10:14, 16 Janar 2020 Autor: Mero Baze

Fuqia e një marrëveshje politike duket nga mënyra se si i del zot asaj. Unë nuk mendoj që Lulzim Basha ka bërë ndonjë marrëveshje të keqe me Partinë Socialiste. Ai ka bërë të vetmen gjë që ka pasur mundësi të bëjë, për t’u rikthyer në sistem. Edhe nëse nuk ja del dot të fitojë, së paku Partinë Demokratike e rifut në Parlament dhe nuk e lë rrugëve.

Por mënyra se si Lulzim Basha dhe njerëzit afër tij përpiqen ta mbrojnë marrëveshjen, në fakt e bëjnë atë të pabesueshme dhe e kthejnë kundër tyre.

Kompleksi i tyre se diçka kanë bërë gabim, vjen ndoshta nga fakti se një vit më paqe, u premtuan demokratëve se do vijnë në pushtet me përmbysje, dhe jo me zgjedhje. Kjo është një histori tashmë e ndëshkuar përjetësisht dhe nuk ka pse e mbajnë për referencë.

Shqipëria ndëshkoi formën revolucionare të marrjes së pushtetit me dhunë dhe delegjitimim e sistemit, dhe ky është i vetmi kontribut pozitiv që PD dha me dështimin e saj.

Tani nuk ka nevojë që alibitë e reja për marrëveshjen t’i mbështesë tek gënjeshtra të reja dhe tek formulime jo logjike.

Këtu kam parasysh nxitimin e Bashës për t’u shpjeguar demokratëve se pas reformës zgjedhore, vijnë zgjedhjet e parakohshme dhe se në mars do të nisin protestat.

Në fakt protestat nuk trembin askënd dhe në mars kanë kuptim vetëm për të trembur hapjen e negociatave, por nuk është ndonjë qamet dhe sikur të bëhen.

Ndërsa premtimi për zgjedhje të parakohshme është një karagjozllëk politik i padobishëm për opozitën.

Nuk është e keqja se Edi Rama mund t’i kundërshtojë. Karagjozllëku do të jetë sikur Edi Rama të thotë hajde t’i bëjmë, dhe pastaj do fillojë nga e para avazin, “Jo nuk hyjmë në zgjdhje me Edi Ramën”, “Jo nuk pranojmë Damian Gjiknurin”, e broçkulla të tjera.

Partia Demorkatike duhet ta mbrojë marrëveshjen për atë që e ka bërë, dhe jo për të gënjyer demokratët. Ajo e ka bërë të rikthehet në sistem, të rifutet në Parlamet dhe t’i hapë rrugën rikthimit në pushtet lokal, me zgjedhje të pjesëshme në Shkodër, Vorë e Durrës.

Kjo nuk është pak për një parti që ka mbetur rrugëve. Dhe guximi për të bërë marrëveshje nuk është pak, nëse di t’i dalësh zot.

Kur Sali Berisha bëri marrëveshje historike me Fatos Nanon më 2002, pa fituar thuajse asgjë, përveç emërimit të një presidenti që ja nxiu jetën Berishës, më shumë se sa Rexhep Mejdani, ai i doli zot marrëveshjes.

I doli zot dhe kur ftoi Fatos Nanon me Xhoanën, në festën e PD në dhjetor, dhe kur u ul me të duke pranuar të hiqte dorë nga protestat dhe bojkoti i institucioneve, duke rindarë KQZ, Gjykatën Kushtetuese, Këshillin e Bankës etj.

Nuk i gënjeu demokratët, që pas dy muajsh kemi zgjedhje e do marrim pushtetin. Edhe atëhere u patën zemëruar shume demokratë, përfshi dhe Edi Palokën. Edhe atëhere thoshin kjo është porosi nga “Katovica”. Por u qetësuan, pasi Berisha i doli zot marrëveshjes.

Lulzim Basha, i trembur nga agresioni i blogjeve dhe rrjetit, që në fakt është më shumë i ndërsyer nga Berisha e Meta, po bën gabimin që ka bërë gjashtë vite rresht, që krijon pritshmëri për diçka që nuk do të ndodhë.

Po bën njësoj si vitin e shkuar, që në janar kur dogji mandatet, u tha që Rama ikën në mars, në prill kur bojkotoi zgjedhjet, tha që Rama digjet më 30 qershor, në korrik tha se nuk do dorëzojë 16 bashkitë në gusht, në shtator tha kemi fituar 85 për qind.

Kjo mungesë e llogjikës kur flet politikisht duhet të marrë fund. Njerëzit janë më të arsyeshëm se politikanët, për të kuptuar se çfarë ndodh.

Përpjekja për t’i gënjyer, apo për t’u shpikur gjëra të paqena, i fyen më shumë se sa i fyen Çim Peka kur flet në emër të PD.

Lërini njerëzit ta kuptojnë marrëveshjen si marrëveshje, se ata kanë më shumë shpresë nga një rikthim normal i PD në sistem, se sa nga premtimet e Bashës, apo enturazhit të tij, që në përpjekje për t’u fshirë lotët e dëshpërimit sot, i përgatisin për një qarje të re pas disa muajsh./ Tema

Lajme të tjera