Lulzim Basha lë Sali Berishën, zbuluar përballë SHBA dhe Evropës - Klan Kosova

Na ndiqni në:


Get it on Google Play Download on the App Store

Lulzim Basha lë Sali Berishën, zbuluar përballë SHBA dhe Evropës

123
string(9) "Mero Baze" string(168) "https://klankosova.tv/wp-content/uploads/2018/03/mero-baze-ibrahim-rugova-shqiptari-i-par-euml-q-euml-s-rsquo-u-p-euml-rkul-te-varri-i-enver-hoxh-euml-s_hd-1200x630.jpg"
21/03/2022

Lulzim Basha ka dhënë sot dorëheqjen nga posti i kryetarit të Partisë Demokratike, për t’i hapur rrugën ribashkimit me “Foltoren” e Sali Berishës, në një konflikt që ka në themel vendimin e SHBA për të shpallur Sali Berishën person “non grata”, si minues i demokracisë shqiptare, i përfshirë në korrupsion domethënës, bashkë me familjarët e vet, dhe shantazhues i sistemit të drejtësisë.

Beteja e Sali Berishës për të sfiduar SHBA ndaj këtij vendimi u maskua pas betejës ndaj Lulzim Bashës, dhe në një farë mënyre ja doli të krijojë një frymë antiamerikane në Shqipëri, duke përdorur hakmarrjen e tij ndaj Lulzim Bashës. Partia e parë antikomuniste e Shqipërisë është sot skalioni më obskurantist i shoqërisë shqiptare, e zhytur në paranoja antiperëndimore dhe adhuruese e çdo armiku të SHBA në botë, vetëm për shkak të Sali Berishës. Fushata e pjesshme zgjedhore e 6 marsit e rëndoi dhe më shumë këtë situatë, ku Sali Berisha arriti të mobilizojë jo vetëm partinë e tij, por dhe gjithë kontingjentet e ngjashme të frustruara me SHBA, në Partinë Socialiste ose afër saj, të cilët objektiv kryesor të fushatës kishin shkatërrimin e votave të Lulzim Bashës. Vendimi i tij për t’u dorëhequr sot nga posti i kryetarit të PD, është një vendim logjik, i pashmangshëm dhe i paqortueshëm, pasi Lulzim Basha ishte bërë tabelë qitje për të maskuar betejën e Berishëve kundër SHBA në Shqipëri. Me dorëheqjen e tij, Lulzim Basha ka lënë zbuluar Sali Berishën dhe gjithë aleatët e tij të hapur dhe të fshehtë në të gjitha krahët, përballë SHBA dhe Perëndimit.

Entuziasmi i tyre se duke mundur Lulzim Bashën po mundin SHBA dhe Perëndimin, sot merr fund. Sot ata nuk kanë më alibi, nuk kanë më shans të përdorin kostumin e Lulzim Bashës, si rrobë ushtarake kamuflazhi kundër SHBA dhe Perëndimit. Janë ballë për ballë me ta. Partia Demokratike është para provës së bashkimit si një parti properëndimore, ose para sfidës obskurantiste për t’u kthyer në një repart taliban i Sali Berishës. Lulzim Basha ka sfiduar sot Sali Berishën shumë herë më rëndë se më 9 shtator. Më 9 shtator ai e sfidoi duke e marrë përsipër rriskun e asaj sfide. Sot u tërhoq nga ai rol. Ai sot nuk është më gardiani i SHBA në Partinë Demokratike, por një anëtar pro perëndimor i saj. Sali Berisha dhe talibanët e tij janë ballë për ballë me SHBA dhe Perëndimin. Partitë Popullore Evropiane të cilat monitorojnë situatën, i kanë kërkuar Sali Berishës të tërhiqet dhe t’i hapet rruga një gare të re në PD, për një lider të ri. Është e sigurtë se ai do ta injorojë këtë presion. Prej disa ditësh po përpiqet ta paraqesë si presion për shkak te moshës. Ne fakt e ka për shkak te biografisë kriminale antiperëndimore. Dhe kjo do t’i japë edhe më shumë të drejtë Lulzim Bashës dhe çdo politikani brenda PD, që e do Partinë Demokratike me Evropën.

Nuk është e thënë që do të mund ta shpëtojnë. Nuk është e thënë që ta ndalin Sali Berishën ta përdhunojë PD për llogari të vet. Por nuk janë më alibi e Sali Berishës në betejën e tij për ta përdorur PD dhe Lulzim Bashën si tabelë qitje, ku bëjnë prova për të mësuar dorën kundër Perëndimit.

Nëse Partia Demokratike përfundon në dorë të Sali Berishës duke sfiduar Perëndimin, ajo nuk do të jetë më anëtare e Partive Popullore dhe e asnjë forumi ndërkombëtar perëndimor. Partia që më 1990 kishte slogan “E duam Shqipërinë si gjithë Evropa” do të luftojë t’i vërë Perëndimit kufijtë në Shqipëri.

Nuk do t’ia arrijë kurrë të “mbrojë” Shqipërinë nga Perëndimi, madje as Sali Berishën nga drejtësia. Por do të arrijë t’i lërë rrugëve tërë jetën ata që shkojnë si bagëti pas tij. Dhe ky ështe lajm i mirë/Gazeta Tema.