira – Gjykatën e Hagës! Kush do ikë e kush do mbetet është basti. Shumica absolute e hierarkive të çdo krahu politik janë kandidatë potencialë, sidomos ndër primatët e partive kryesore dhe ish korrierëve të pareve në relacionin Gjermani-Zvicër-Tiranë-Prishtinë. Edhe ata që e humbnin pare rrugës. Qeveria aktuale nuk lufton krimin, por vetëm zëvendëson të korruptuarit me të vetët; mbush institucionet me sa më shumë kryefamiljarë, oligarkë dhe njerëz me ndikim e që gjenerojnë vota. Albin Kurti mban fjalime kundër ndërmarrjeve që kanë kap gjithë ekonominë e vendit në mënyrat më klandestine të tregut të zi, ku janë të punësuar gjysma e partisë së tij. Në Veri të vendit një shtet i huaj e ka shndërruar atë copë vendi në centrifugën e kamionëve ilegalë me mallra të skaduara e drogë për gjithandej. Optimistët ëndërrojnë: Gjykata do ta pastrojë vendin. Pesimistët thonë se optimistët nuk janë më pak të korruptuar se punëdhënësit e tyre. Shteti dhe sistemi edhe në Kosovë janë peng e frikës nga Gjykatat e huaja dhe vendore. Kush ka frikë nga vajzat e Justicias? Kriminelët natyrisht, të pastërtit që nuk e kanë qëllim dhe kauzë veten s’kanë nevojë ta kërcënojnë gjithë shoqërinë me përmbysje po nuk morën pushtetin. Në Maqedoni inkarnati i Al Kapones në miniaturë Nikolla Gruevski asnjëherë nuk do të kishte «familjarizuar» gjithë resurset ekonomike dhe kapitalin në vend pa asistencën qoftë edhe injorante shqiptare. As sot nuk do të vazhdonin orgjitë e tij pseudonacionaliste kryeqendrave të shtetit pa emër nëse shqiptarët në bllok do të refuzonin të bëhen pjesë e lojës me kuvende jofunksionale e pjesëmarrje në qeverisje që shërbejnë për t’u harruar sa më shumë «bombat» dhe «autombat» e blera që të gjitha nëpërmjet larjes së parave të sheikëve, kapitalistëve muzhikë rusë dhe tiranëve të shumtë përtej zonës perëndimore. Një palë thotë se partitë në qeverisje nuk largohen dot se dalin edhe krimet e tyre në shesh e tjetra palë thotë se pala e parë donë të kap pushtetin me para të ndyra për interesa të huaja. Të parët nuk u tërheqkan nga frika prej Justicias e të dytët shpëtimin e tyre e shohin duke u legalizuar para se t’i kap Justicia në flagrancë. Motivi i të dyjave: ikja nga përgjegjësia për krimet! III. Si të dilet nga ky robërim i ri nga vetvetja e korruptuar? Duke ia dhënë Cezarit atë çka i takon Cezarit për të qenë të pastër para Justicias? Po. Elitat politike të një shoqërie nuk legalizohen e bëhen dot pa mbështetjen e masave të nevojshme për të hipur në fron. Këtyre iu ndihmojnë shumica e mediave, të cilat paguhen e mirëmbahen nga njëra apo tjetra kastë. Këto nuk e bëjnë aktualisht debatin dot se janë jotransparente, të varura nga politoligarkë që ecin edhe mbi kufoma. Kur ua ndjek kanalet e transaksioneve dalin edhe më të pamoralshme se vetë financuesit e tyre. Kjo donë të thotë; se pjesë të mëdha të shoqërisë shqiptare janë korruptuar me monedhat e Neronit, të cilat edhe pse në vete kanë të gdhendur portretin e Justicias, janë pare të ndyra. Po populli duhet të mbijetojë disi, thonë bamirësit. Ashtu është. Dhe pikërisht këtu qëndron fuqia e mallkimit të mosecjes para, ngase monedhat e mbijetesës janë afatshkurtra e shpata e drejtësisë pa të zënë dikur nuk e le. Pse është kështu? Nuk di ta shpjegoj, por do jetë njëri nga ato fenotipët që nuk i kap porta jonë mentale, porse ndodhin po. Janë të rastësishme ndërhyrjet e të huajve për të instaluar me çdo kusht shtetet ligjore dhe për të ndëshkuar kriminelët? Ndoshta. Natyrisht se kur tërbohet Justicia do ketë edhe viktima kolaterale, mirëpo mos ka ndonjë zgjidhje tjetër? Jo. Kjo ndodhë sidomos kur të gjithë ushqehen me monedhën e Neronit; politika, mediat, shoqëria. IV. Duhet të ndryshojë realiteti i këtillë që historiani Publius Cornelius Tacitus e përshkruante në këtë formë: «Krimin e ushtrojnë të paktët, e dëshirojnë të shumët dhe e durojnë të gjithë», ngase jetojnë nga të parët! E dimë që askush nuk donë ta pranojë këtë realitet dhe shumëkush mund të bëjë përjashtim, mirëpo realiteti i funksionimit të shoqërive shqiptare aktualisht është kështu e jo ndryshe!