Na ndiqni në:


Get it on Google Play Download on the App Store

Lufta e karantinuar

123
string(12) "Blerim Shala" string(82) "https://klankosova.tv/wp-content/uploads/2017/05/Blerim-Shala-1-e1620736305698.jpg"
nga Blerim Shala 10.06.2022 12:52
blerim shala

Brenda katër ditëve të një jave të vetme, Presidenti i Rusisë, Vladimir Putin, gjithsesi qëllimisht, definoi me fjalët dhe botëkuptimet krejtësisht kundërthënëse e tij, luftën e Rusisë në Ukrainë.

Kur të hënën, me 21 shkurt shpalli Dekretin e tij presidencial për njohjen e pavarësisë së ‘Republikave’ të Donjeckut dh Luhanskut, ai paralajmëroi angazhimin e Forcave ushtarake ruse, në një mision të ‘Trupave paqeruajtëse’ në territorin e këtyre dy republikave.

Ky Mision, si i tillë, limitonte hyrjen e pritshme dhe të kumtuar (nga Presidenti Amerikan, Joseph Biden), të trupave ushtarake ruse vetëm në lindje të Ukrainës, dhe kryekëput me qëllim të rrumbullakësimit ushtarak të rajoneve nën kontrollin e forcave separatiste në Ukrainë.

Megjithatë, vetëm tre ditë më pas, apo, të enjten e 24 shkurtit, invazioni gjithpërfshirës rus në Ukrainë, me qëllimet kryesore e definuara nga Putin të ‘denafacikimit’ dhe të ‘pacifikimit’ të këtij shteti, u përcaktua, konceptualisht, nga Presidenti i Rusisë, si ‘Operacion Special’.

Që prej atëherë, Putin dhe i gjithë establishmenti rus, nuk ka folur kurrë për Luftën në Ukrainë, por për ‘Operacionin Special’.

Natyrisht, dihet që në ndërkohë, për shkak të rezistencës së madhe dhe të suksesshme të forcave ushtarake të Ukrainës, Putin i është kthyer atyre qëllimeve të kufizuara ushtarake të Moskës zyrtare për të cilat pati folur me 21 shkurt. Megjithatë, në ndërkohë ai synon që t’ia bashkangjet ‘Republikave’ të Donjeckit dhe Luhanskut edhe pjesët e tjera të Donbasit, për të shpallur më pas fitoren. Kjo fitore, do të nënkuptojë, pos bashkimit të Donbasit Rusisë (si në rastin e Krimesë, në vitin 2014), edhe neutralitetin ushtarak të Ukrainës së mbetur.

Në anën tjetër, Presidenti i SHBA-së Biden, Sekretari i Përgjithshëm i Aleancës Veri-Atlantike Jens Stoltenberg, dhe të gjithë liderët relevantë të Perëndimit, që prej ditës së parë të kësaj lufte, të cilën me të drejtë e kualifikuan si agresion ndaj sovranitetit dhe tërësisë territoriale të Ukrainës (apo, të një shteti të pavarur), dhe më pas, e ndëshkuan (Rusinë), dy herë në OKB, nisën të flasin për faktin që Pakti NATO nuk është dhe as nuk do të jetë në luftë me Rusinë, për shkak të këtij agresioni.

Për më shumë, në vijim të këtij qëndrimi kategorik të Washingtonit, Brukselit dhe të kryeqendrave të tjera perëndimore, SHBA dhe Pakti NATO kthyen mbrapsht propozimin e Volodymir Zelenskyyt që Aleanca Veri-Atlantike të shpall qiellin mbi Ukrainë si zonë të ndaluar për fluturime të areoplanëve dhe helikopterëve të Armatës ruse.

Dihej që në këtë rast, përmes qiellit të Ukrainës, do të niste lufta e madhe në mes të Paktit NATO dhe Rusisë, që shihej si një hyrje në Luftën e Tretë Botërore.

Gjithashtu, Biden dhe kryepolitikanët e tjerë evro-atlantike, shpallën, pa asnjë dyshim, kërcënimin e tyre që sulmi eventual rus në çdo centimetër katrorë të territorit të një shteti anëtar të Paktit NATO, do të kishte domethënien e sulmit mbi këtë Aleancë në përgjithësi, duke rikujtuar kështu Nenin 5 të Traktatit.

Edhe pse Biden dhe homologët e tij perëndimor me këmbëngulësinë më të madhe mohuan çdo mundësi të luftës së NATO-s me Rusinë, për shkak të invadimit të Forcave ruse në Ukrainë, SHBA-ja dhe shtetet anëtare të Paktit NATO, që prej ditës së parë të kësaj lufte, kanë ndihmuar ushtarakisht Ukrainën, në të gjitha mënyrat e mundshme, pra, jo vetëm me informacion të dorës së parë, por edhe me armatim të rëndë dhe të sofistikuar.

Kështu del që edhe nëse NATO Pakti nuk është në luftë me Rusinë, armatimi i tij është në luftë me Rusinë, nëpërmjet të Ushtrisë së Ukrainës.

Mund të thuhet pra që në Ukrainë, në të vërtetë, po zhvillohet një luftë e tërthortë në mes të Paktit NATO dhe Rusisë, me disa Rregulla të çuditshme të lojës, duke synuar shmangien e kalimit të ‘Vijave të kuqe’ (të rrezikshme), nga Perëndimi, dhe në masë të madhe, nga Rusia.

Kështu ta zëmë, dhënia e kontingjentit të fundit amerikan të armatimit për Armatën e Ukrainës, të një rreze të gjërë veprimi, u kushtëzua nga Administrata e Presidentit Biden me zotimin e Kijevit zyrtar që këto armë do të përdoren me kujdes të madh, ashtuqë të mos goditen caqet në territorin e Rusisë.

Natyrisht, këto ‘Rregulla të lojës’ në këtë luftë, siç po shihet për çdo ditë të lume, nuk përfshijnë evitimin e viktimave civile, shmangien e goditjes së godinave të banimit, trajtimin e duhur të robërve të luftës.

Teksa është iluzion të besohet që ndonjëherë do të ketë dënim të mirëfilltë të atyre që janë përgjegjës për këtë luftë të tmerrshme, për krimet e luftës dhe krimet kundër njerëzimit.

Në rrethana krejtësisht të ndryshme, të cilat dallojnë shumë (natyrisht), një Pandemi të një virusi, që prej fillimvitit 2020 e këndej, nga një luftë e kësisojt, të nisur tash e katër muaj, po aplikohet, në të vërtetë i njejti model parësor i veprimit: Karantinimi.

Karantina ishte reagimi i parë, i domosdoshëm i të gjitha shteteve për të ulur, sa më shumë që ishte e mundur, shpërndarjen e Covid-19 në mes shteteve, dhe brenda një shteti.

Ukraina tash e sa muaj është në një gjendje ‘Karantine’, ashtu që të mos ndodhë përhapja e luftës diku tjetër në Evropë.

*Klikoni KËTU për t´u bërë pjesë e kanalit zyrtar të Klan Kosovës në Viber.

*Klikoni KËTU për ta shkarkuar aplikacionin e Klan Kosovës në Android, dhe KËTU për iOS.

lajme të ngjashme